Zonja Viola Amherd, Presidente e Konfederatës Zvicerane Zonja Viola Amherd, Presidente e Konfederatës Zvicerane   (Vatican Media)

Në audiencë tek Papa, Presidentja zvicerane

Pas bisedës me Françeskun, kryetarja e Konfederatës Zvicerane Viola Amherd pati edhe një takim në Sekretarinë e Shtetit, ku u fol për skenaret e krizave ndërkombëtare e, sidomos, për “zgjidhjen diplomatike, që çon në ndërprerjen sa më të shpejtë të qëndrimeve armiqësore”.

R. SH. - Vatikan

Rreth gjysmë ore, nga ora 8.35 deri në 9.00 të mëngjesit, për një bisedë me Françeskun, pastaj koha e zakonshme e bisedës në Sekretarinë e Shtetit me kardinalin Pietro Parolin dhe kryeipeshkvin Paul Richard Gallagher. Këto janë dy takimet e Presidentes së Konfederatës Zvicerane, Viola Amherd, në Vatikan.

Temat e bisedimit në Sekretarinë e Shtetit

Në veçanti, sipas një njoftimi për shtyp nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, liderja zvicerane bisedoi me Kardinalin Sekretar i Shtetit e Kryipeshkvin, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare për disa “probleme të natyrës ndërkombëtare, veçanërisht, për konfliktet në Ukrainë, në Izrael e Palestinë, si dhe për angazhimin e nevojshëm për të favorizuar paqen, në kërkim të një zgjidhjeje diplomatike, që i jep fund armiqësive sa më shpejt të jetë e mundur ".

Ndërmjet temave të trajtuara, ishte edhe ajo e projektit të rinovimit të Kazermës së Gardës Papnore  Zvicerane, “për të cilën - lexojmë në shënim – u nënvizua shërbimi bujar ndaj Papës dhe Selisë së Shenjtë”.

Dhuratat

 Presidentja Amherd i dhuroi Françeskut një pako me çokollata zvicerane, një CD me muzikë nga Carlos Gardel, një enë me gota qelqi me një riprodhim të malit Matterhorn dhe disa pulla zvicerane të vitit të lindjes së Papës.

E Papa, nga ana e tij, ai ia ktheu duke i ofruar një basoreliev prej bronzi me titull "Kujdesi i krijimit", vëllime dokumentesh papnore, një kopje e mesazhit të këtij viti për Paqen dhe librin Statio Orbis të 27 marsit 2020, redaktuar nga LEV.

04 maj 2024, 15:31