Papa: vetëvrasje dhe mbipopullim në burg, por mos iu dorëzoni dëshpërimit
R.SH. / Vatikan
"Jeta ia vlen gjithmonë të jetohet, ka gjithmonë shpresë për të ardhmen, edhe kur gjithçka duket se po shuhet". Gjatë vizitës së tij baritore në Verona, Françesku u takua me 592 të burgosur, së bashku me vullnetarë dhe oficerë të Policisë së Burgjeve në burgun Montorio, ku kohët e fundit - siç e kujtoi në fjalimin e tij - "disa njerëz, në një gjest ekstrem, hoqën dorë nga jeta". Ky është akt i tmerrshëm, të cilin mund ta nxisin vetëm dëshpërimi dhe dhimbja e padurueshme!
Mirëseardhja e Papës në burgun Montorio
Papa u mirëprit dhe u “përqafua”, mes këngëve, koreve dhe duartrokitjeve, nga përfaqësuesit e bashkësisë, Francesca Gioieni dhe Mario Piramide, përkatësisht drejtorë të Burgut Montorio dhe Policisë së Burgjeve. Takimi u mbajt në kopshtin e brendshëm të burgut, mbi muret e të cilit ishin vendosur tabelat shumëngjyrëshe të pritjes. Menjëherë pas takimit, Papa Françesku hëngri drekë me rreth njëqind të burgosur.
Jeta është dhuratë
“Ne nuk jemi material i dalë jashtë përdorimi!” - tha Papa - duke u bërë thirrje të gjithëve të mos e humbasin nga sytë “derën e shpresës”, sepse “nuk ka jetë njerëzore pa horizont”. Ftesa është që “të mos i dorëzohemi kurrë dëshpërimit” dhe ta konsiderojmë jetën e secilit si “dhuratë unike për ne dhe për të tjerët, veçanërisht për Zotin që nuk na braktis kurrë dhe di të na dëgjojë, të gëzohet, të qajë me ne”.
Duke iu përgjigjur dhuratave të marra nga të burgosurit - një kuti me mendime dhe paraqitjen vizuale të tyre në një mural - Françesku ua ktheu me një figure të Zojës me Krishtin Fëmijë, “portret butësie", " figurë e përbashkët si për të krishterët, ashtu edhe për myslimanët. Sepse Ajo, Nëna e Zotit, na bashkon të gjithëve!”.
Bekim i heshtur
Bekimi i heshtur i dhënë nga Françesku me respekt për njerëzit e të gjitha besimeve fetare është domethënës. "Zoti është një. Kulturat tona na kanë mësuar ta thërrasim me një emër a me një tjetër e edhe ta gjejmë në mënyra të ndryshme, por ai është i njëjti Atë i të gjithëve. Është një dhe nuk na braktis kurrë". “Zoti - shtoi Papa - ka tre virtyte: afërsinë, dhembshurinë dhe butësinë”. Me Të në krahun tonë, mund ta kapërcejmë dëshpërimin dhe ta jetojmë çdo çast si kohë e duhur për të filluar përsëri. Prandaj, në çastet më të këqija, të mos mbyllemi në vetvete: të flasim me Zotin për dhimbjen tonë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin për ta mbartur, mes shokëve në udhëtim dhe me njerëzit e mirë, që i gjejmë në krah. Nuk është dobësi të kërkosh ndihmë: ta bëjmë me përvujtëri dhe besim. Të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin, e të gjithë kemi të drejtë të shpresojmë, përtej çdo historie dhe çdo gabimi apo dështimi.
Fytyra e Krishtit
“Vend i njerëzimit të madh”, “një njerëzimi të sprovuar, ndonjëherë të lodhur nga vështirësitë, ndjenjat e fajit, gjykimet, keqkuptimet dhe vuajtjet, por në të njëjtën kohë plot forcë, ëndrra për falje, dëshira për shëlbim”. Ky është burgu sipas ipeshkvit të Romës, i cili nuk harroi t’i përshëndesë edhe të burgosurit, që e dëgjonin nga dritaret e qelive të tyre. Këtu, tha ai, "fytyra e Krishtit është e pranishme, fytyra e Zotit të mëshirës dhe faljes". Duke cituar një këngë piemonteze nga trupat alpine, Françesku më pas deklaroi se "në artin e ngjitjes, ajo që ka rëndësi nuk është të biesh, por të mos qëndrosh përdhe. Lejohet të shikosh njeriun nga lart-poshtë, vetëm për ta ndihmuar të ngrihet".
Jubileu, viti i ripërtëritjes dhe çlirimit
Mendimet shkuan tek Jubileu tashmë i afërt, “viti i pendimit, përtëritjes, çlirimit për të gjithë Kishën”: Një vit mëshire, për të hedhur barrët e së shkuarës dhe për të ripërtërirë shtysën drejt së ardhmes, në të cilën të festojmë mundësinë e një ndryshimi e, kur është e nevojshme, të jemi vetvetja a, për të mos e humbur horizontin e shpresës, të kthehemi me të vërtetë tek vetja!