Kërko

UKRAINE RUSSIA CONFLICT UKRAINE RUSSIA CONFLICT

Papa: “lutemi me gjithë zemër që të ketë paqe përfundimtare”

Thirrje e re e Françeskut, në audiencën e përgjithshme, për përfundimin e luftës në "Ukrainen e martirizuar" si dhe të armiqësive ndërmjet Izraelit e Palestinës. E po kështu, edhe për Mianmarin. Papa kërkon nga "bashkësia ndërkombëtare të japë menjëherë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për të mbrojtur më të ligshtit në Afganistan, ku ditët e fundit, për shkak të shirave dhe përmbytjeve, shumë njerëz humbën jetën dhe gjithçka kishin.

R.SH. / Vatikan

“Të lutemi për paqen. Të mos harrojmë Ukrainën e martirizuar; të mos harrojmë Palestinën, Izraelin, Mianmarin”.

Papa Françesku bëri sërish thirrje për paqen në fund të audiencës së përgjithshme. Para se të largohej nga Sheshi i Shën Pjetrit, kërkoi rishtas të mbretërojë harmonia ndërmjet popujve në botë dhe u kërkoi të gjithëve të luten për ata që vuajnë pasojat e konflikteve dhe të armiqësisë:

“Të lutemi për të gjithë njerëzit që vuajnë nga lufta. Të gjithë së bashku, me zemër të madhe, të lutemi për paqen përfundimtare!”.

 Papa u ndalua për disa sekonda e më pas bëri thirrje që të mos ketë më "asnjë luftë, asnjë", duke përsëritur edhe një herë se lufta "është gjithmonë disfatë: gjithmonë!".

Lutja për Afganistanin

Mendimi i Françeskut, përpara se t'u drejtohej shtegtarëve italianë, shkoi tek "popullsia e Afganistanit, e prekur rëndë nga përmbytjet tragjike" të ditëve të fundit, dhe veçanërisht, tek njerëzit e shumtë që humbën jetën, "përfshirë fëmijët":

“Lutem për viktimat, veçanërisht për fëmijët dhe familjet e tyre”.

Sipas OKB-së, të paktën 300 njerëz kanë vdekur dhe disa janë të zhdukur. Përmbytjet kanë shkatërruar mijëra shtëpi dhe ndërtesa, shumë zona janë evakuuar, ndërsa dëmet në rrugë dhe infrastruktura janë serioze, veçanërisht në provincat Baghlan, Ghor dhe Herat. Ndërkaq lidhur me provincën Badakhshan, në kufi me Taxhikistanin, autoritetet lokale kujtojnë humbjen e rreth dy mijë kafshëve të fermës. Papa kërkon të sigurohet ndihma dhe të mos lihet mënjanë kush ka më shumë nevojë:

I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të japë menjëherë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për të mbrojtur më të rrezikuarit.

Një kambanë për fëmijët e palindur

Pak më përpara, në përshëndetjen besimtarëve polakë, Françesku, me shikimin drejtuar në solemnitetin e ardhshëm të Rrëshajëve, nënvizon se "Shpirti Shenjt na larton gjithnjë në dashurinë e madhe, të painteresuar ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe të pambrojturve, si fëmijët e palindur”, të cilëve u kushtohet kambana, sjellur në shesh nga Polonia, me emrin “Zëri i të palindurve”, që do të mbërrijë në Kazakistan. Do të na kujtojë nevojën për të mbrojtur jetën njerëzore nga zënia, deri në vdekjen e natyrshme.

Nisma me emrin e Zojës së Papërlyer, që u bekua nga Papa, është e Fondacionit polak 'Yes to Life'.

15 maj 2024, 12:49