Kërko

Lutja e Mbretëreshës Qiellore Lutja e Mbretëreshës Qiellore  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa, Meter-it: vazhdoni me guxim veprimtarinë kundër shpërdorimit

Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Francesco vlerësoi angazhimin e guximshëm të shoqatës së kryesuar nga Don Fortunato Di Noto kundër pedofilisë dhe pornografisë së fëmijëve. Anëtarët ishin në Sheshin e Shën Pjetrit, në përfundim të Ditës XXVIII të Fëmijëve Viktima të dhunës. Papa përshëndeti edhe rojet e reja zvicerane, që bëjnë betimin nesër, më 6 maj.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku ia përsëriti dy herë "falënderimin", në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, shoqatës Meter që, gjatë tridhjetë vjetëve është shndërruar në të gjithë Italinë dhe jashtë saj në institucion të luftës së vazhdueshme kundër çdo forme abuzimi të të miturve dhe të këqijave të pedofilisë e të pedopornografisë për fëmijët, veçanërisht në internet. Anëtarët e organizatës, të themeluar dhe të kryesuar nga Don Fortunato di Noto, ishin sot në Sheshin e Shën Pjetrit me bluza, kapele dhe pankarta të verdha, për të marrë pjesë në lutjen mariane të Papës i cili, nga dritarja e Pallatit Apostolik, kujtoi se i mirëpret “me kënaqësi” dhe se e inkurajon punën e tyre:

“Faleminderit, faleminderit për angazhimin tuaj! Vazhdojeni punën tuaj të rëndësishme me guxim”

Urimi i Papës kujton Ditën e XXVIII të Fëmijëve Viktima të Dhunës, Shfrytëzimit, Indiferencës dhe Pedofilisë, kremtuar më 25 prillin e kaluar nga Meter. E konceptuar në vitin 1995, Dita është kthyer në ngjarje fikse në këto 28 vjet, me synimin për të krijuar ndërgjegjësim dhe përgjegjësi të re kundër të gjitha formave të abuzimit të fëmijëve. “Përvjetor me një sërë aktivitetesh kombëtare dhe ndërkombëtare, nga Polonia - në Republikën Demokratike të Kongos; nga Franca - në Itali” - shpjegoi Don Di Noto për mediat e Vatikanit ditët e fundit.  

Duartrokitje dhe përshëndetje Gardës së re zvicerane

Përveç tyre, në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesin e grupeve të studentëve, grupeve muzikore, shtegtarëve romakë e të tjerë, ishin edhe rojet e reja zvicerane - më saktë 34 - me familjet e tyre. Papa u drejtoi një “përshëndetje të ngrohtë”, me rastin e kremtimit të ushtrisë më të vjetër dhe më të vogël në botë, themeluar nga Papa Juli II, në vitin 1506. Një “korpus historik, plot merita - e cilësoi Françesku:

"Një duartrokitje për rojet zvicerane!".

Rekrutët e rinj, sipas traditës, do të bëjnë betimin nesër, 6 maj, në orën 17:00 në oborrin San Damaso të Pallatit Apostolik në Vatikan. Nuk është  datë e rastësishme, por dita e plaçkitjes së Romës në të cilën 189 rojet zvicerane mbrojtën Papën Klementi VII kundër ushtrisë së Karlit V. Betimi për të mbrojtur dhe për t’i dalë zot Papës në detyrë dhe të gjithë pasardhësve e tij, edhe me rrezik të jetës, siç bënë paraardhësit e tyre, do të bëhet mbi flamurin e Korpusit Papnor të Gardës Zvicerane, në praninë e  Imzotit Edgar Peña Parra, si përfaqësues i Papës, i pritur dje në audiencë nga Françesku.

05 maj 2024, 14:11