Françesku kujton Benediktin XIII: njeri i përvuajtur, larg stileve të botës e karrierizmit

Mesazh i Françeskut për kremtimet dhe nismat në Gravina të Pulias, me rastin e treqindvjetorit të zgjedhjes së Pier Francesco Orsinit, Papa i fundit nga Italia jugore: "Të marrim shembull nga feja dhe kujdesi i tij për të varfërit". Mesha e Kardinalit Semeraro, në Bazilikë: "Shkroi 218 predikime mariane! Devocioni i tij për Virgjërën ishte aq i njohur, sa bashkëkohësit e quajtën ‘Kangëtari i Marisë’

R.SH. - Vatikan

“Njeri i lutjes, që vijoi t’i kalonte në uratë edhe tri ditët e para pas zgjedhjes; njeri i përulur, që kurrë nuk iu përshtat stileve të kësaj bote e as nuk iu nënshtrua joshjes së karrierës; "mik i të varfërve" për të cilët kishte   kujdes të veçantë; udhëzues i klerikëve kushtuar përtëritjes shpirtërore”. Papa Françesku e kujtoi kështu me fjalë lavdëruese figurën e Benediktit XIII - Pier Francesco Orsini (1650-1730), Papa i fundit nga Italia jugore, deri më sot. Pikërisht nga Gravina e Pulias, ku këto ditë po kremtohet me një sërë ceremonish dhe nismash përvjetori i tretë i zgjedhjes së “bashkëqytetarit” të shquar në fronin papnor (29 maj 1724).

Përvoja njerëzore dhe e krishterë

Mëngjesin 29 majit, në Bazilikën e Zojës së Ngjitur në Qiell, vend ku Papa i ardhshëm Benedikti XIII pati thirrjen e tij në meshtari dhe në jetën fetare si i ri, meshën e kremtoi kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve. Në përfundim të liturgjisë, Imzot Giuseppe Russo, ipeshkëv i Altamura-Gravina-Acquaviva delle Fonti, lexoi mesazhin e Papës, përmes të cilit Françesku u kërkonte të gjithë pjesëmarrësve në kremtimet e Vitit Orsinian "të marrin nga përvoja njerëzore dhe e krishterë e Papës Orsini, shembullin për përtëritjen rrugëtimin tonë”.

Shtatorja e Papës Benedikti XIII
Shtatorja e Papës Benedikti XIII

Kundër pozitave prestigjioze

Në mesazh, Françesku rikujton më pas jetën e paraardhësit të tij: "Personalitet i fesë dhe shpirt i mirë", i cili, megjithëse i parëlindur i një familjeje të lartë aristokratike, "pati guximin të linte gjithçka dhe të ndiqte Jezu Krishtin, duke hyrë në Urdhrin e Predikatarëve". Prandaj hoqi dorë nga "joshjet e një karriere tashmë të caktuar për të" dhe, si njeri i kushtuar,  i kundërshtoi postet e rëndësishme. Megjithatë, "një vit pas shugurimit të tij meshtarak, duke iu nënshtruar bindjes - kujton Papa - pranoi të hynte në Kolegjin e Kardinajve e, më pas, të emërohej Ipeshkëv i Sipontos së atëhershme".

Mjet për ringjalljen e Kishës

"Në vend që të rebelohej apo t’i përshtatej stilit botëror të kohës, ai kultivoi ëndrrën për t'u bërë bari i grigjës, duke e shndërruar, kështu, kundërshtimin e shpirtit, në mundësi" - nënvizon Françesku - "E kuptoi se Provania po i ofronte mundësinë të ishte mjet i urtë për të rilindur Kishën e shpirtrave”. Orsini ruajti gjithnjë në zemër “zjarmin e një rregulltari të devotshëm e të përvuajtur” e, në të tri dioqezat ku shërbeu (Manfredonia, Cesena dhe Benevento), “nuk i kurseu forcat për të kryer si duhet detyrat ipeshkvnore, duke i kushtuar vëmendje të madhe përtëritjes shpirtërore të klerikëve e duke shkuar për t’i takuar besimtarët”.

Dashuria e dhembshur për të tjerët

I pajisur me “inteligjencë largpamëse” e me  “kulturë të jashtëzakonshme”,   u shqua mbi të gjitha “për shqetësimin baritor dhe mirësinë e shpirtit”. Shpresa e Papës është që kjo trashëgimi shpirtërore të mund të ringjallë ndër besimtarët e Dioqezës së Gravinos "të njëjtën dashuri" që bashkëqytetari i tyre "kishte për Kishën dhe për të zgjedhurit e Ungjillit, të varfërit, duke ngjallur ndjenja dhembshurie e dashurie për të tjerët”. Në veçanti priftërinjve, Papa u beson "detyrën për ta kryer shërbimin meshtarak me të njëjtin frymëzim, që përflaku gjithë jetën e Papës Benediktit XIII. Ndaj i porosit: “Imitojeni fenë e tij, aromën e tij, gatishmërinë për të dhënë gjithçka nga vetja pa kursim, që të shenjtërojë zemrën tuaj”.

Papa Orsini
Papa Orsini

Përkushtim për Marinë

“Përkushtimi i madh që Orsini kishte për Nënën e Shenjtë”, qe aspekti  kryesor i kardinalit Semeraro në predikimin e tij. Bashkëkohësit - kujtoi predikatari - e patën quajtur Papën "këngëtar marian". “Duke ia dorëzuar shtypit predikimet e tij mariane të mbajtura të shtunë pas së shtune në katedralen e Benevento-s”, Benedikti XIII shkroi se “kishte bërë, nga maji 1686 - deri më 13 janar 1713, jo më pak se dyqind e tetëmbëdhjetë predikime” - kujtoi Semeraro.

Ndërsa kurorëzpnte figuren e Shën Marisë së Hireve, më 3 prill 1723, Papa puliez e përfundoi predikimin e tij të fundit marian me këto fjalë:"Ndërkohë, mbetet që ti, o Zojë e ëmbël të më shkruash në Librin e shërbëtorëve të tu, sepse në këtë mënyrë do të kem sigurinë se do të jem akoma i shkruar në Librin e Jetës së Amshuar... Dhe kështu shpresoj të jetë!".

Koncerte dhe nisma

Ndërmjet të pranishmëve në festimet - që nisën dje me koncertin  Oratorio për Shën Katerinën dhe do të përfundojnë nesër, 30 maj, me ngjarjen përkujtimore Habemus Papam - Jeta dhe vepra e një njeriu në shërbim të Zotit dhe të njerëzve - ishin edhe ipeshkvi i Altamura-Gravina-Acquaviva delle Fonti, Imzot Giuseppe Russo, Kryeipeshkvi i Nderit, Imzot Giovanni Ricchiuti dhe Imzot Saverio Paternoster, i angazhuar për kauzën e lumturimit të Benediktit XIII.

29 maj 2024, 15:27