Kërko

Françesku: paqja është artizanale. Kontribuojmë edhe ne, jo vetëm të pushtetshmit me traktate

Papa nënshkruan hyrjen e librit "Drejtësia dhe paqja do të puthen", botuar nga LEV dhe L'Arena në kuadër të vizitës në Verona, më 18 maj. Papa denoncon egoizmin, i cili "kur bëhet sistem personal dhe social, i hap dyert konfliktit" dhe kujton historinë e ushtarit Dallasega, që, si besimtar, nuk pranoi të vriste meshtarin veronez, don Domenico Mercante, peng i nazistëve. Të dy i vranë. “Është misteri i Pashkëve: dhuna dhe vdekja mposhten nga dhurimi i vetvetes”

R.SH. – Vatikan

“Paqja është artizanale: jo vetëm të pushtetshmit kontribuojnë për të me vendimet dhe traktatet e tyre ndërkombëtare, të cilat mbeten vendime politike të rëndësishme dhe urgjente, si kurrë më parë. Paqen e arrijmë ne, në shtëpitë tona, në familje, mes fqinjëve, në vendet ku punojmë, në lagjet ku jetojmë”. Kështu shkruan Papa Françesku, në një mesazh për qytetin e Veronës, në prag të vizitës baritore të së shtunës, 18 maj. Mesazhi s’është tjetër, veçse hyrja e librit "Drejtësia dhe paqja do të puthen", publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit LEV dhe nga gazeta veroneze L'Arena.

Veprat e mëshirës, rrugë drejt paqes

"Mund të kontirubojmë për paqen - vazhdon Papa - duke ndihmuar një emigrant që lyp në rrugë, duke vizituar një të moshuar që është vetëm dhe nuk ka me kë të flasë, duke shumëfishuar gjestet e kujdesit dhe të respektit për atë të varfër që është planeti Tokë, kaq i keqtrajtuar nga egoizmi ynë shfrytëzues, duke mirëpritur çdo fëmijë të palindur që vjen në botë, gjest që për Shën Nënë Terezën ishte vepër e vërtetë paqeje. Gurët e vegjël të mozaikut të paqes, nëse bashkohen, bëjnë një paqe të madhe, e cila e përhap aromën e saj kudo. Përmes këtyre vendimeve të përditshme për paqe dhe drejtësi, që gjithkush mund t’i marrë, mund të mbjellim fillimin e një bote të re - nënvizon Papa - ku vdekja nuk do ta ketë fjalën e fundit dhe jeta do të lulëzojë për të gjithë".

Nëse drejtësia mungon, paqja kërcënohet e anasjelltas

"Lidhja ndërmjet drejtësisë dhe paqes - kujton Papa në mesazhin e tij - është në qendër të vizitës, që do të bëj së shpejti në Verona. Drejtësia dhe paqja, uron psalmisti, do të puthen, domethënë do të bashkohen, ashtu siç ndodh për të dashuruarën me të dashurin e saj. Sepse ato janë përmasa shpirtërore dhe procese historike, që rrinë, ose bien së bashku: nëse drejtësia mungon, paqja kërcënohet; pa paqe, drejtësia është në rrezik. Dhe është më e vërtetë se kurrë që drejtësia, e kuptuar si virtyti që na nxit t’i japim çka i detyrohemi Zotit dhe të tjerëve, është e lidhur ngushtë me paqen, në kuptimin më autentik dhe më të mirëfilltë të fjalës hebraike shalom”.

Çdo lloj egoizmi është thellësisht i padrejtë

Siç e ka thënë shpesh, për Papën, paqe "nuk do të thotë aq mungesë lufte sesa plotësi jete dhe begati. E, vetëm me drejtësi mund të jetohet në ‘shalom’ e, është

vetëm paqja, që e bën të mundur drejtësinë. Kjo e fundit është shpesh një nga 'viktimat' e para të çdo konflikti, ndërsa paqja bëhet kusht për një shoqëri të drejtë. Të dyja këto dy përmasa njerëzore e kanë një çmim. Që është ai i luftës kundër egoizmit personal – çdo lloj egoizmi është thellësisht i padrejtë! Egoizmi, pra, vënia e ineresit vetjak para interesit të përbashkët, është i padrejtë, sepse e përjashton tjetrin dhe Zotin, e mënjanon dhe e kufizon në një plan dytësor. Egoizmi, kur bëhet sistem i jetës personale dhe shoqërore, hap dyert për konfliktin, sepse për të mbrojtur interesat vetjake (ose ato, që supozojmë si të tilla), jemi gati për çdo gjë, edhe për ta vënë përfund tjetrin, i cili nga i afërm bëhet kundërshtar dhe, për këtë arsye, armik. Për t’u poshtëruar, për t’u hedhur poshtë e për t’u mundur”.

Dhuna dhe vdekja mposhten nga dashuria dhe vetëflijimi

Papa Françesku kujton tri figura veroneze, filozofin Romano Guardini, lindur në brigjet e Adige-s dhe rritur në Gjermani, i cili, me reflektimet e tij, frymëzoi të rinjtë e “Trëndafilit të Bardhë”, që iu kundërvunë Hitlerit, duke e paguar me jetë; don Domenico Mercante-n, famullitar i kapur nga nazistët dhe ushtarin Lorenzo Dellasega, i cili refuzoi ta ekzekutonte, duke përfunduar "të dy, të vrarë barbarisht".

 “Në këtë rrethanë tragjike – komenton Papa – gjejmë kuptimin e thellë të flijimit të krishterë: dhënien e jetës për tjetrin, edhe me koston e jetës personale. Ky është misteri i Pashkëve të Krishtit: dhuna dhe vdekja mposhten nga dashuria dhe vetëflijimi. Ndoshta, nuk do të detyrohemi të derdhim gjak për të dëshmuar fenë tonë, ashtu siç ndodh në shumë pjesë të botës për shumë nga vëllezërit tanë të krishterë, por është në gjërat e vogla – përfundon mesazhi papnor – që jemi të thirrur të dëshmojmë për forcën paqësore të kryqit të Krishtit dhe për jetën e re, që lind prej tij: një gjest faljeje ndaj atyre që na kanë fyer, durim para shpifjeve të padrejta, ndihmë për të braktisurit”.

15 maj 2024, 14:33