Kërko

 Lutja e Papës për fëmijët që vuajnë nga lufta Lutja e Papës për fëmijët që vuajnë nga lufta  (AFP or licensors)

Françesku: të marrë fund lufta, që është gjithnjë mizori. Fëmijët vuajnë!

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa kërkoi lutje për viktimat e pafajshme të konflikteve në Ukrainë, Palestinë, Izrael, Mianmar e vende të tjera në botë, duke shprehur dhimbjen për të vegjlit që "humbën buzëqeshjen", si ata të cilët i takoi disa ditë më parë. Françesku kujton edhe figurën e Don Giuseppe Rossi-t, shpallur “I Lum” në Novara e më pas ndalohet tek tragjedia, që tronditi Papua Guinenë e Re, ku 2 mijë njerëz gjetën vdekjen nga rrëshqitja e dheut.

R. SH. - Vatikan

Fëmijë, që nuk qeshin më, fëmijë që vuajnë, fëmijë në luftëra: Papa Françesku nuk mund ta harrojë mizorinë e konflikteve, as pasojat që bien mbi të pafajshmit. Ndaj përsëri, në përshëndetjet pas audiencës së përgjithshme, i kujtoi viktimat e vogla të dhunës në Ukrainë e në vende të tjera të botës: “Mendimi im shkon në Ukrainën e martirizuar. Dje prita djem dhe vajza që pësuan djegie e humbën këmbët për shkak të luftës. Lufta është gjithmonë mizore. Këta fëmijë duhet të fillojnë të ecin, të lëvizin me mjete artificiale. E kanë humbur buzëqeshjen, gjë shumë e keqe, shumë e trishtueshme, kur një fëmije i humbet buzëqeshja”.

Fëmijët vuajnë

Fjalët e Françeskut na kujtojnë të shtunën e kaluar, 24 maj, kur priti, në Vatikan, një grup fëmijësh ukrainas dhe palestinezë, ardhur në Romë me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve. Viktima të vogla të dhunës, fëmijë të gjymtuar, të cilët në ditën e festës kushtuar atyre, e përshëndetën Papën, të gëzuar, pavarësisht nga gjithçka tjetër, që ua rrëmbeu prej kohe buzëqeshjen! E Françesku, në audiencë, e shtrin vështrimin mbi të gjithë fëmijët e botës.

“Të lutemi për fëmijët ukrainas. Të mos harrojmë Palestinën, Izraelin, që vuajnë kaq shumë. E përfundimin e luftës! Dhe të mos harrojmë Mianmarin në luftë, ashtu si shumë vende të tjera. Fëmijët vuajnë, fëmijët vuajnë në luftë,  t'i lutemi Zotit të jetë pranë të gjithëve dhe të na japë hirin e paqes!”.

Përgjigje varfërisë së kohës sonë

Për Ukrainën Françesku foli në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve polakë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, duke i ftuar që, për t'iu përgjigjur varfërisë së kohës sonë, të shikojnë Kardinalin e Lum Stefan Wyszyński, primat i Kishës polake, dhe të mësojnë nga bujaria e tij për t'iu përgjigjur "varfërisë së kohës sonë, edhe asaj që pati shkaktuar lufta në shumë vende, veçanërisht në Ukrainë".

Kujtimi i të Lumit Giuseppe Rossi

Më pas Papa kujtoi edhe një prift, martir lufte, i vrarë "nga urrejtja kundër fesë ", Don Giuseppe Rossin, shpallur i lum të dielën e kaluar, më 26 maj, në Novara. Françesku e quajti "famullitar i zellshëm i bamirësisë", meshtar që "nuk e braktisi grigjën në periudhën tragjike të Luftës II Botërore, por e mbrojti deri në dhurimin e jetës. Dëshmia e tij heroike na ndihmoftë t'i përballojmë me guxim provat e jetës”- uroi Françesku - duke kërkuar “duartrokitje për të Lumin e ri”.

Afërsia me viktimat e rrëshqitjes së dheut në Papua Guinea e Re

Papa, më pas, i ftoi të pranishmit të luten për familjet dhe viktimat e rrëshqitjes së dheut, që shkatërroi Papua Guinenë e Re, një vend ku Françesku do të shtegtojë shtatorin e ardhshëm, sot në zi për 2. 000 të vdekur. Një fatkeqësi natyrore, rrëshqitja e dheut, e cila më 24 majin e kaluar goditi më shumë se gjashtë fshatra në një zonë malore, në pjesën qendrore të vendit:

“Zoti i ngushëlloftë familjarët, ata që kanë humbur shtëpitë e tyre si dhe popullin papuan që, në dashtë Zoti, do t'i takoj shtatorin e ardhshëm!”.

29 maj 2024, 13:21