Papa: me Shpirtin Shenjt kultivojmë shpresën për paqe, vëllazërim, drejtësi!

Shpirtit tek ne është i fortë, siç simbolizohet nga shenjat e erës dhe të zjarrit, të cilat në Bibël shpesh shoqërohen me fuqinë e Zotit (shih Ek 19:16-19). Dhe kjo është e rëndësishme, sepse pa këtë fuqi ne, të vetëm. Shpirti Shenjt, nëse e lejojmë - kujtoi Françesku - na ndihmon dhe na mbështet në çastet tona të luftës, për t’i shndërruar në mundësi rritjeje, në kriza të shëndetshme nga të cilat ne dalim më të mirë, më të fortë, të aftë për të dashur me më shumë liri.

R.SH. / Vatikan

Në homelinë e Meshës së Rrëshajëve, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit,  Papa Françesku ftoi për ta kumtuar Ungjillin me forcë e, njëkohësisht, me mirësjellje, jo me detyrim, që të gjithë ta pranojnë! Shpirti Shenjt, shpjegoi, nuk na lëshon dore në çastet më të vështira të luftës, përkundrazi, si mik e ngushëllues i ëmbël, na ndihmon të dalim shumë më të fortë”.

Papa e nisi homelinë  e Meshës së solemnitetit me historinë e Rrëshajëve (shih Veprat e Apostujve 2:1-11), duke u ndaluar tek Veprat e Apostujve, që na tregojnë dy fusha veprimi të Shpirtit Shenjt në Kishë: në ne dhe në mision, me dy karakteristika: forcën dhe mirësinë. E i ftoi besimtarët të meditojnë për këtë.

Shpirti Shenjt ka forcën e mirësinë

Së pari: veprimi i Shpirtit tek ne është i fortë, siç simbolizohet nga shenjat e erës dhe të zjarrit, të cilat në Bibël shpesh shoqërohen me fuqinë e Zotit (shih Ek 19:16-19). Dhe kjo është e rëndësishme, sepse pa këtë fuqi ne, të vetëm, nuk do të mund ta mposhtim kurrë të keqen, as dëshirat e korpit, për të cilat na flet Shën Pali në leximin e dytë: «papastërti […], idhujtari […], mosmarrëveshje [...], zili” (Gal 5,19-21): këto janë ngacmime të fuqishme, të cilat, nëse i lihen në vetvete, e kanë të lehtë ta pushtojnë lirinë tonë, duke na e bërë gradualisht zemrën “të thatë, të ngurtë dhe të ftohtë (shih Sequence Veni Sancte Spiritus), duke shkatërruar marrëdhëniet tona me të tjerët dhe duke përçarë bashkësitë tona. Sa dëme dhe vuajtje shkaktojnë këto sjellje! Dhe duhet forcë për t'i shkulur nga rruga, si kur të duhet të presësh një pemë të rrezikshme në një kopsht, ose të shkulësh një  tubë ferrash e barërash të këqija.

Shpirti Shenjt na përgatit për mision

Shpirti Shenjt, nëse e lejojmë - kujtoi Françesku - na ndihmon dhe na mbështet në çastet tona të luftës, për t’i shndërruar në mundësi rritjeje, në kriza të shëndetshme nga të cilat ne dalim më të mirë, më të fortë, të aftë për të dashur me më shumë liri.

“Jezusi na e tregon këtë kur, i shtyrë nga Shpirti, tërhiqet dyzet ditë në shkretëtirë (shih Mt 4:1-11) për t'u tunduar. E në atë kohë edhe natyra e tij njerëzore rritet, forcohet dhe përgatitet për misionin, kujtoi në vijim Françesku:

 Në të njëjtën kohë, veprimi i Paraklitit brenda nesh është i ëmbël. Në rrëfimin e Shën Lukës, era dhe zjarri nuk e shkatërrojnë as e djegin atë që i prek: njëri mbush përplot shtëpinë ku janë dishepujt, ndërsa tjetri zbret me delikatesë, në formë flakësh, mbi kokën e secilit”.

 E edhe kjo delikatesë është tipar i veprimit të Zotit, që e gjejmë shumë herë në Bibël: në Horeb, kur Zoti i flet profetit Elia me "pëshpëritjen e një flladi të lehtë" (1 Mbretërve 19:12); në librin e profetit Ezekiel, nga një luginë kockash të thata, kur fryma e Shpirtit kthen në jetë një popull të shpëtuar (shih Ez 37,1-14). I sjellshëm, i respektueshëm, delikat: kjo është puna e rindërtimit, që Shpirti kryen tek ne.

Shpirti Shenjt mik i ëmbël në shpirtin tonë

Shpirti Shenjt - kujtoi në vijim të homelisë së kësaj Dite të Madhe Papa -nuk hyn në skenë si hakmarrës, por “si mik i ëmbël, si strehë, si ngushëllim" (shih Sekuencën Veni Sancte Spiritus), për t’i bërë frytet e tij,  gëzimin, paqen, mirësinë, besnikërinë, të rriten e të piqen në ne (shih Gal 5:22).

"Zotëri butësia jote qoftë me mua, e kështu edhe frytet e dashurisë sate!"

