Kërko

Papa, famullitarëve: të jeni etër të vërtetë, vlerësojini laikët e bëjeni Kishën misionare

Në një letër drejtuar meshtarëve, që morën pjesë në Takimin “Famullitarët për Sinodin", Françesku përvijon tri rrugë për t’u ndjekur: të shihen farat e Shpirtit Shenjt te besimtarët, të përdoret shoshitja komunitare dhe të ruhet bashkimi ndërmjet meshtarëve dhe ipeshkvijve: “Kisha e impenjuar në Sinod ka nevojë për famullitarë, duhet t'ju dëgjojmë për të ecur përpara”

R.SH. – Vatikan

         Është letra e një babai, që i njeh betejat e bijve të vet dhe i inkurajon ata të ecin përpara për të mirën e Kishës dhe të misionit në të cilin janë thirrur. Është letra e Papës Françesku për rreth 300 pjesëmarrësit në Takimin "Famullitarët për Sinodin", organizuar në Romë nga 29 prilli deri më 2 maj nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit, nga Dikasteri për Klerin, në bashkëpunim me Dikasteret për Ungjillëzimin dhe për Kishat Lindore. Papa, i cili i priti sot famullitarët në audiencë në Vatikan, duke u dorëzuar letrën, shpreh në të mirënjohje dhe nderim për ata, që shërbejnë si në Kishat periferike, ashtu edhe në Kishat e mëdha, si në ato të lashtat, me besimtarë gjithnjë e më të moshuar, ashtu edhe në ato, që lindin nën një pemë të madhe ku cicërima e zogjve përzihet me këngën e fëmijëve.

Famulli sinodale për një Kishë sinodale

Françesku kujton se Kisha sinodale ka nevojë për famullitarë sinodalë. “Famulli - nënvizon Papa - me dishepuj misionarë, që largohen dhe kthehen plot gëzim; bashkësi, që duhen shoqëruar me lutje, shoshitje e zell apostolik”. Ati i Shenjtë u sugjeron famullitarëve tri rrugë për këtë: të shihen farat e Shpirtit Shenjt te besimtarët, të përdoret shoshitja komunitare dhe të ruhet bashkimi ndërmjet meshtarëve dhe ipeshkvijve. Është urgjente, shkruan Françesku, të zbulohen, të inkurajohen dhe të vlerësohen karizmat, që Shpirti Shenjt u jep laikëve, “burra dhe gra, me kaq shumë potenciale të çmuara”. Françesku fton të praktikohet metoda e “bashkëbisedimit në Shpirtin Shenjt”, që shkon “përtej planifikimit të thjeshtë të veprimtarive”, pasi e mban të hapur çdo diskutim për dikimin hyjnor. Fjala tjetër kyçe në letrën e Papës është vëllazërimi ndërmjet meshtarëve dhe ipeshkvijve. “Ne nuk mund të jemi etër të vërtetë nëse nuk jemi, para së gjithash, bij dhe vëllezër”. “E di mirë – vëren Ati i Shenjtë - se në mesin e detyrave të shumta baritore, ky impenjim mund të duket i tepërt, ose humbje kohe, por, në realitet, është e kundërta: në fakt, vetëm të bashkuar jemi të besueshëm".

Misionarë të sinodalitetit

Në përfundim, Françesku u kërkon famullitarëve t’i kushtojnë vëmendje seancës së dytë të Asamblesë XVI të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, e cila do të mbahet tetorin e ardhshëm, për t'u bërë misionarë të sinodalitetit edhe në shërbimin e tyre të përditshëm. Duhet dëgjuar zëri i meshtarëve, thekson Papa, në mënyrë që kontributi i tyre në Sinod të jetë gjithnjë e më vendimtar.

02 maj 2024, 10:55