Papa, Dita Botërore e Komunikimeve Shoqërore: Inteligjenca artificiale dhe urtia e zemrës
R.SH. - Vatikan
“Inteligjenca artificiale dhe urtia e zemrës: për një komunikim plotësisht njerëzor”: kjo, tema e zgjedhur këtë vit nga Papa Françesku për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që kremtohet më 12 maj.
Vendim i motivuar nga përparimi i shpejtë i inteligjencës artificiale, edhe në sektorin e komunikimeve shoqërore. Mund t'i orientojmë drejt së mirës ndryshimet që po ndodhin – pohon Papa në Mesazhin e rastit – duke punuar me veten, për një njerëzim të rinovuar, karakterizuar nga përshpirtëri më e thellë. Për këtë arsye, nevojitet një reflektim, që niset nga ‘urtia e zemrës’ dhe, pavarësisht nga shqetësimet e ligjshme, nga një siguri: makinat kanë aftësinë e madhe për të memorizuar dhe për t’i lidhur të dhënat me njëra-tjetrën, por është tipike për njeriun dhe për inteligjencën e tij deshifrimi i kuptimit të tyre.
Njeriu është përpjekur gjithmonë të kapërcejë kufij, por - kujton Papa – çdo fitore e tij mund të "ndotet nga tundimi fillestar për t'u bërë si Zoti pa Hyjin (shih Zan 3)". Është orientimi i zemrës ai që e përcakton ndryshimin, edhe në përdorimin e inteligjencës artificiale: të lehtësojë njohjen dhe shkëmbimin e informacionit apo të prodhojë një lloj “ndotje të njohurive”, me përhapjen e rrëfimeve të pavërteta mbi realitetin. Urgjenca e rregullave në përdorimin e sistemeve të Inteligjencës artificiale ndihet, veçanërisht, në botën e informacionit.
T’ia besosh përfaqësimin e realitetit makinave, në të vërtetë, mund të favorizojë mbizotërimin e një mendimi anonim të reduktuar "në një grumbull të dhënash të pasigurta", në dëm të së vërtetës, të pluralizmit, të komunikimit ndërpersonal dhe të vetë humanizmit tonë. Informacioni i vërtetë ndodh gjatë marrëdhënieve jetësore: ai përfshin trupin, realitetin, lidhjen e të dhënave dhe të përvojave... Vetëm duke e prekur me dorë, realiteti mund të kuptohet dhe të komunikohet. Përdorimi i Inteligjencës artificiale “mund të kontribuojë pozitivisht në fushën e komunikimit nëse nuk e anulon rolin e gazetarisë në këtë fushë, por, përkundrazi, e mbështet atë”. Vërejtja e Papës merr rëndësi edhe më të madhe nëse merret parasysh shumëfishimi i informacionit, përmbajtja e të cilit u besohet makinave.