Kërko

  Brezat e rinj me prindër emigrantë Brezat e rinj me prindër emigrantë  (ANSA)

Papa: migrimi është kundërhelm i krizës shkaktuar nga rënia e lindjeve

Puna në lidhje me industritë nxjerrëse, sigurinë ushqimore, migrimin, drejtësinë sociale, tranzicionin e drejtë. Në këto pika ndalet Papa gjatë fjalimit drejtuar pjesëmarrësve në Këshillimin “Kujdesi është punë, puna është kujdes”. Ka "paragjykime dhe informacione të pasakta ose ideologjike" lidhur me njerëzit që lëvizin në kërkim të punës ose ikin nga luftërat dhe varfëria: migrantët nuk janë problem, as barrë ekonomike.

R. SH. - Vatikan

Puna e denjë, ndarë në pesë fusha: industritë nxjerrëse, siguria ushqimore, migrimi, drejtësia shoqërore, tranzicioni i drejtë. Këto pikat tematike themelore për shoqërinë aktuale, rreth të cilave po diskutojnë pjesëmarrësit në Konsultën “Kujdesi është punë, puna është kujdes”. Për të ndërtuar një bashkësi transformuese globale”. Takimi, i inkurajuar nga Dikasteri për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, do të mundësojë zhvillimin e një projekti tashmë të nisur në gjashtë vjetët e fundit me reflektime, dialogë dhe kërkime. Nga i cili lindën modele inovative veprimi e pune të drejtë e dinjitoze për të gjithë. Ndërmjet partnerëve të grupit janë Organizatat Ndërkombëtare të Punës, Konferencat Ipeshkvnore,  Kongregatat rregulltare, organizatat katolike dhe të konfesioneve të tjera, të frymëzuara nga feja, sindikatat dhe grupet e shoqërisë civile të përfshira në projektin "E ardhmja e punës: puna pas Laudato si'".

Shëndeti dhe siguria psiko-fizike në punimet nxjerrëse

Duke cituar Laudato si', Françesku kujton se "eksporteve të disa lëndëve të para me qëllimin e vetëm për të kënaqur tregjet e veriut të industrializuar nuk u kanë munguar pasoja të rënda, duke përfshirë ndotjen nga merkuri ose dioksidi i squfurit në miniera". E  këshillon:

“Është themelore që kushtet e punës të lidhen me ndikimet ambientale, duke i kushtuar vëmendje efekteve të mundshme mbi shëndetit fizik dhe mendor të personave të përfshirë, si dhe sigurisë”.

T’i kushtohet vëmendje sigurisë ushqimore

Papa ndalohet edhe tek të dhënat e Raportit të fundit Global mbi Krizat Ushqimore, që na kujtojnë se në vitin 2023 më shumë se 280 milionë njerëz, në 59 vende dhe disa territore të ndryshme, pësuan nivele të larta pasigurie të rëndë ushqimore, "që kërkon ndërhyrje urgjente ndihme". Papa nuk mund të harrojë rajone shumë të nxehta, si Rripi i Gazës dhe Sudani, "të shkatërruara nga lufta", ku shumica e njerëzve vuajnë nga zija e bukës. Fatkeqësitë natyrore dhe kushtet ekstreme të motit, tashmë të dendësuara nga ndryshimet klimatike, përveç goditjeve ekonomike, janë faktorë të tjerë të rëndësishëm që përcaktojnë pasigurinë ushqimore, lidhur nga ana e tyre me disa dobësi strukturore si varfëria, mvartësia e lartë nga importet ushqimore, pasiguria e produkteve ushqimore dhe e infrastrukturës.

'Jo' paragjykimeve për emigrantët dhe informacioneve të pasakta ose ideologjike

Tema e emigrantëve që kërkojnë të punojnë, t'i shpëtojnë luftës ose varfërisë, trajtohet gjithashtu nga Papa në lidhje me "paragjykimet" dhe "informacionet e pasakta ose ideologjike" të cilat - thekson - "shikohen shpesh si problem dhe barrë për kostot e një kombi”. E këtu ndalohet tek çështja që i shkon aq për zemër lidhur me lindjet e pakta.

“Këto vende të pasura nuk kanë fëmijë: të gjithë kanë qen, mace, të gjithë, por jo fëmijë. Denataliteti është problem e migrimi ndihmon krizën që shkakton mungesën e lindjes së fëmijëve. Problem tejet i rëndë, ky. Megjithatë, shumë migrantë dhe punëtorë, që nuk janë ende plotësisht të integruar në të drejtat të tyre, konsiderohen qytetarë "të dytë", duke mbetur të përjashtuar nga shërbimet shëndetësore, mjekimet, asistenca, planet e mbrojtjes financiare dhe shërbimet psikosociale”.

Drejtësia sociale nuk pranohet nga ekonomia liberale

Papa shprehet me sinqeritetin e tij të zakonshëm në lidhje me çështjen e drejtësisë sociale. Kujton se kjo është fjalë që “nuk pranohet nga ekonomia liberale, nga ekonomia kryesore”. Shqyrton rreziqet e një qëndrimi për t’u shmangur:

“Të pranosh duarkryq atë që ngjet rreth nesh, me njëfarë indiferencë ose sepse nuk jemi në gjendje të inkuadrojmë probleme shpesh komplekse dhe të gjejmë përgjigje të përshtatshme për to. Por kjo do të thotë të lejojmë që të rriten pabarazitë sociale dhe padrejtësitë edhe në lidhje me marrëdhëniet e punës dhe të drejtat themelore të punëtorëve. E kjo nuk është gjë e  mirë!”.

 Një pakt i ri social

Lidhur me marrëdhënien ndërmjet punës dhe mjedisit, Papa fton për të "rimenduar llojet e punës që duhet të promovohen në kujdesin për shtëpinë e përbashkët, veçanërisht në bazë të burimeve të energjisë që kërkojnë". E përfundon:

“Bota ka nevojë për përtëritje angazhimi, për një pakt të ri shoqëror që të na bashkojë - brezat e vjetër dhe brezat e rinj - për kujdesin e krijimit, solidaritetin dhe mbrojtjen e anasjelltë të bashkësisë njerëzore”.

08 maj 2024, 16:16