Kërko

Françesku: të krishterët janë miq, armiq kemi shumë jashtë

Audiencë në Vatikan e Këshillit të Krishterë të Hong Kongut, organizatë ekumenike protestante. Papa kujton peshkopin ortodoks Zizioulas: "Thoshte se unitetin e kishave të krishtera do ta kemi në ditën e gjyqit të mbram, por ndërkohë duhet të lutemi dhe të punojmë së bashku". Kujtim i martirëve anglikanë, kremtuar nga Pali VI në Ugandë dhe koptëve, shkruar në martiriologun Romak: kemi dy Pagëzime: atë të ujit - e atë të gjakut!

R.SH. / Vatikan

Miq, janë të gjithë miq të krishterët, e jo armiq, që nuk mungojnë jashtë. Një tjetër thirrje për unitet dhe vëllazëri ekumenike nga Papa në audiencën e sotme, 22 maj, me Këshillin e krishterë të Hong Kongut, organizatë ekumenike e krishterë protestante, e themeluar në Hong Kong në vitin 1954. Françesku priti një delegacion anëtarësh në Pallatin Apostolik, përpara audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa u drejtoi një fjalim të shkurtër, në të cilin fillimisht shprehu mirënjohjen e tij "për këtë vizitë, ngushëllim i vërtetë":

“T’i shikosh të gjithë vëllezërit të bashkuar, vëllezër e motra të krishtera  bashkë”.

 Kujtimi i peshkopit Zizioulas

Papa Françesku e kujtoi "peshkopin e madh ortodoks", që ndërroi jetë më 2 shkurt 2023, teologun grek Zizioulas kur deklaronte se "ne do ta kemi unitetin e kishave të krishtera vetëm në ditën e gjykimit përfundimtar". Por ndërkaq - shtonte - duhet të lutemi së bashku dhe të punojmë së bashku”. Ja, kjo është rruga: "Punoni së bashku, sepse ne të gjithë besojmë në Jezu Krishtin; lutuni së bashku, lutuni për unitet".

Pagëzimi na bën të krishterë

Papa kujtoi më pas edhe fjalët e një patriarku tjetër të madh ortodoks të Kostandinopojës, Athenagorës, me prejardhje shqiptare, i cili kur u takua me Palin VI, pati thënë: “Të bëjmë një gjë: t’i mbledhim të gjithë teologët në një ishull, që të grinden njëri-me-tjetrin, ndërsa dhe ne të shkojmë përpara në paqe”. "Shumë e këndshme! Edhe e rëndësishme: kemi të njëjtin Pagëzim! Kjo na bën të krishterë" - nënvizoi Papa Françesku:

“Armiq, kemi shumë jashtë. Po ne jemi shoke! Armiku, jashtë; këtu, miq”. Të bashkuar nga martirët

“E vërtetë kur them armiq, sepse është realitet që na e ka thënë vetë Zoti: Kisha gjithmonë do të persekutohet”, shtoi Papa. “Martirizimi i fesë është gjithnjë i pranishëm në historinë e kishave tona. Gjithnjë…

Duke folur për martirët dhe duke kujtuar gjithmonë Palin VI, Ati i Shenjtë Françesku përmendi vizitën e Papës Montini në Ugandë, ku bëri homazhe për dëshmorët e 1885 dhe 1887 dhe gjithashtu për ata anglikane. "Gjë shumë e bukur" - komentoi Papa: Pali VI "foli për martirët katolikë dhe anglikane". Janë martirë". "Unë vetë, kur u martirizuan këta koptë " - shtoi Françesku duke kujtuar 21 burrat (20 egjiptianë dhe një ganez) të vrarë nga militantët e Daeshit në një plazh në Libi, “menjëherë thashë se janë martirët 'tanë', martirë për të gjithë".

Pikërisht për këtë Papa, vitin e kaluar, me rastin e takimit me kreun e kishës kopte-ortodokse, Tawadros II, deshi t'i shkruante koptët në Martirologun romak, si simbol i atij 'ekumenizmi të gjakut' që e pati predikuar që në fillimet e Papnisë.

“Janë dy pagëzime: njëri, që e kemi të gjithë - Pagëzimi që kemi marrë - tjetri, ai që Zoti e quan ‘Pagëzimi i gjakut’: martirizimi. E dimë të gjithë çfarë është martirizimi i shumë të krishterëve, që dhanë jetën për fenë”.

T’i lutemi Atit tonë së bashku

Një tjetër “faleminderit” nga Papa në fund të audiencës, së bashku me një kërkesë: “Do të doja ta thoshim të gjithë së bashku Atynën”.

22 maj 2024, 13:25