Në audiencën në shoqatën “Somos Community Care”, Papa u ndal te roli i mjekut të familjes. Në audiencën në shoqatën “Somos Community Care”, Papa u ndal te roli i mjekut të familjes. 

Françesku: kam kujtime të bukura për mjekun e familjes, pengesë kundër logjikës së tregut

Në audiencën me pjesëmarrësit e takimit ndërkombëtar organizuar nga "Somos Community Care" (Kujdesi i Bashkësisë Somos), shoqatë jofitimprurëse e mjekëve, Francesco kujtoi disa çaste "të këndshme familjariteti" nga e kaluara e tij, lidhur me mjekun e familjes: mjeku i bazës forcon marrëdhëniet njerëzore e është i aftë "të japë ngrohtësi dhe ndihmë profesionale, sepse i njeh personalisht pacientët e tij dhe të dashurit e tyre".

R. SH. - Vatikan

“Kujdesi dhe familjariteti janë dy dhurata me vlerë të madhe për ata që vuajnë”. Mbështetja e pacientit me "një rrjet dashurie" shmang rrezikun që "makina e burokracisë dhe e kompjuterizimit" si dhe "logjikat e tregut që kanë pak lidhje me shëndetin" të mbizotërojnë në fushën e mjekësisë.

Roli vendimtar i mjekut të familjes ishte sot në qendër të fjalimit që Papa u drejtoi pjesëmarrësve në takimin ndërkombëtar të organizuar nga "Somos Community Care", një nga shoqatat e zgjedhura në Shtetet e Bashkuara për  sigurimin shëndetësor "Medicaid", që ka për qëllim të ndihmojë njerëzit me të ardhura të pakta të mund të paguajnë për kujdesin mjekësor.

Papa: shumë kujtime të bukura për mjekun e familjes

Gjatë audiencës Papa u ndalua tek disa kujtime familjare. Kur ishte fëmijë – kujtoi duke lënë mënjanë tekstin - mjeku i familjes dhe mamia shkonin në shtëpinë e tyre, në Argjentinë.

Ishim pesë vetë, kështu që kur vinte ajo grua me valixhe, e dinim se do të vinte edhe një vëlla i vogël! Kishte famijaritet mjeku i familjes asokohe. E njihnin të gjithë e edhe unë kam shumë kujtime të mira prej tij.

Një kujtim në veçanti lidhet me një vit të caktuar, 1942”:

Më kujtohet - kam lindur në vitin '36 - 15 korriku '42, nëna ime priste të katërtin pas meje me vëllezërit. Vëllai im ishte me grip, erdhi doktori dhe tha: "Po kërkoj... “. Nje kujtim shume i bukur! Dhe ai na dha ilaçin, ishte një ftohje, një grip. Pastaj iu afrua nënës, nëna ishte aty, me  babain dhe ai ia preku barkun  e i tha: ‘Eh, tashmë është koha! Të shpresojmë…’. E po atë mbrëmje lindi i katërti. Këto kujtime butësie, familjariteti me mjekun e familjes, janë gjëra që i mbart me vete sepse në atë kohë gjërat ishin shumë, tejet të bukura!”

Mos i lini pacientët vetëm!

Papa Françesku, pasi përshëndeti themeluesin e “Somos Community Care”, Dr. Ramon Tallaj, dhe presidentin e Akademisë Papnore për Jetën, Kryeipeshkvin Vincenzo Paglia, nënvizoi se mjeku i familjes është “figurë themelore” pasi ndërthur “aftësinë me afërsinë ". Tani mund të përdoren "terapitë që ishin të paimagjinueshme deri para disa dekadash", por mjekësia, shtoi Françesku, është gjithmonë "para së gjithash takim njerëzor, i përbërë nga kujdesi i familjes, afërsia dhe dëgjimi".

Kur jemi të sëmurë, tek mjeku, përveç profesionistit kompetent, kërkojmë një prani miqësore, në të cilën mund të mbështetemi, që na jep besim në shërim dhe që edhe kur kjo nuk është e mundur, nuk na lë të qetë, por vazhdon të na shikojë në sy dhe të na ndihmojë, deri në fund. Shën Luka - të cilin Shën Pali e quan "mjeku i dashur" (Kol 4:14), kolegu i juaj! – i përshkruan në këtë mënyrë veprimet e Jezusit ndaj të sëmurëve (shih Luka 5:12-26; 8:40-56): Jezusi u afrua, hyri në shtëpitë e tyre, u foli, i dëgjoi, i mirëpriti në vuajtjet e tyre dhe i shëroi. Mjeku i familjes është kështu, i pranishëm, i afërt, i aftë për të dhënë ngrohtësi, por edhe ndihmë profesionale, sepse i njeh personalisht pacientët dhe të dashurit e tyre dhe ecën me ta, dita-ditës, edhe me çmimin e flijimit”.

Krijoni një rrjet dashurie

Prandaj, kujdesi është tipar themelor. Të jesh “familjar” - ​​vuri në dukje Papa - është arsyeja e dytë pse roli i kësaj figure bazë në sistemin shëndetësor, i cili shpeshherë përbën një lidhje mes qytetarit dhe ambienteve spitalore, është i çmuar. Prania e mjekut të familjes ndihmon në rrethimin e pacientit me një rrjet dashurie, dhembshurie dhe solidariteti, që shkon përtej fazës diagnostiko-terapeutike, duke forcuar marrëdhëniet njerëzore, duke e bërë vuajtjen çast bashkimi për t'u jetuar së bashku, jo vetëm për të mirën e pacientit, por edhe për të mirën e të gjithëve: atyre që kujdesen, familjarëve, bashkësisë. Kjo shmang rrezikun e njeriut  që vuan dhe të afërmve të tij nga zhytja në makinën e burokracisë dhe kompjuterizimit; ose më keq, në përfundimin si viktima të logjikës së tregut, që nuk ka të bëjë pak me njerëz të moshuar ose të brishtë”.

Kujdesi Komunitar Somos

Mjekët mund të jenë "Samaritanë të mirë". “Somos Community Care”, që   tashmë në emrin e tij ndërthur horizonte të ndryshme duke u mbështetur në leksikun anglez dhe spanjoll, përbëhet nga më shumë se 2500 mjekë. Falë këtij realiteti, në Nju Jork - veçanërisht në Bronx, Queens, Manhattan dhe Brooklyn - përkujdesin mbi 650 mijë pacientë nga komunitete kryesisht të pafavorizuara, duke përfshirë shumë emigrantë aziatikë dhe hispanikë. Së bashku me Akademinë Papnore për Jetën, kjo shoqatë promovoi edhe nismën "Faleminderit doktor", paraqitur nëntorin e kaluar në Vatikan, që të ndërgjegjësonte opinionin publik dhe institucionet për rolin e rëndësishëm të mjekëve të familjes. Objektivi, duke ndarë një shqetësim të shprehur në disa raste nga Papa Françesku, është t'i përgjigjemi krizës në sistemin e kujdesit shëndetësor në shumë vende ku mjekët e përgjithshëm nuk kanë mbështetje dhe njohje profesionale. Roli i tyre, në realitet, është themelor veçanërisht në indet shoqërore të karakterizuara nga pabarazi dhe brishtësi. Pikërisht në këto kontekste, të kërcënuara edhe nga ajo që Papa Françesku e përkufizon si “kultura e hedhurinës”, mjekimi dhe familjariteti nderojnë vërtetësisht shpirtin më fisnik të njerëzimit.

25 maj 2024, 12:45