Avioni Papnor Avioni Papnor 

Papa Françesku në Belgjikë e në Luksemburg, shtatorin e ardhshëm

Salla e Shtypit e Vatikanit konfirmon shtegtimin e Papës në fund të verës dhe, më pas, në Azi dhe Oqeani. Në Luksemburg, më 26 shtator dhe në Belgjikë nga 26 deri më 29 të muajit, Papa do të vizitojë Brukselin, Leuvenin dhe Louvain-la-Neuve.

R. SH. - Vatikan

Muaji shtator, i cili do të hapet me shtegtimin e madh në Indonezi, Papua Guinea e Re, Timor-Leste dhe Singapor, do të përfundojë me një tjetër udhëtim ndërkombëtar për Papën Françesku: Belgjikë dhe Luksemburg. Salla e Shtypit e Vatikanit e konfirmoi vizitën e Papës në dy vendet evropiane nga 26 deri më 29 shtator.

“Duke mirëpritur ftesën e Krerëve përkatës të Shteteve dhe autoriteteve kishtare, Ati i Shenjtë Françesku do të bëjë një shtegtim apostolik në Luksemburg, më 26 shtator dhe në Belgjikë, nga data 26 deri më 29 shtator: në Bruksel, Leuven dhe Louvain-La-Neuve”, lexojmë në shënimin e Vatikanit, ku saktësohet: “Programi i udhëtimit do të publikohet në kohën e duhur”.

Vetë Papa foli për udhëtimin në Belgjikë gjatë një interviste me transmetuesin meksikan N+ në dhjetor 2023. Duke kujtuar shtegtimin e anuluar në Dubai për shkak të bronkitit dhe udhëtimet e mundshme në të ardhmen, Françesku shpjegoi se, ndërsa udhëtimet e tjera janë ende në studim, ai në Belgjikë është "i sigurt".

20 maj 2024, 13:31