Françesku: feja, dhurata e parë për t’u mirëpritur, kundërhelm i frikës
R. SH. - Vatikan
Virtytet teologale - feja, shpresa dhe dashuria - janë dhuratat e mëdha të Zotit. Së bashku na japin sy, që shohin në errësirë; zemër, që do edhe kur nuk e duan, shpresë kundër çdo shprese! Papa Françesku, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, përdor figura konkrete për të shpjeguar virtytet, të cilat e bëjnë njeriun "të matur, të drejtë, të fortë dhe të përkorë”. Virtyte teologjike si feja, që nuk i kundërvihet arsyes por që ka një armik të madh: frikën:
“Feja është virtyti që e bën të krishterin. Sepse të jesh i krishterë nuk do të thotë para së gjithash të pranosh një kulturë, me vlerat që e shoqërojnë, por të mirëpresësh dhe të ushqesh një lidhje, lidhjen me Zotin: unë e Zoti; vetja ime dhe fytyra e dashur e Krishtit na bën të krishterë!”.
Figurat e fesë
“Çka është feja?” - pyeti Papa - pyetje së cilës iu përgjigj sipas katekizmit të Kishës Katolike. Pra, feja “është akti me të cilin njeriu e lëshon lirisht veten në dorë të Zotit”. Françesku kujtoi figurat e mëdha biblike, për të shpjeguar sesi njeriu lëshohet në dorë të Zotit. Abrahami, për shembull, është ati i madh i fesë, që e bëri besimin të frytshëm, si njeri që nuk ngurroi t'ia dhuronte të birin e vetëm, Isakun Zotit, deri në fund, kur Ati i gjithëpushtetshëm ia fali rishtas.
Frika, armiku i besimit
Françesku kujtoi, në vijim, Moisiun, si model për fenë, sepse njeri që asgjë nuk ia lëkundi besimin tek Zoti. Më pas është Virgjëra Mari e cila me po-në e saj “niset në një rrugë të cilës nuk ia njeh as shtigjet, as rreziqet”, por me një zemër plot fe e besim. Papa citon përsëri episodin ungjillor, në të cilin apostujt shohin Jezusin duke fjetur në mes të stuhisë. "Pse keni frikë? - u thotë Jezusi - A ju mungon ende feja?”.
“Ja pra, armikja e madhe e fesë: nuk është inteligjenca, e as arsyeja, si dikush, mjerisht, vazhdon ta përsërisë këmbëngulshëm, por armiku i madh i fesë është frika. Për këtë arsye, feja është dhurata e parë që duhet mirëpritur në jetën e krishterë: dhuratë që duhet mirëpritur e duhet kërkuar çdo ditë, që të lulëzojë në zemrat tona”.
Feja, dhuratë e Pagëzimit
“Çfarë kërkoni nga Kisha e Hyjit” - është pyetja që u bëhet prindërve kur duan ta pagëzojnë fëmijën. “Fenë! Pagëzimin!”- përgjigjen:
“Me këtë prindi e di se, edhe në mes të provave të jetës, fëmija i tij nuk do të tmerrohet nga frika. Këtu, armiku është frika. E di edhe se kur të mos i ketë prindërit mbi dhe, do të vazhdojë të ketë në qiell Zotin Atë, i cili nuk do ta braktisë kurrë. Dashuria jonë është tejet e brishtë! Vetëm dashuria e Zotit e mund vdekjen”.
“Feja - shton Papa - është dhurata më e lumtur, i vetmi virtyt që na lejohet ta kemi zili. E kjo, sepse ata që kanë fe, banohen nga një forcë që nuk është thjesht njerëzore; feja na 'nxit' hirin dhe na e hap mendjen për ta kuptuar misterin e Zotit." “Zot, shtonae fenë” - është lutja - “Një lutje e bukur”, që Papa Françesku u kërkoi besimtarëve ta përsërisin disa herë, duke e bërë të ushtojë Sallën e Palit VI, të mbushur përlot me shtegtarë.