Papa me të moshuar Papa me të moshuar

Papa bën thirrje të mos braktisen të moshuarit

Në mesazhin e tij për Ditën IV Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, e cila do të kremtohet më 28 korrik, Papa Françesku i bën thirrje shoqërisë të mos i lërë vetëm të moshuarit, ndërsa këtyre të fundit u kërkon të mos pranojnë të plaken të vetmuar. "Plakja është shenjë bekimi," kujton ai, duke i nxitur të gjithë që, si Ruta në Bibël, të shpikin një të ardhme ndryshe për më të moshuarit

R.SH. – Vatikan

Para së gjithash kemi sigurinë se “Zoti nuk i braktis kurrë bijtë e tij”: këtë kujton Papa në mesazhin për Ditën IV Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, me temë “Në pleqëri, mos më braktis”, që u bë i ditur sot. Françesku vë në dukje se Hyji “vazhdon të na tregojë mëshirën e tij, gjithmonë, në të gjitha fazat e jetës dhe në çfarëdo gjendje jemi, edhe kur e tradhtojmë” dhe se “në Bibël, plakja është shenjë bekimi”. Por, ashtu si në shoqëritë e sotme, edhe në Shkrimin Shenjt, sidomos në psalme, gjejmë "frikën e braktisjes, veçanërisht në pleqëri dhe në kohë vuajtjesh".

 “Vetmia është shoqërues i hidhur i jetës” vëren Françesku, duke denoncuar shkaqet e braktisjes së të moshuarve në kontekste të ndryshme, nga vendet e varfra, ku të rinjtë emigrojnë duke lënë prindërit vetëm, në vendet në luftë ku “shumë të moshuar mbeten vetëm, shenja unike të jetës në hapësira ku mbretëron braktisja dhe vdekja”. Pa harruar vendet ku të moshuarit, sipas një “bindjeje të rreme”, dyshohen e akuzohen për “magji”, pasi u vjedhin energjitë jetike të rinjve. "Kjo mendësi duhet luftuar e çrrënjosur," nxit Papa, pasi bazohet mbi paragjykime, "nga të cilat na ka çliruar feja e krishterë", por që ende "ushqejnë konfliktin ndërmjet brezave, ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve".

Të mos vihen brezat kundër njëri-tjetrit

Edhe pa përmendur magjinë, akuza se të moshuarit i “vjedhin të ardhmen rinisë është tejet e pranishme kudo", vëren Ati i Shenjtë në mesazh. Për shembull, në shoqëritë më të përparuara dhe më moderne, ajo merr formën e "të moshuarve, të cilët u imponojnë një kosto të rinjve për ndihmën, që u nevojitet”. Por, kritikon Papa, “kundërvënia e brezave është mashtrim dhe fryt i helmuar i kulturës së konfliktit”, “një manipulim i papranueshëm”.

Nëse që në Psalme i lutemi Zotit të mos na braktisë në pleqëri, do të thotë se e kemi kuptuar, shpjegon Ati i Shenjtë, se “vetmia dhe refuzimi i të moshuarve nuk janë as të rastësishme dhe as të pashmangshme, por fryt i vendimeve - ekonomike, shoqërore dhe personale – të cilat nuk e njohin dinjitetin e pafund të çdo njeriu”. Dhe "më e keqja", vazhdon Françesku, është se pleqtë e kanë bërë të tyrin këtë realitet, nga i cili, ata vetë, përpiqen të fshihen.

Afirmimi i individualizmit

Shkaqe të tjera për braktisjen e të moshuarve janë kriza e vlerave të përbashkëta dhe afirmimi i individualizmit. “Familja, e cila është sfida e parë dhe më radikale kundër idesë se ne mund të shpëtojmë të vetëm, është një nga viktimat e kësaj kulture individualiste – vijon denoncimin Papa. - Por kur plakemi, ndërsa na pakësohet forca, del në pah mirazhi i individualizmit, iluzioni se nuk kemi nevojë për askënd dhe se jemi në gjendje të jetojmë pa lidhje” me të tjerët. Por kjo s’është tjetër, veçse vetmi dhe mënjanim, “elemente të zakonshme në realitetin, ku jemi zhytur”.

Atëherë, pyet Ati i Shenjtë, çfarë mund të bëjmë për ta ndryshuar këtë gjendje? Libri biblik i Rutës na jep një ide për veprim. Noémi, e moshuar, u kërkon dy nuseve të kthehen në vendin e tyre të origjinës, por "fjalët e saj janë pasqyrim i konvencioneve shoqërore dhe fetare, që duken të pandryshueshme dhe që ia shënojnë fatin", nënvizon Ipeshkvi i Romës. Orpa e pranon propozimin e vjehrrës, ndërsa Ruta e refuzon dhe rri me të. Duke vepruar kështu, "Ruta na mëson neve, neve që jemi mësuar me idenë se vetmia është fat i pashmangshëm, se thirrjes "mos më braktis", mund t'i përgjigjemi "nuk do të të braktis”. Për Françeskun, "të jetosh vetëm nuk mund të jetë alternativa e vetme".

Të ndjekim shembullin e Rutës

Që këtej, ftesa e Atit të Shenjtë për të ndjekur gjurmët e Rutës, për t'u nisur "me këtë grua të re e të huaj dhe me Noemin e moshuar", për të mos pasur frikë "të ndryshojmë zakonet tona dhe të imagjinojmë një të ardhme ndryshe për të moshuarit". Ruta u shpërblye, u bekua me një martesë të lumtur, me pasardhës dhe me tokë. Kjo vlen edhe për ne, pohon Françesku, sepse “duke u ndenjur pranë të moshuarve, duke u njohur rolin e pazëvendësueshëm që kanë në familje, në shoqëri dhe në Kishë, edhe ne do të marrim shumë dhurata, shumë hire, shumë bekime”.

Së fundi, Papa kërkon të mos i privojmë gjyshërit dhe më të moshuarit nga butësia, t’i vizitojmë ata që janë shkurajuar dhe nuk shpresojnë më në të ardhmen. “Qëndrimit egoist, që çon në refuzim dhe vetmi, t’i kundërvihemi me zemrën e hapur dhe me fytyrën e gëzuar të atij, që ka guximin të thotë ‘nuk do të të braktis’ dhe të ndërmarrë një rrugë tjetër”.

14 maj 2024, 13:40