Françesku, bukuria e vërtetë e njeriut kalon nëpërmjet kryqit

Papa Françesku priti në audiencë pjesëmarrësit e Kongresit të Kirurgjisë, anëtarë të Shoqatës ‘Alumni të Profesor Ivo Pitanguy’ (AEXPI), kirurgu plastik i famshëm brazilian. Në fjalën e tij, Papa falënderoi në emër të shumë fëmijëve të sëmurë për shërbimin e tyre për t'u kthyer atyre "buzëqeshjen" dhe i ftoi "si njerëz, mjekë dhe të krishterë", t'i bëjnë njerëzit të reflektojnë mbi "një bukuri që shkon përtej asaj që mund të perceptohet me sytë e trupit".

R.SH. / Vatikan

“Ju mirëpres me një buzëqeshje në buzë, natyrale, të pa retushuar”. Me këto fjala Papa bëri shaka teksa priti në audiencë pjesëmarrësit e kongresit të kirurgjisë anëtarë të Shoqatës ‘Alunni të Profesor Ivo Pitanguy’ (Aexpi), një kirurg plastik i njohur brazilian.

"Si njerëz, si mjekë dhe si të krishterë ne e dimë se fytyrat tona janë të destinuara të pasqyrojnë një bukuri që shkon përtej asaj që mund të perceptohet me sytë e trupit. Një bukuri që nuk i nënshtrohet tendencave të programuara nga biznesi i modës, nga biznesi i kulturës, nga biznesi i pamjes, por lidhet më tepër me të vërtetën e njeriut, me qenien e tij më intime, të cilën nuk mund ta shpërfytyrojmë”, shtoi Papa, duke falënderuar mjekët për punën e tyre.

Në vazhdim Papa shtoi: "Është interesante që Shkrimi Shenjt na e paraqet Jezusin si "më të bukurin e njerëzve" dhe si ai që, përmes vuajtjeve, u bë aq i "shpërfytyruar sa pamja e tij nuk ishte më ajo e një njeriu" dhe kështu "në këtë paradoks na tregon imazhin e tij të vërtetë dhe tonin, që kalon nëpër udhën e kryqit, nga pranimi i vogëlsisë sonë, për të arritur në një lavdi të përjetshme, në një shpresë që nuk zhgënjen dhe nuk vyshket".

“Në një nga projektet tuaja të bashkëpunimit, u tha Papa pjesëmarrësve të kongresit të kirurgjisë  ‘Alunni del Profesor Ivo Pitanguy’ (Aexpi), ju përpiqeni t'ua ktheni buzëqeshjen në fytyrat e shumë fëmijëve të sëmurë dhe, duke i ndihmuar ata, i ndihmoni edhe familjeve të tyre e, në një farë mënyre, edhe mbarë shoqërinë”.

Sillni imazhin e Zotit në botë

Papa Françesku kujtoi më pas fjalët e Shën Palit kur pohon se në fytyrën tonë njerëzore, ne rrezatojmë "lavdinë e Zotit si në pasqyrë" dhe "shndërrohemi në të njëjtin imazh". “Kjo e vërtetë e thellë – është porosia e Atit të Shenjtë drejtuar pjesëmarrësve të kongresit të kirurgjisë  ‘Alunni del Profesor Ivo Pitanguy’ (Aexpi) – e drejtoftë gjithmonë dorën tonë, për të sjellë në botë atë imazh të Zotit që është e ngulitur në qenien tonë, në veprat e mira, në dashurinë që dhurohet, në dashurinë që përhapet”.

Kremtimet për 50 vjetorin e themelimit

Mjekët e shoqatës ‘Alunni të Profesor Ivo Pitanguy’ (Aexpi) janë mbledhur në Romë nga 20 deri më 26 maj për një konferencë që dëshiron të festojë 50 vjetorin e themelimit të Shoqatës. Një konferencë tjetër ndërkombëtare me rastin e njëqindvjetorit të lindjes së Pitanguy do të mbahet, më vonë, në Rio de Zhaneiro.

23 maj 2024, 15:36