Kërko

Papa Françesku takon meshtarët e Romës deri me 10 vjet shugurim

Çast i përzemërt dëgjimi dhe dialogu pasditen e sotme (29 maj) në Shtëpinë e Dishepulleve të Devotshme të Mësuesit Hyjnor, në Romë

R.SH. – Vatikan

         Sot (29 maj), në orën 15.30, Papa Françesku shkoi në Shtëpinë e Motrave Dishepulle të Devotshme të Mësuesit Hyjnor në Romë, ku u takua me meshtarët e dioqezës, që kanë deri në 10 vjet shugurim. Morën pjesë rreth nëntëdhjetë priftërinj, në praninë e ipeshkvit Baldo Reina, mëkëmbës i dioqezës së Romës dhe të ipeshkvit Michele di Tolve, delegat i sektorit për kujdesin e diakonatit, klerit dhe jetës rregulltare. Pas takimit të 14 majit me meshtarët më të moshuar të dioqezës ku është ipeshkëv, Ati i Shenjtë vijon ta dëgjojë klerin. Takimi i tretë i këtij lloji do të mbahet pasditen e së martës 11 qershor, kur Papa do të bisedojë me meshtarët nga viti i njëmbëdhjetë deri në vitin e tridhjetë e nëntë të shugurimit, në Sallën kryesore të Universitetit Papnor Salezian. Këto takime mbahen zakonisht me dyer të mbyllura dhe i japin mundësi Françeskut të dëgjojë drejtpërdrejt meshtarët e vet, duke u bërë ai vetë i pari shembull për këshillën, që i jep gjithnjë klerit, kudo ku shkon: të krijohen marrëdhënie të mira ndërmjet ipeshkvit dhe meshtarëve, si edhe ndërmjet njëri-tjetrit.

         “Ky takim – vëren imzot Reina – konfirmon vëmendjen e Atit të Shenjtë ndaj meshtarëve, të cilët i ka takuar në sektorë të ndryshëm, nëpërmjet prefektëve; të gjithë së bashku, më 13 janarin e kaluar, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran; e tani, po vazhdon me grupe presbiterësh të ndarë sipas vitit të shugurimit. Është shenjë shumë e bukur vëmendjeje, dëgjimi dhe diskutimi për çështje me natyrë baritore dhe ekzistenciale”.

         “Në takimin e sotëm, – shpjegon imzot di Tolve – Papa bisedoi me meshtarët më të rinj të dioqezës, të paktën nga pikëpamja e datës së shugurimit. Nëse është e vërtetë që një prift bëhet i tillë me aktin e shugurimit presbiterial, në realitet ai “bëhet” vërtet meshtar në ushtrimin e shërbesës meshtarake, në kontekstin kishtar ku është caktuar. Është proces, që realizohet në shërbim, është zhvillim dhe rritje brenda një territori, që është ai ku jeton bashkësia famullitare. Ati i Shenjtë i dëgjoi dhe dialogoi me ta".

29 maj 2024, 16:25