Françesku, festivalit të Ekonomisë: 'kërkoni rrugë të përbashkëta para pabarazive të theksuara"

Papa, Festivalit të Ekonomisë, 'kërkoni përvujtërisht rrugë të përbashkëta, sepse sot duhet t’u jepet urgjentisht përgjigje largpamëse pabarazive të theksuara!".

R.SH. / Vatikan

Është urgjente gjetja e “përgjigjeve të reja dhe largpamëse” për mbrojtjen e krijimit, për të luftuar varfërinë dhe për të realizuar “zhvillimin integral të popujve”. Papa Françesku, në një mesazhin për edicionin e 19-të të Festivalit Ekonomik të Trentos, në Itali, na nxit të përballemi me "tragjeditë e sotme" për të arritur "harmoninë ndërmjet popujve, harmoninë sociale, vëllazërinë universale dhe veçanërisht të ardhmen e brezave të rinj". .

"Asnjëherë më parë njeriu nuk ka dëshiruar më shumë të mirën kryesore, paqen, të cilën bota duket se e ka harruar - nënvizon Papa - Ne perceptojmë krizë vlerash dhe zbehje idealesh; jemi përballë përparimit të përhapur të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, që po i ndryshojnë vizionet tona antropologjike! Jemi dëshmitarë të ndryshimeve klimatike dhe situatave të pabarazisë së theksuar ekonomike dhe sociale, të cilat na kujtojnë urgjencën e gjetjes së përgjigjeve të reja dhe largpamëse për mbrojtjen e Tokës sonë, për luftën kundër varfërisë dhe zhvillimin e gjithanshëm  të popullit”.

Duke kujtuar se temat e trajtuara në Festivalin Ekonomik të Trentos janë "veçanërisht të dashura për të", Papa Françesku fton për një "reflektim të përbashkët dhe të përgjegjshëm nga ana e të gjithë atyre që e kanë për zemër të ardhmen e njerëzimit".

“Skenari aktual, për fat të keq, nxjerr në pah - vëren - disa çështje kritike të cilat, në nivele të ndryshme, rrezikojnë të kërcënojnë bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve dhe mirëqenien e krijimit; ka pyetje dhe paqartësi të shumta me të cilat jemi thirrur të ballafaqohemi, ndërkohë që vijojnë problemet dhe dalin dilema me rëndësi epokale”.

Për Papën, “duke kapërcyer tundimin e sipërfaqësisë dhe të vetëvlerësimit që na bën të mbyllur dhe të ngulitur në pozicionet tona, është e nevojshme të përballemi me historinë, mësuesen e jetës, të dialogojmë me sinqeritet duke vënë në qarkullim aftësitë e ndryshme dhe ndjeshmërinë e duke kërkuar me përvujtëri rrugë të përbashkëta për zhdukjen e tragjedive të sotme, në mënyrë që të bëhen zgjedhje themelore për harmoninë ndërmjet popujve, harmoninë shoqërore, vëllazërinë universale e, në veçanti, të ardhmen e brezave të rinj”.

24 maj 2024, 12:26