Kërko

Papa priti në Vatikan drejtorin e përgjithshëm të Apostolikì Diakonia të Kishës së Greqisë, mitropolitin Agathanghelos Papa priti në Vatikan drejtorin e përgjithshëm të Apostolikì Diakonia të Kishës së Greqisë, mitropolitin Agathanghelos

Françesku: të rinjtë mund t'i bëjnë më vëllazërore lidhjet e katolikëve me ortodoksët

Papa takohet me Apostolikì Diakonia të Kishës së Greqisë dhe lëvdon nismat e kryera prej njëzet vjetësh së bashku me Komitetin Katolik për bashkëpunimin kulturor të Dikasterit vatikanas për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve. "Në këtë botë kaq të ndarë dhe konfliktuale", pohon ai, brezat e rinj "mund t’i thyejnë zinxhirët e pakënaqësisë, të keqkuptimit dhe të paragjykimit" ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse

R.SH. – Vatikan

Një lidhje 20-vjeçare me Komitetin Katolik për Bashkëpunim Kulturor të Dikasterit për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, vlerësuar nga Papa Françesku sot (16 maj), ndërsa priti në Vatikan drejtorin e përgjithshëm të Apostolikì Diakonia të Kishës së Greqisë, mitropolitin Agathanghelos. Organ kishtar i Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë, detyra e Apostolikì Diakonia është të kujdeset për planifikimin, organizimin dhe punën misionare e edukative të këtij Sinodi. Së bashku me mitropolitin, i pranishëm në audiencë edhe një delegacion nga Kolegji Teologjik i Athinës. Papa përfitoi nga rasti për t'i dërguar përshëndetjen e tij "plot dashuri vëllazërore, kryepeshkopit të Athinës dhe të gjithë Greqisë, Fortlumturisë së Tij Ieronymos, njeri me fe të thellë dhe bari i urtë", të cilin e pati takuar gjatë udhëtimeve të tij në Greqi. Ati i Shenjtë i shprehu mirënjohjen për mbështetjen "e veprimtarive që Apostolikì Diakonia dhe Komiteti Katolik për Bashkëpunimin Kulturor i promovojnë së bashku".

Nga audienca e sotme
Nga audienca e sotme

Të rinjtë shpresojnë në bashkimin, duke e ruajtur larminë

Françesku përmendi periudha të vështira, si për shembull, atë të krizës ekonomike që goditi Greqinë dhe atë të pandemisë, gjatë të cilave katolikët e ortodoksët "punuan së bashku për projekte me interes të përbashkët në nivelin kulturor dhe edukativ”, duke favorizuar "formimin kulturor, teologjik dhe ekumenik të brezave të rinj". Pikërisht të rinjtë, reflektoi Papa, mund ta bëjnë edhe më të ngushtë miqësinë ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve.

“Të rinjtë, të mbështetur nga shpresa e bazuar në fe, mund të thyejnë zinxhirët e pakënaqësive, të keqkuptimeve dhe të paragjykimeve, të cilat, për shekuj, i kanë mbajtur peng katolikët e ortodoksët, duke i penguar ta shohin njëri-tjetrin si vëllezër të bashkuar në larmi, të aftë për të dëshmuar dashurinë e Krishtit, sidomos në këtë botë kaq të ndarë dhe konfliktuale”.

Nga audienca e sotme
Nga audienca e sotme

Të ecim, të lutemi e të punojmë së bashku

Këtë verë, në Kolegjin Teologjik të Athinës, do të mirëpritet një grup studentësh katolikë, “të cilët do të fillojnë të njohin greqishten moderne, gjuhë e Kishës Ortodokse”. Nismë që Ati i Shenjtë e vlerësoi, duke shpresuar se mund të përsëritet.

“Duke ecur së bashku, duke punuar së bashku dhe duke u lutur së bashku, përgatitemi të marrim nga Zoti dhuratën e unitetit, e cila, si fryt i Shpirtit Shenjt, do të jetë bashkim dhe harmoni, pavarësisht nga ndryshimet e ligjshme”.

Kjo është rruga, që përvijoi Papa për marrëdhëniet katoliko-ortodokse, duke kujtuar, së fundi, një nga promovuesit më të mëdhenj të ekumenizmit dhe një nga teologët ortodoksë më të rëndësishëm e më me ndikim, Ioannis Zizioulas, peshkopin ortodoks, mitropolit i Pergamos së Patrikanës së Kostandinopojës, i cili u nda nga jeta më 2 shkurtin e vitit të kaluar.

16 maj 2024, 15:25