Papa fëmijëve: "Shpirti Shenjt na shoqëron në jetë"

Pesëdhjetë mijë besimtarë ishin të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit për Meshën e Ditës Botërore kushtuar të vegjëlve. Në ditën kur Kisha kujton Trininë Shenjte, Françesku dialogoi me ta, duke kujtuar dashurinë e Atit dhe "të Jezusit, që fal gjithçka e gjithmonë". Së bashku me ta ai tha Falemimërinë, kërkoi lutje për paqe dhe shpalli Ditën e ardhshme Botërore të Fëmijëve, në shtator 2026.

R.SH. / Vatikan

Pesëdhjetë mijë besimtarë të pranishëm sot në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, për Meshën e Ditës Botërore kushtuar të vegjëlve. Papa flet me ta si një katekist ekspert dhe shpjegon, me fjalë të thjeshta, kuptimin e Trinisë Shenjte.  Në festën e Trinisë Shenjte, Papa Françesku dialogon me fëmijët nga mbarë bota, duke kujtuar dashurinë e Atit dhe "Jezusit që fal gjithçka dhe gjithmonë". Pastaj, së bashku me fëmijë Ati i Shenjtë reciton uratën 'Të Falemi Mari', kërkon të lutet për paqe në botë dhe shpall Ditën e ardhshme Botërore të Fëmijëve e cila do të mbahet për shtator të vitit 2026.

Një homeli e jashtzakonshme, ajo e Meshës së sotme të cilën Papa  ua drejtoi fëmijëve me gjuhën e tyre, në këtë ditë gjithashtu të jashtëzakonshme, Ditën e Parë Botërore të Fëmijëve!

Ati na krijoi, Jezusi na shëlboi, Shpirti Shenjt na shoqëron. Në ditën kur Kisha kujton Trininë Shenjte, Papa Françesku u shpjegon mijëra fëmijëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit për Ditën I Botërore kushtuar atyre, misterin e Zotit, një në tre vetë. E bën këtë  duke biseduar me fëmijët dhe duke u kërkuar përgjigje. "Ne jemi këtu për t'u lutur së bashku, për t'iu lutur Zotit A jeni dakord?", fillon ai, duke përsëritur se Ati Krijues "na do shumë" dhe na bën të rritemi.  

Përvujtëria e kërkimit të faljes nga Jezusi

“Jezus!” - thërrasin fëmijët kur Papa i pyet për emrin e Birit të Zotit. “T’i lutemi Jezusit që të na ndihmojë dhe të jetë pranë nesh”- porosit Françesku - sepse “Kur marrim kungimin, marrim Jezusin dhe Jezusi na i fal mëkatet”. Kjo ndodh “gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë” - kujton Papa - “i ndodh një burri a një gruaje me shumë mëkate”, “madje edhe  mëkatarëve më të shëmtuar”.

Mos e harroni këtë: Jezusi fal gjithçka, fal gjithmonë dhe ne duhet të kemi përvujtërinë për të kërkuar falje. “Më fal, o Zot, se gabova! Jam i ligësht. Jeta më ka krijuar vështirësi, por ti fal gjithçka. Do të doja ta ndryshoja jetën time, më ndihmo, të lutem!”.

Lumturia e fesë

Nuk është e lehtë - vazhdoi Papa - të shpjegojmë se kush është Shpirti Shenjt, që e kemi “brenda nesh”, sepse e marrim në Pagëzim dhe ndër Sakramente, e “na jep forcë, na ngushëllon në vështirësi”.  Shpirti Shenjt, përsëriti, është ai "që na shoqëron në jetë". E u kërkoi fëmijëve ta përsërisin atë pesë herë, përpara se t'u shpjegojë lumturinë e besimit.

Të dashur vëllezër e motra, djem e vajza, jemi të gjithë të lumtur sepse besojmë. Besimi na bën të lumtur. Besojmë në Zotin, që është - të gjithë së bashku - "Ati, Biri e Shpirti Shenjt".

Lutja Marisë për paqe

Të krishterët kanë edhe një nënë - "Marinë" - përgjigjen fëmijët, të cilëve Françesku u kërkon të luten duke e përshëndetur Marinë me të gjithë besimtarët:

 “Lutuni për prindërit, për gjyshërit, për fëmijët e sëmurë” - kërkoi Papa - “lutuni gjithmonë dhe, mbi të gjitha, për paqen, që të mos ketë luftëra”. “Çfarë po bënte Shpirti Shenjt?” pyeti përsëri Papa, përpara se të vazhdonte kremtimin e Meshës. "Ai na shoqëronte" përgjigjen fëmijët në kor.

Pas lutjes së Engjëllit të Zotit dhe monologut të regjisorit dhe aktorit fitues të Çmimit Oskar, Roberto Benigni, Françesku caktoi takimin për Ditën e dytë Botërore të Fëmijëve, e cila do të kremtohet në shtator 2026.

26 maj 2024, 13:19