Kard. Parolin në korrik, në Ukrainë, për shtegtimin në Shenjtëroren Berdychiv
R.SH. / Vatikan
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, do të shtegtojë në Ukrainë më 21 korrik. Papa e emëroi legat papnor për kremtimin përfundimtar të shtegtimit të katolikëve ukrainas të ritit latin, që do të zhvillohet në korrik, në Shenjtëroren mariane të Berdychiv
Lutjet për paqe
Shenjtërorja, në provincën e Zhytomyr, në perëndim të Kievit, është cak shtegtimesh, ku rrajnë besimtarë katolikë nga e gjithë Ukraina e edhe nga vende të tjera. Këto dy vitet e fundit shtegtarët kërkojnë veçanërisht ndërmjetësimin e Marisë, në mënyrë që së shpejti në vendin që është sulmuar prej më shumë se dy vitesh të arrijë paqja.
Kult shekullor
I besuar Karmelitëve të Zbathur, vendi i adhurimit u themelua si manastir nga vojvodi i Kievit, Yanush Tyshkevych, në vitin 1630, në shenjë mirënjohjeje për çlirimin nga tatarët. Themeluesi i dhuroi manastirit një ikonë të Nënës së Zotit Snizhna (Zoja e Borës), pikturuar në shekullin e 16-të. Nderimi i ikonës u përhap shpejt dhe një numër i madh besimtarësh dëshmuan se kishin pasur hire të veçanta me ndërmjetësimin e Marisë. Më 23 maj 1647, ipeshkvi latin i Kievit Stanislav Zaremba e miratoi këtë përkushtim dhe nderim popullor të ikonës së Nënës së Zotit të Berdychiv. Ishte fillimi i traditës së gjatë të shtegtimeve në Shenjtëroren e cila, me një vendim të Konferencës Ipeshkvnore të 27 tetorit 2011, mori titullin e Shenjtërores Kombëtare
Vizitat e mëparshme
Kjo do të jetë vizita e parë e Sekretarit të Shtetit në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus. Kardinali Parolin e vizitoi Ukrainën në qershor 2016 dhe mori pjesë në ngjarjet në Kiev me rastin e 30 vjetorit të rivendosjes së pavarësisë së Ukrainës, në gusht 2021.