Burgu Montorio i Veronës Burgu Montorio i Veronës  (© Quotidiano L'Arena)

Kuriozitet: puna e të burgosurve, protagoniste e vizitës së Papës

Nuk është vetëm dreka e djeshme me të burgosurit dhe punëtorët, që tregon vëmendjen e Papës Françesku për botën e burgut – e vëmendjen e botës së burgut, për Mysafirin e madh, i cili u ul me kënaqësi në të njëjtën sofër me njerëz që kanë humbur gjënë më të çmuar, lirinë!

R. SH. - Vatikan

Nuk është vetëm dreka me të burgosurit dhe punëtorët, që theksoi vëmendjen e Papës Françesku për “botën e burgut”, gjatë vizitës në burgun e Montorios, në Verona. Ati i Shenjtë, duke u ulur në sofër me të burgosurit, pa dhe vlerësoi edhe punën – e sidomos, dashamirësinë e tyre.

Katër mjeshtrat e kuzhinës nga Isola della Scala (Verona), përgatitën një drekë me bazë pilafin, gatuar me mish të freskët viçi e prodhime të ndryshme vendase. Buka dhe produktet e tjera dolën krejt të freskëta nga furra e burgut, sapo Ati i Shenjtë zuri kryet e vendit në këtë gosti të pashoqe! Me bukë e kripë e zemër! Por një bukë që nuk hahet shpesh. Ishte buka "Panta Rei" – a “Buka e Heraklitit”, zënë me brumin e thartë të krijuar në burg, që çdo ditë “ringjall” ndonjë të burgosur.

Por ka edhe më…

Të burgosurit i përshkruan Papës çaste nga jeta e tyre në këtë vend të padëshiruar, që mundohen ta bëjnë të paktën, të pranueshëm…

Shërbimi në në sallë u organizua nga të burgosurit, të cilët ndjekin shkollën e hotelit të burgut. Por edhe stolitë prej druri të vendosura në skenën “Arena di Pace 2024” ishin prodhuar në zdrukthtarinë që Ndërmarrja Sociale Reverse Cooperativa i përgatit në Burgun e Veronës që nga viti 2016.

Kolltuku, ku u ul Papa, ishte punuar me mjeshtri të rrallë nga tre të burgosur, që realizuan edhe kolltukët e vegjël anasht, si dhe platformat e ngritura. Objektet u realizuan duke përdorur dru nga mbetjet e prodhimit dhe nga një zinxhir furnizimi i kontrolluar, që të mund edhe të ripërdoret. Së fundi, 30 mijë hostet, që u përdoren gjatë Meshës në stadiumin Bentegodi, u prodhuan pikërisht në burgun e Castelfranco Emilia (Modena), përmes një projekti të Kooperativës Giorni Nuovi.

19 maj 2024, 12:25