Françesku: dëshmojini të rinjve se fjala "përgjithmonë" e dashurisë është e mundur
R. SH. - Vatikan
"Ju jeni lëvizje në zgjerim: mijëra ekipe të shpërndara nëpër botë, të shumta familjet që përpiqen ta jetojnë martesën e krishterë si dhuratë". Këto, fjalët e para me të cilat Françesku mirëpriti në audiencë liderët ndërkombëtarë të Equipes Notre-Dame. Ishin shprehje vlerësimi ndaj "punës së çmuar për Kishën" që kryen kjo lëvizje laike katolike në favor të familjes, realitet aktualisht në krizë. E vlefshme edhe për “tejkalimin e klerikalizmit” që e dëmton aq shumë. Papa pohon:
“Ju i shoqëroni nga afër bashkëshortët që të mos ndihen të vetmuar në vështirësitë e jetës dhe në marrëdhëniet e tyre martesore. Në këtë mënyrë jeni shprehje e Kishës ‘në dalje’, e cila afrohet me situatat dhe problemet e njerëzve dhe përpiqet pa rezerva për të mirën e familjeve të sotme dhe të nesërme”.
Martesa e krishterë, parë si thirrje
"Të kujdesesh për martesën" është mision i vërtetë - vijon Papa - mision, i cili përfshin të gjithë familjen, nga bashkëshortët, tek fëmijët; nga gjyshërit, tek nipërit e që, në veçanti "do të thotë të shpëtosh dëshminë e një dashurie të mundshme dhe të përjetshme, në të cilën të rinjtë nuk besojnë aq lehtë". Të ndihmosh të rinjtë "të zbulojnë se martesa e krishterë është thirrje", në themel të së cilës është hiri i Sakramentit, domethënë "dashuria e Krishtit, e bashkuar me atë të bashkëshortëve", për Papën sot "është urgjencë e madhe në gjithë Botën". Shpesh mendohet - vëren – se qëndrueshmëria e martesës “varet vetëm nga vullneti i njerëzve”, por “nuk është kështu”.
“Martesa është një "hap me tre drejtime", në të cilin prania e Krishtit ndërmjet bashkëshortëve e bën të mundur udhëtimin dhe zgjedha shndërrohet në lojë shikimesh: shikime ndërmjet dy bashkëshortëve, shikime ndërmjet bashkëshortëve dhe Krishtit. Është lojë që zgjat përjetë, në të cilën fitohet së bashku, nëse kujdeseni për marrëdhënien tuaj”. Kujdesuni për çiftet e reja
Ati i Shenjtë u propozon dy reflektime drejtuesve ndërkombëtarë të Lëvizjes Teams of Notre Dame: i pari ka të bëjë me çiftet e sapomartuara. “Kujdesuni për ta!”- i këshillon Papa – kanë nevojë “të zbulojnë fenë” brenda jetës së tyre në çift:
“Shumë sot martohen pa e kuptuar se çfarë lidhje ka feja me jetën e tyre bashkëshortore, ndoshta sepse askush nuk ua ka thënë këtë para dasmës. Ju ftoj t'i ndihmoni me një udhëtim ‘katekumena’- si të thuash - të rizbulimit të fesë, si personalisht, ashtu edhe në çift, në mënyrë që ata të mësojnë menjëherë t'i lënë vend Jezusit dhe, me Të, të jenë në gjendje të kujdesen për martesë”.
Angazhimi i kryer nga ekipi i Notre-Dame, krahas atij të priftërinjve në bashkësitë e krishtera, "është i çmuar", nënvizoi Françesku, për "të krijuar shumë kisha të vogla shtëpiake", si flakë të ndezura nga feja, duke filluar pikërisht nga çiftet më të reja. "Mos i lini të grumbullojnë vuajtje dhe plagë në vetminë e shtëpive të tyre – këshilloi Ati i Shenjtë - Ndihmojini të thithin oksigjenin e fesë".
Të martuar e meshtarë, së bashku për të kapërcyer klerikalizmin
Reflektimi i dytë ka të bëjë me "bashkëpërgjegjësinë ndërmjet bashkëshortëve dhe meshtarëve" dhe "qëndrimin" e tyre në gjirin e Lëvizjes, gjë që nxjerr në pah pasurinë dhe domosdoshmërinë e dy thirrjeve.
E Papa thekson:
“Kjo ndihmon për të kapërcyer atë klerikalizëm, që e bën Kishën më pak të frytshme - kini kujdes me klerikalizmin! E do t'i ndihmojë edhe bashkëshortët të zbulojnë se, me martesën, thirren në një mision. Edhe ata kanë dhuratën e edhe përgjegjësinë të ndërtojnë, së bashku me shërbëtorët e shuguruar, bashkësinë kishtare”.
Kjo porosia e fundit e Papës në bisedën me të rinjtë, pa harruar t’u kujtojë të bëjnë rrjet në familjet, për t’i shpëtuar nga vetmia, e të nënvizojë rëndësinë e "lutjes së bashku në familje", duke ia besuar misionin e tyre mbrojtjes së Virgjërës Mari!