Papa: Kisha, e hapur për të gjithë, por bashkimet homoseksuale nuk mund të bekohen
R. SH. - Vatikan
"Të gjithë, të gjithë, të gjithë". Papa Françesku përsëriti edhe një herë ëndrrën e një Kishe me dyer të hapura dhe me parimin e mirëseardhjes, gur themeli i papnisë së tij, në intervistën dhënë Norah O'Donnell, drejtoreshë e CBS Evening News, regjistruar në Shën Martë më 24 prill, transemtuar pjesërisht mbrëmë, në programin 60 Minutes. “Ungjilli është për të gjithë”, nënvizon Papa, për të gjithë ne që jemi mëkatarë: “Edhe unë jam mëkatar”- kujtoi - për të vijuar me fjalët: “Nëse Kisha var në derë një taksë, pushon së qeni Kisha e Krishtit”. Pastaj Françesku jep një sqarim lidhur me çështjen e bekimeve për bashkimet homoseksuale, e diskutuar në dokumentin doktrinor Fiducia Supplicans. “Bekimi është për të gjithë”, mund të bekohet çdo njeri, por jo bashkimi homoseksual. “Çka lejova, nuk ishte të mos bekoja bashkimin”, sepse kjo i bie ndesh “ligjit të Kishës”.
Amësia surrugate është biznes
Duke vijuar të flasë për homoseksualitetin, gazetari kujtoi çastin kur Papa deklaroi se "homoseksualiteti nuk është krim". E Françesku gjegji: “Jo. Është fakt njerëzor”. Ndërsa dënoi, si në raste të tjera, surrogatën që, siç thotë ai, “është bërë biznes, e kjo është gjë shumë e keqe. Është shumë negative”. Për disa gra, për shembull ato që janë të sëmura, megjithatë mund të jetë shpresa e vetme, vëren gazetari. "Mund te jetë. Shpresa tjetër është birësimi”, përgjigjet Papa, duke ftuar për të mos u shmangur nga parimi moral.
Papa Françesku në një intervistë për CBS
Kritikat e “konservatorëve”
I pyetur për kritikat që i drejtohen nga disa ipeshkvij konservatorë në SHBA, Françesku përgjigjet: “Konservator është ai që kapet pas diçkaje dhe nuk dëshiron të shohë përtej saj. Qëndrim vetëvrasës, sepse një gjë është të kesh parasysh traditën, të kesh parasysh situatat e së shkuarës, e tjetër të mbyllesh në një kuti dogmatike”.
Thirrja drejtuar vendeve në luftë: “Ndalohuni!”
Në intervistën realizuar në përgatitje për Ditën Botërore të Fëmijëve më 25 dhe 26 maj, në Romë, vështrimi nuk mund të mos shkonte tek të vegjlit, duke filluar nga ata që vuajnë në luftë: në Gaza, Ukrainë, me fëmijët që "kanë harruar të buzëqeshin" - përsërit Papa. E, duke i pasur parasysh ata, Ipeshkvi i Romës u bën thirrje vendeve në luftë:
"Të gjithë, ndaloni. Ndalojeni luftën! Duhet të gjeni një mënyrë që të bisedoni për paqen. Përpiquni të siguroni paqen. Bisedimi për paqen është gjithnjë më i mirë se lufta pa fund… Ju lutemi, ndaloni!”.
Një çast nga intervista
Ideologjitë janë gjithmonë të këqija
Duke vijuar të kujtojë luftën në Izrael dhe Gaza, më pas edhe protestat në kampuset universitare dhe rritjen e antisemitizmit, Papa ritheksoi: “Çdo ideologji është e keqe. Edhe antisemitizmi është ideologji, dhe është e keqe. Çdo 'anti' është gjithmonë e keqe. Ju mund të kritikoni një qeveri apo një tjetër, qeverinë izraelite, qeverinë palestineze. Mund të kritikoni sa të doni, por nuk mund të jeni 'anti' - “kundra” - një populli. As anti-palestinezë dhe as anti-semitikë”.
Emigrantë, shumë njerëz “lajnë duart”
Në të njëjtën mënyrë, Jorge Mario Bergoglio, duke folur për vuajtjet e shumë emigrantëve, denoncon faktin se shumë njerëz "lajnë duart": "Ka shumë Pontius Pilates atje jashtë... që shohin se çfarë po ndodh, luftërat, padrejtësitë, krimet... Është indiferencë... Ju lutem, duhet t'i bëjmë sërish të ndjejnë zemrat tona. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj këtyre tragjedive njerëzore. Globalizimi i indiferencës është sëmundje shumë e keqe”. Papa e quan "çmenduri të pastër" lajmin, përmendur nga O'Donnell, se Shteti i Teksasit po përpiqet të mbyllë në kufirin me Meksikën një shoqatë katolike që ofron ndihmë humanitare për emigrantët pa dokumente. “Mbyllja e kufirit dhe lënia e tyre atje është çmenduri”, thekson Papa Françesku. “Emigranti duhet të mirëpritet. Më pas do të shohim se si ta ndihmojmë. Ndoshta duhet ta kthejmë, nuk e di, por çdo rast duhet të trajtohet në mënyrë humane”.
Nuk mund të tolerohet çdo abuzim
Në intervistë nuk mungon përmendja e çështjes së abuzimit në Kishë, një krim "që nuk mund të tolerohet" përsërit Papa. Njëkohësisht pranon se ne duhet të vazhdojmë të "bëjmë më shumë", sepse "për fat të keq tragjedia e abuzimit është e madhe", ndaj duhet të sigurohemi se kjo jo vetëm duhet të ndëshkohet, por nuk duhet as të ndodhë kurrë më.