Gjë e bukur - brohoriti Françesku - të shohësh se si e njëjta dorë e fortë e plot me kallo, që fillimisht gërmoi në grumbullin e pasioneve, mbjell pastaj me delikatesë bimëzat e virtytit, i "ujit", "kujdeset për to" (shih Sekuencën) dhe i mbron me dashuri, që të rriten e të forcohen dhe ne të shijojmë, pas lodhjes së luftës kundër së keqes, ëmbëlsinë e mëshirës dhe të bashkimit me Zotin dhe me vëllezërit tanë. Siç thotë një lutje e bukur e Kishës së lashtë:

"Zotëri butësia jote qoftë me mua e kështu edhe frytet e dashurisë sate!" (Odet e Solomonit, 14.6).

E kështu u shpreh, në një çast të rëndësishëm të jetës së tij, edhe Shën Gjon Henri Njuman, duke i kërkuar Shpirtit: "Më prij, o dritë e ëmbël":

 “E kështu vepron në ne Shpirti Shenjt: si një prani e fortë dhe e butë”.  

Misioni ynë: të ngjallim shpresën, që buron nga Krishti  

 Aspekti i dytë - vijoi Papa - është misioni ynë, i gjallëruar nga Shpirti. Nën veprimin e tij ditën e Rrëshajëve lindi tek dishepujt një zell i papërmbajtshëm misionar e, me të, edhe dëshira e aftësia për ta shpallur Ungjillin dhe për t'u kuptuar nga njerëz të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme:

 Shpirti Shenjt, pasi zbriti mbi ta dhe u bë i afërt - "paraclito" - vepron duke ua shndërruar zemrat e duke rrënjosur në ta "guximin, që i shtyn t'u transmetojnë të tjerëve përvojën e Jezusit dhe shpresën që i gjallëron" (Shën Gjon Pali II, Enc. Misio, 24).

Siç do të dëshmojnë Pjetri dhe Gjoni para Sinedrit, kur provojnë t’u imponohen "që të mos flasin në asnjë mënyrë ose të mos mësojnë në emër të Jezusit" (Veprat 4,18); ata përgjigjen:

"Nuk mund të heshtim për atë që pamë e që dëgjuam" (v. 20).

E kjo – kujtoi Papa - ka shumë rëndësi për ne, që patëm dhuratën e Shpirtit Shenjt në Pagëzim e në Krezmim.

Jemi të dërguar t’u shpallim të gjithëve Ungjillin!

Nga "çenakulli" i kësaj Bazilike, si Apostujt, ne jemi dërguar t'u shpallim të gjithëve Ungjillin, duke shkuar "gjithmonë më tej, jo vetëm në kuptimin gjeografik, por edhe përtej barrierave etnike dhe fetare, për një mision vërtet universal" Redemptoris missio, 24). E falë Shpirtit, mund dhe duhet ta bëjmë këtë me të njëjtën forcë dhe me të njëjtën mirësi:

“Me të njëjtën forcë: jo me arrogancë e imponime, as me llogaritje e dinakëri, por me energjinë që vjen nga besnikëria ndaj së vërtetës, të cilën Shpirti ua mëson zemrave dhe e bën të rritet në ne”.

E kështu ne nuk dorëzohemi, por vazhdojmë t’u flasim për paqe atyre që duan luftë; për falje, atyre që mbjellin hakmarrje; për mirëseardhje dhe solidaritet, atyre që mbyllin dyert dhe ngrenë barriera; për jetë, atyre që zgjedhin vdekjen; për respekt, atyre që u pëlqen të poshtërojnë, të fyejnë, të flakin; për besnikëri, atyre që refuzojnë çdo lidhje, duke ngatërruar lirinë me një individualizëm sipërfaqësor, të errët dhe bosh. Pa e lejuar veten të trembemi nga vështirësitë, nga talljet, as nga kundërshtimet, të cilat, sot si dje, nuk i mungojnë kurrë jetës apostolike (shih Veprat e Apostujve 4:1-31).

Ta bëjmë jetën sa më njerëzore

Në të njëjtën kohë - vijoi Papa - kumti ynë dëshiron të jetë i sjellshëm, t’i mirëpresë të gjithë, t’i inkurajojë dhe t’i forcojë, kudo që ndodhen, "qëllimet bujare me të cilat familja e njerëzve kërkon ta bëjë jetën e saj më njerëzore" (Gaudium et spes, 38).

Eja, o Shpirt Krijues!

Të gjithë ne, vëllezër e motra, kemi shumë nevojë për shpresë – theksoi në përfundim të homelisë së kësaj feste të madhe Papa – për nevojë, që t’i lartojmë sytë drejt horizontit të paqes, vëllazërisë, drejtësisë dhe solidaritetit.

“Kjo është mënyra e vetme e jetës, nuk ka tjetër. Natyrisht, për fat të keq, shpesh nuk duket e lehtë, madje ndonjëherë duket e dredharake dhe e përpjetë. Por ne e dimë se nuk jemi vetëm, se me ndihmën e Shpirtit  Shenjt, me dhuratat e Tij, së bashku mund të udhëtojmë dhe ta bëjmë  gjithnjë e më të dëshirueshme edhe për të tjerët. Prandaj  e ripërtërijmë  fenë tonë në praninë e Ngushëlluesit pranë nesh dhe vazhdojmë të lutemi: Eja, Shpirt Krijues, ndriçona mendjet,

mbushi zemrat tona me hirin tënd,

priji hapat tanë,

jepi botës paqen tënde.

Amen.

19 maj 2024, 13:59