Giulietta Masina në filmin "La Strada" Giulietta Masina në filmin "La Strada"

Papa kujton filmin “La Strada” të Felinit: më ka mbetur në zemër

Videomesazh i Françeskut, realizuar nga mediat e Vatikanit për 70-vjetorin e kryeveprës së Fellini-t, që Papa e përmend shumë herë si vepër e dashur për të, madje, e kujton edhe në një homeli për Pashkë. Filmi hap ditët e studimit në përvjetorin e filmit, më 2 dhe 3 maj, në Rimini, gjatë festivalit "Arti i shtatë - Kinemaja e Industria"

R.SH. – Vatikan

         I ka parë kur ishte fëmijë pothuajse të gjithë filmat italianë, nga epoka neorealiste e më tej, së bashku me prindërit, në kinemanë e lagjes në Buenos Aires, ku shfaqeshin edhe tre filma radhazi, ose pasditeve të kaluara në shtëpinë e gjyshes Rosa. Por, veçanërisht njëri prej tyre e preku në shpirt, aq sa e ka përmendur disa herë në këto vite të papnisë si film nga i cili mund të nxirret një mësim gati ungjillor: "La Strada" (Rruga), kryevepra e Federico Fellini-t e vitit 1954, fituese e Çmimit Oscar, me protagonistë Giulietta Masina, Anthony Quinn dhe Richard Basehart. “Më ka mbetur në zemër”, thotë Papa Françesku në një videomesazh të shkurtër, të realizuar nga mediat e Vatikanit, me rastin e 70-vjetorit të filmit.

         Videomesazhi papnor projektohet në hapjen e ditëve të studimit, të cilat më 2 dhe 3 maj kremtojnë përvjetorin e filmit “La Strada” në Rimini të Italisë, gjatë festivalit "Arti i shtatë - Kinemaja e Industria", kushtuar profesioneve të lidhura me kinemanë, që do të vijojë deri më 5 maj.

Fjalët e Papës në videomesazh

“Kur isha fëmijë, kam parë shumë filma të Fellini-t, por ‘La Strada’ më mbeti në zemër”, thotë Papa Françesku në videomesazh. “Ai film fillon me lot dhe përfundon me lot; fillon në breg të detit dhe përfundon në breg të detit. Por mbi të gjitha, më ka mbetur në zemër skena e të çmendurit me gurin, që i jep kuptim jetës së asaj vajze”, shton ai duke iu referuar dialogut mes “të çmendurit”, ekuilibrist e violinist, me Xhelsominën, vajzë e brishtë që punon me akrobatin e ashpër dhe të dhunshëm Zampanò, duke vuajtur nga fyerjet dhe keqtrajtimet e tij.

Skena e “guralecit” dhe skena e “vajit”

Dy, skenat që kujton Papa në videomesazh. Së pari, ajo e fundit, lotët e të tmerrshmit Zampanò, i cili vite më vonë, duke u kthyer në të njëjtat vende ku kishte jetuar me Xhelsominën, zbulon aksidentalisht se vajza kishte vdekur dhe ai, i dehur, përballë detit, kupton për herë të parë vogëlsinë e tij, vetminë e tij dhe madhështinë e universit, duke shpërthyer në vaj. Më pas, skena e “guralecit”, pra e “të çmendurit”, që i shpjegon Xhelsominës se çdo gjë në jetë ka rëndësi dhe kuptim: “Çdo gjë në këtë botë shërben për diçka. Ja, merre atë gurin për shembull”, thotë ekuilibristi. "Për çfarë duhet?" pyet Xhelsomina. “Duhet… Po ku e di unë? Nëse do ta dija, e di ti kush do të isha?” përgjigjet personazhi i interpretuar nga Basehart. “Ati i Përjetshëm, që di gjithçka: kur lind, kur vdes. E kush mund ta dijë? Jo, nuk e di se për çfarë duhet ky gur, por duhet të shërbejë për diçka. Pasi, nëse nuk duhet, atëherë gjithçka është e kotë: edhe yjet. Edhe ti, edhe ti je e dobishme për diçka, me atë kokën tënde si qepë”.

Homelia e Pashkëve 2017

Mesazhi, që përmban ky shkëmbim i thjeshtë në gjuhën “e rrugës”, për Ipeshkvin e Romës ka brenda një filozofi të tërë, deri në atë pikë sa ta citojë në homelinë e meshës së Pashkëve 2017, përpara mesazhit Urbi et Orbi. Pa letër, duke folur në sheshin e mbushur plot të Shën Pjetrit, Françesku tha: "Edhe ne, guraleca në tokë, në këtë tokë dhimbjesh, tragjedish, me besimin në Krishtin e Ringjallur, e kemi një kuptim, në mes të fatkeqësive të shumta. Kuptimi është të shohim përtej, për të thënë: 'Nuk ka mur, ka horizont, ka jetë, ka gëzim – kryqi ka këtë kuptim të dyfishtë. Shikoni përpara, mos u mbyllni. Ti, guralec i vogël, e ke një kuptim në jetë, sepse je një guralec pranë atij gurit të madh, atij guri që ligësia e mëkatit e ka flakur mënjanë".

"Një dritë e paparë vështrimit për të fundmit"

Përmendet pra, qartë, kjo vepër kinematografike, që Papa ka thënë shpesh se e do fort, së bashku me filmin tjetër, që përmend shpesh, “Dreka e Babette”, me regjisor Gabriel Axel. La Strada “është filmi, që ndoshta, e dua më shumë. Identifikohem shumë me atë film, i cili i referohet me nënkuptim Shën Françeskut”, pohon Papa në intervistën e realizuar nga imzot Dario Viganò dhe botuar në librin “Vështrimi: porta e zemrës. Neorealizmi mes kujtesës dhe aktualitetit” (Shtëpia Botuese Effatà). “Fellini ka qenë në gjendje t'i jepte një dritë të paparë vështrimit për më të fundmit. Në atë film, historia e të fundmëve është shembullore, ftesë për ta ruajtur vështrimin e tyre të çmuar për realitetin. Mendoj për fjalët që i Çmenduri i thotë Xhelsominës: 'Ti guralec, e ke një kuptim në këtë jetë'".

02 maj 2024, 15:52