Kërko

Takimi i Papës me meshtarët Takimi i Papës me meshtarët

Papa Françesku famullitarëve: “të jeni misionarë sinodaliteti”

Papa u jep një mandat famullitarëve, duke pasur parasysh sesionin e dytë të asamblesë XVI të përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve: “Gjallëroni reflektimin për rinovimin e shërbesës së famullitarit në aspektin sinodal dhe misionar, duke promovuar çaste për bashkëbisedime në Shpirtin Shenjt ndërmjet priftërinjve të famullisë, në prezencë ose online, duke përfituar nga mundësia e ndonjë takimi të organizuar tashmë, ose duke organizuar enkas një të tillë”

R.SH. – Vatikan

Pas letrës dhe takimit të mbajtur në Romë javën e kaluar, Papa u dha një mandat famullitarëve, duke pasur parasysh sesionin e dytë të asamblesë XVI të përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet në tetor.

"Kam diçka për t’ju kërkuar juve, që keni ardhur këtu, duke përfaqësuar famullitarët nga e gjithë bota: kemi nevojë – u tha Françesku - për ndihmën tuaj që të vazhdojmë të dëgjojmë zërin e famullitarëve, në prag të Sesionit të Dytë të Asamblesë së Sinodit të Ipeshkvijve”.

“Ky takim – nënvizoi Ati i Shenjtë - ishte shumë i rëndësishëm, por nuk mjafton: duhet të bëjmë më shumë, nëse duam që një numër gjithnjë e më i madh meshtarësh të hyjë në dinamizmin sinodal. E këtë nuk mund ta bëjë vetëm Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit dhe Dikasteret e Kuries Romake, që e organizuan këtë takim. Kjo është arsyeja pse ju kërkoj sot të bëheni misionarë të sinodalitetit me vëllezërit tuaj famullitarë, pasi të ktheheni në shtëpi: duke gjallëruar reflektimin për rinovimin e shërbesës së famullitarit në aspektin sinodal dhe misionar, duke promovuar çaste për bashkëbisedime në Shpirtin Shenjt ndërmjet priftërinjve të famullisë, në prezencë ose online, duke përfituar nga mundësia e ndonjë takimi të organizuar tashmë, ose duke organizuar enkas një të tillë”.

Pastaj, Papa kërkon "të informohet Sekretaria e Sinodit për frytet e këtyre takimeve, duke ndjekur këshillat që do t'ju jepen. Pas kthimit në shtëpi, bisedoni për këtë ide me ipeshkvijtë tuaj dhe me Konferencat Ipeshkvnore, duke thënë se është detyrë që jua ka dhënë Papa”.

09 maj 2024, 13:25