Papa: Lufta është mashtrim, paqja njohje e vetvetes në gjirin e njerëzimit
R. SH. - Vatikan
Françesku tërheq edhe një herë vëmendjen mbi disfatën që përfaqësojnë për njeriun konfliktet dhe e bën këtë duke iu drejtuar atyre që janë mbledhur në Romë në këto orë, për të hedhur themelet e një lëvizjeje që mund t'i thotë një jo përfundimtare luftës dhe po paqes, përmes "Kartës së Njeriut". Papa priti pjesëmarrësit në Takimin Botëror për vëllazërinë njerëzore, organizuar nga Fondacioni "Fratelli tutti", titulluar "#BeHuman", që përfundon sot, pasi mblodhi së bashku personalitete nga e gjithë bota, përfshirë fituesit e Çmimit Nobel, të angazhuar për mbrotjen e vlerave e të vëllazërisë. Françesku ua besoi shqetësimin e tij përballë "planetit në zjarr e flakë":
“Lufta është mashtrim, lufta është gjithmonë disfatë, siç është ideja e sigurisë ndërkombëtare bazuar mbi parandalimin e frikës. Mashtrim tjetër, ky. Për të garantuar paqe të qëndrueshme, ne duhet të njohim vetveten në gjirin e njerëzimit dhe ta vëmë vëllazërinë në qendër të jetës së popujve. Vetëm kështu do të mund të zhvillojmë një model bashkëjetese, të aftë për t'i siguruar ardhmerinë familjes njerëzore. Paqja politike ka nevojë për qetësi zemrash, në mënyrë që njerëzit të takohen me besimin se jeta fiton gjithmonë mbi çdo formë të vdekjes”.
Njerëzim, që bashkon
Papa i quan të pranishmit dëshmitarë të atij njerëzimi që bashkon dhe na bën “të njohim vëllezërit, në dhuratën e ndërsjellë të dallimeve të tyre kulturore përkatëse”. Ajo që është e nevojshme - nënvizon - është "të edukohet arti i bashkëjetesës, vërtet njerëzor", që mund të ekzistojë vetëm falë dhembshurisë, "qëndrimit kryesor, propozuar në Fratelli tutti", i cili, si në shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë, na lejon të bëhemi “vëllau i tjetrit”. Françesku inkurajoi pjesëmarrësit në takim t'i japin jetë një "lëvizjeje vëllazërimi në dalje" për t'i paraqitur shoqërisë civile "disa propozime, të përqendruara tek dinjiteti i njeriut e për të ndërtuar politika të mira, bazuar mbi parimin e vëllazërisë":
“E vlerësova këtë udhë dhe ju inkurajoj të ecni përpara në punën tuaj të mbjelljes së heshtur. Prej saj mund të lindë ‘Karta e njeriut’, e cila përfshin, së bashku me të drejtat, edhe sjelljet dhe arsyet praktike të asaj që na bën më njerëz në jetë”.
Gjeste profetike bamirësie nga të rinjtë
Papa na fton të mos çkurajohemi dhe i falënderon fituesit e Çmimit Nobel për Paqen, të pranishëm në takim e autorë të "Deklaratës mbi vëllazërinë njerëzore" të vitit të kaluar, për "angazhimin e nisur në rindërtimin e gramatikës njerëzore" mbi të cilën të bazohen zgjedhjet e sjelljet”. Rëndësi ka të ecim përpara me "përshpirtërinë e vëllazërisë", të nxisim "rolin e organeve shumëpalëshe" dhe të shikojmë e të mësojmë nga të gjithë të rinjtë, që do të mblidhen sonte në Sheshin e Shën Pjetrit për përfundimin e Takimit, të thirrur për përqafimin e paqes, që të mund të jetë, përfundon Françesku, "angazhim jetik dhe gjest profetik bamirësie".