Kërko

Konflikti Izrael- LIban-Palestinë Konflikti Izrael- LIban-Palestinë   (AFP or licensors)

Françesku: po paqes ndërmjet Palestinës dhe Izraelit. Jo luftës, po dialogut

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa përsëriti thirrjen për Lindjen e Mesme: "Të forcohet dialogu dhe të japë fryte të mira". Më pas kërkoi lutje për Ukrainën që "vuan kaq shumë" dhe u bëri urimet e tij të përzemërta Kishave Ortodokse dhe Lindore, të cilat, sipas kalendarit Julian, i festojnë sot Pashkët: "Zoti i ngushëlloftë të gjitha bashkësitë në sprovat e tyre". Afërsia me popullsinë e Rio Grande do Sul, Brazil, prekur nga përmbytjet shkatërruese

R. SH. - Vatikan

“Jo luftës, po dialogut!”

Vetëm disa rrokje shqiptoi sot Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, por që mjaftonin për të treguar rrugën e vetme të mundshme për Lindjen e Mesme të shkatërruar nga dhuna: dialogun. Ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, që Françesku shpreson se do të forcohet.

Fruta të mira

“Paqja qoftë me ta, që dialogu ndërmjet tyre të forcohet dhe të japë fryte të mira”.

Këto fjalë të Papës dëgjohen në ditët, kur vazhdojnë bisedimet ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, me ndërmjetës nga Egjipti dhe Katari, për ndërprerjen e dhunës në Gaza. Ka nga ata që mohojnë çdo përparim të dukshëm, ndërsa burimet arabe flasin për projekt-marrëveshjen "më të mirë", tashmë në tryezë, miratimi i së cilës mund të jetë i pashmangshëm. Papa Françesku, duke iu drejtuar besimtarëve, kërkon lutje që të mos zbehet kjo mundësi për dialog e cila, siç ka thënë edhe në shumë raste të tjera, në këtë kohë që po jeton bota është “domosdoshmëri”.

Lutje për Ukrainën, që vuan

E Papa kërkoi rishtas lutje për Ukrainën, të cilën e quajti përsëri “e martirizuar” nga vazhdimi i sulmeve ruse. Një nga më të fundit në Kharkiv, mbrëmë, me dronët kamikaze, që plagosën gjashtë civilë: tri gra, dy burra dhe një vajzë 8-vjeçare:

“Të vazhdojmë lutjet për Ukrainën e martirizuar… Po vuan shumë!”.

Urimet më të mira për Pashkë, Kishave Ortodokse dhe Lindore

Papa i dërgoi sot "me dashuri të madhe" urimet më të mira kishave ortodokse të Evropës Lindore dhe të Lindjes së botës të cilat, sipas kalendarit Julian, po i festojnë sot Pashkët me solemnitetin më të madh:

“Zoti i ringjallur i mbushtë të gjitha bashkësitë me gëzim e paqe dhe i ngushëlloftë ata që janë në provë. Të gjithëve, Gëzuar Pashkët!”.

Urimet e Papës u pritën me duartrokitje nga besimtarët në Shesh, ku valëviteshin flamuj e pankarta dhe ku grupe të rinjsh nga Italia dhe jashtë saj si dhe disa grupe muzikore nga rajone të ndryshme italiane e mbushën Sheshin me tinguj kryeveprash të njohura muzikore, para dhe pasi Papa të dukej në dritaren e Engjëllit:

“Ju falnderoj, që luajtët kaq mirë; shpresoj të vazhdoni të luani edhe pak” - u tha Jorge Mario Bergoglio duke folur lirisht, duke buzëqeshur dhe duke i përshndetur përzemërsisht me dorë muzikanët!

Afërsia me popullsinë e Rio Grande do Sul, prekur nga përmbytjet

Fytyra e Papës u ngrys kur, në thirrjet pas lutjes mariane, kujtoi popullsinë e shtetit të Rio Grande do Sul, në Brazil, prekur nga përmbytje të stuhishme. Që nga 2 maji, niveli i lumit, i cili përshkon kryeqytetin, e  tejkaloi nivelin e përmbytjeve, duke arritur në më shumë se 4 metra, niveli më i lartë në Guaíba që nga viti 1941, kur Porto Alegre pësoi përmbytjen më të keqe në historinë e tij. Përmbytjet kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 56 personave dhe zhdukjen e 70 të tjerëve dhe kanë shkatërruar qytete të tëra, duke detyruar më shumë se 17,000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Papa Françesku siguron lutjen e tij:

“Zoti i mirëpritët të shuarit, i ngushëlloftë familjarët dhe ata që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre”.

05 maj 2024, 13:36