Papa takon presidentin e Shqipërisë. Persekutimi i të krishterëve dhe mbrojtja e hebrenjve, ndër temat
R.SH. – Vatikan
Persekutimi i të krishterëve gjatë komunizmit dhe mbrojtja, që populli shqiptar u dha hebrenjve gjatë Luftës II Botërore, ndër temat e audiencës së sotme (6 maj) të Papës Françesku me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, të cilin e priti në Vatikan.
Presidenti mbërriti në Pallatin Apostolik me bashkëshorten dhe me delegacionin shoqërues, për t’u takuar me Atin e Shenjtë në orën 8.30. Biseda, gjatë së cilës u vunë në dukje edhe marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, zgjati gjysmë ore.
Në fund të takimit, Papa i dhuroi presidentit Begaj një pllakë në bronz me titull “Duart”, ku shkruhet “T’i mbushim duart me duar të tjera”, vëllimet e dokumenteve papnore, Mesazhin e Paqes së këtij viti dhe librin e “Statio Orbis të 27 marsit 2020”, ku përshkruhet lutja e Atit të Shenjtë në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë pandemisë Covid-19, ndërsa kreu i shtetit shqiptar i dhuroi Françeskut një pikturë të Helidon Halitit, ku paqyrohet kisha e Të Shëlbuemit në Rubik, e cila përmendet si abaci benediktine që në vitin 1166.
Takimi në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit
Më pas, presidenti dhe delegacioni nga Shqipëria u takuan me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher.
“Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit, - shkruhet në komunikatën zyrtare të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - u shpreh vlerësimi për marrëdhëniet pozitive dypalëshe dhe u përmendën disa çështje të hapura në marrëdhëniet Kishë-Shtet. Më pas u fol për udhën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për tematika të ndryshme me karakter ndërkombëtar, me vëmendje të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainën”.