Papa: do të gjykohemi për dashurinë, që na bën të aftë t’i duam edhe armiqtë
R.SH. / Vatikan
"Tani, pra, mbeten këto tri gjëra: feja, shpresa dhe dashuria. Por më e madhja nga të gjitha është dashuria": Shën Pali e shkruan këtë në Letrën e Parë drejtuar Korintasve. E dashuria, virtyti i tretë teologjik, është edhe tema e katekizmit të Papës Françesku, mbajtur sot në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit:
Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet me të madh, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk zemrohet, nuk e mban mend të keqen, nuk kënaqet nga padrejtësia, por gëzohet nga e vërteta. Gjithçka fal, gjithçka beson, gjithçka shpreson, gjithçka duron!”(1 Kor 13, 4-7).
Flitet shumë për dashurinë, por çka është dashuria?
Shën Pali i flet një bashkësie të krishterë që jeton duke u grindur e duke kundërshtuar. Disa pretendojnë - kujton - se kanë gjithmonë të drejtë, ndaj nuk ua vënë veshin të tjerëve, duke i konsideruar të pavlerë". Edhe gjatë kremtimit eukaristik vërehen përçarje - vijoi Papa - “e ka edhe nga ata që përfitojnë nga kjo për të ngrënë e për të pirë, duke i përjashtuar ata që nuk ngopen kurrë”:
Ndoshta të gjithë qenë të bindur se ishin njerëz të mirë dhe nëse do të pyeteshin për dashurinë, do të përgjigjeshin se për ta dashuria ishte padyshim një vlerë shumë e rëndësishme, ashtu si miqësia dhe familja. Edhe në ditët tona të gjithë e kanë në gojë dashurinë, të gjithë; është në gojën e shumë prej atyre, që quhen ‘influencer’ a ndikues e sidomos, në fjalët e shumë këngëve. Flasim shumë për dashurinë, por çfarë është dashuria?
Dashuria e Zotit është ajo që nuk merr, por jep
Pali Apostull ka frikë se ndërmjet të krishterëve të Korintit virtyti i dashurisë, ai që vjen nga Zoti, "nuk ka asnjë gjurmë". Druhet se ata dinë shumë pak për dashurinë e Zotit. Sepse e Zotit "nuk është dashuria që ngjitet, por ajo që zbret, jo ajo që merr, por ajo që jep". Agape ishte termi që përdorej për të shprehur dashurinë e krishterë, të ndryshme nga të gjitha dashuritë e tjera, si p.sh., dashuria e të dashuruarve, dashuria për atdheun, për njerëzimin…. Po është "një dashuri më e madhe - theksoi Papa - dashuri që vjen nga Zoti dhe i drejtohet Zotit" e, në të njëjtën kohë, na bën të aftë "ta duam të afërmin, ashtu si e do Zoti":
Kjo dashuri, për shkak të Krishtit, na shtyn atje ku si njerëz nuk do të shkonim kurrë: është dashuri për të varfërin, për atë që nuk është i dashur, për ata që nuk na duan dhe nuk janë mirënjohës. Dashuri për atë, që askush nuk do ta donte; edhe për armikun. Për armikun! Kjo është "teologale", kjo vjen nga Zoti, është vepër e Shpirtit Shenjt në shpirtin tonë.
Fjala 'dashuri' është në buzët e shumë influencuesve, por e vërteta është dhuratë
“Në ditët e sotme dashuria është në buzët e shumë ‘influencers’, edhe në refrenet e shumë këngëve - kujtoi akoma Papa në audiencën e sotme të përgjithshme të së mërkurës. “Po dashuria tjetër? - pyeti Papa - “Jo dashuria që lartohet, por ajo që zbret; jo ajo që merr, por ajo që jep; jo ajo që duket, por ajo që fshihet” - shtoi për të na kujtuar, në vijim se:
“Natyra jonë njerëzore na bën të duam vetvetiu atë që është e mirë dhe e bukur”.
Në emër të një ideali apo të një dashurie të madhe ne mund të jemi edhe bujarë, aq sa të kryejmë akte heroike. Por dashuria e Zotit shkon përtej këtyre kritereve. Dashuria e krishterë do të padashurin, fal anmikun, bekon atë që mallkon. Është dashuri aq e guximshme, sa duket pothuajse e pamundur, por është e vetmja gjë që do të mbetet prej nesh.
Është "dera e ngushtë" nga e cila duhet të kalojmë për të hyrë në Mbretërinë e Zotit, sepse në mbrëmjen e jetës nuk do të gjykohemi nga dashuria në kuptimin e përgjithshëm, por pikërisht nga ajo që ka një kuptim të vetëm.
Dashuri edhe për armikun
Në Predikimin mbi Mal, Jezusi e përshkruan këtë dashuri, duke treguar dallimin e saj nga dashuria për të cilën janë të aftë edhe mëkatarët:
“Nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë prisni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet”.
I krishteri duhet t'i dojë të gjithë, pa pritur ta duan e pa interes. T’i dojë miq e armiq! T'i kujtojmë gjithnjë këto fjalë - nënvizoi Papa:
Duajini armiqtë tuaj, ndihmojini dhe jepuni hua, pa pritur t’jua kthejnë. Dashuria e krishterë përqafon atë që nuk duhet, fal – kë nuk mund të falet - sa e vështirë është të falësh: sa dashuri duhet! Dashuria e krishterë i bekon ata që mallkojnë, ndërsa ne, kur na fyejnë a na mallkojnë, jemi mësuar të përgjigjemi me një fyerje tjetër edhe më të rëndë, me një mallkim tjetër. Është një dashuri aq e guximshme, sa duket pothuajse e pamundur, por është e vetmja gjë që do të mbetet nga ne.
Në fund do të gjykohemi për dashurinë
Dashuria është ‘dera e ngushtë’ përmes së cilës kalohet për të hyrë në Mbretërinë e Zotit” - kujtoi në përfundim të katekizmit Françesku. Në mbrëmjen e jetës do të gjykohemi pikërisht për këtë dashuri, pra për bamirësinë. Në muzgun e jetës do të dëgjojmë zërin e Jezusit, që na kujton:
“Në të vërtetë po të them se gjithçka i bëre njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma bëre mua”.