Papa: Eukaristia, përgjigjja e Zotit ndaj urisë së thellë të zemrës njerëzore
R.SH. / Vatikan
“Eukaristia është përgjigja e Zotit ndaj urisë më të thellë të zemrës njerëzore, ndaj urisë për jetën e vërtetë: në Eukaristi vetë Krishti është me të vërtetë mes nesh për të na ushqyer, ngushëlluar dhe mbështetur në udhëtimin tonë”. Nëpërmjet faqes së tij @Pontifex, në nëntë gjuhë dhe me miliona ndjekës, Papa Françesku kujton solemnitetin e Korpit të Krishtit që kremtohet në Vatikan dhe në vende të tjera sot, më 30 maj.
Më 2 qershor Mesha në Shën Gjonin në Lateran, në Romë
Më 2 qershor 2024, në orën 17:00, Papa Françesku do të kremtojë Meshën e festës së Korpit të Krishtit në Katedralen e Shën Gjonit në Lateran, në Romë. Në mbarim të Meshës, Ati i Shenjtë Françesku do t’i prijë procesionit solemn Eukaristik nëpër udhë të Romës nga Bazilika e Lateranit e deri në bazilikën liberiane të Zojës së Madhe (Santa Maria Maggiore), ku procesioni do të mbyllet me Bekimin Eukaristik. Kështu, Papa argjentinas vijon me traditën e inauguruar nga Gjon Pali II dhe të vazhduar nga Benedikti XVI.
Kremtimi i festës së Korpit të Krishtit merr një domethënie tejet të rëndësishme për besimtarët e krishterë, sepse na fton ta dëshmojmë fenë në praninë reale të Jezu Krishtit në të Shenjtueshmin Sarkament të Eukaristisë edhe nëpër udhë të qytetit. “Jezusi na dhurohet në Eukaristi, ofron vetveten si ushqim shpirtëror, që mbështet jetën tonë”: kështu shkruan Ati i Shenjtë Françesku në platformën e rrjetin social X.
Eukaristia e bën njeriun një gjë të vetme me Jezusin e, mbi gjurmët e Krishtit, e shndërron në dhuratë për të tjerët, në mjet për unitetin e familjes njerëzore. Këtë na mëson Kisha, posaçërisht në kremtimin e Solemnitetit të ‘Corpus Domini’ – ‘Korpit të Krishtit’, që pohon besimin në praninë reale të Jezu Krishtit në të Shenjtueshmin Sarkament, festë që kremtohet sot në Vatikan e të dielën e ardhshme në të gjitha Kishat katolike në mbarë botën, duke u mundësuar besimtarëve një pjesëmarrje sa ma të madhe.
Papa e lartëson vlerën e pafund të Eukaristisë, si komunikim i drejtpërdrejtë ndërmjet Zotit dhe njeriut, duke e lidhur atë me konceptin e urisë. Kështu Papa pati pohuar në predikimin e festës së Korpit të Krishtit të vitit 2020, mbajtur në Bazilikën e në Shën Pjetrit, në Vatikan, kur nënvizoi se Eukaristia “na zgjon nga jeta jonë e rehatshme, duke na kujtuar se nuk jemi vetëm gojë për të ushqyer, por jemi edhe duart e Zotit për të ushqyer të tjerët. Prandaj sot është urgjente të kujdesemi për ata që janë të uritur për ushqim dhe për dinjitet, për ata që nuk punojnë dhe mundohen për të ecur përpara. E vërtet duhet të veprojmë në mënyrë konkrete, ashtu siç është konkrete Buka që na jep Jezusi”. “Kemi nevojë për afërsi konkrete, kemi nevojë për zinxhirë të vërtetë solidariteti”, shton Papa Françesku duke nënvizuar se, “Jezusi në Eukaristi na afrohet, prandaj të mos i lëmë të vetëm ata që janë pranë nesh!”.
Kremtimet e viteve të kaluara
Uria, por edhe etja, ishin në qendër të predikimit të vitit 2021 kur Papa pati theksuar se "për të kremtuar Eukaristinë duhet së pari të njohim etjen tonë për Zotin: të ndjejmë nevojë për Të, të dëshirojmë praninë dhe dashurinë e tij, të jemi të vetëdijshëm se nuk mund t’ia dalim të vetëm, sepse ne kemi nevojë për Ushqimin dhe për Pijen e jetës së amshuar që na mbështesin në udhëtimin e jetës sonë njerëzore. Drama e sotme është se etja shpesh është shuar – vëren Papa i Romës. – Janë shuar pyetjet për Zotin, dëshira për Të është zbehur, po bëhen gjithnjë e më të rrallë kërkuesit e Hyjit, sepse nuk e ndiejmë më etjen tonë të thellë. Por vetëm aty ku ka një burrë ose një grua me një enë uji - mendoni për gruan samaritane, për të cilën na rrrëfen Ungjilli, për shembull - Zoti mund të shfaqet si Ai që jep jetë të re, që ushqen ëndrrat dhe aspiratat tona me shpresë të besueshme, sepse Ai është prani dashurie që i jep kuptim dhe drejtim shtegtimit tonë tokësor”.
“Adhurimi Eukaristik gjen pohimin e tij kur ne kujdesemi për të afërmin, siç bën Jezusi: rreth nesh ka uri për ushqim, por ka edhe uri për prani, ngushëllim, miqësi, humor të mirë, vëmendje”, nënvizoi Françesku gjatë katekezës mbajtur gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit në festën e Koprit të Krishtit më 2022, në Sheshin e Shën Pjetrit. “Ka një uri për t'u ungjillëzuar. Këtë e gjejmë te Buka Eukaristike: vëmendja e Krishtit ndaj nevojave tona, dhe ftesa që na drejtohet për të bërë edhe ne të njëjtën gjë ndaj atyre që na rrethojnë. Duhet të hamë dhe t’u japim të tjerëve për të ngrënë”.
Festa e Korpit të Krishtit u themelua nga Urbani IV në vitin 1264
Po kujtojmë se festa e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit u themelua nga Papa Urbani IV në vitin 1264, pas mrekullisë së Bolsenës. Ishte viti 1263 kur një prift bohem, në shtegtim drejt Romës, u ndal të kremtonte meshën në këtë qytezë laciale. Me dyshime për praninë e vërtetë të Jezusit në Eukaristi i kërkoi Zotit një shenjë: pa pritur disa pika gjak rrodhën nga hostja e shuguruar, duke lagur korporalin, që akoma sot, ruhet në Duomon e Orvietos.