Papa: mos kini frikë nga emigrantët, të promovohet kultura që ua mbron të drejtat
R.SH. – Vatikan
Në muajin qershor, ku data 20 kremtohet si Dita Botërore e Refugjatëve, Papa Françesku e përqendron vëmendjen në njerëzit, që ikin nga vendi i tyre, për shkak të luftrave, ose të problemeve ekonomike. Në videomesazhin me ndjetin e lutjes për këtë muaj, i cili u paraqit sot përmes Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, Ati i Shenjtë përsërit një nga përparësitë e Magjisterit të tij, thirrjen që askush të mos ketë frikë nga njerëzit, të cilët detyrohen të largohen forcërisht nga vendlindja e tyre, duke përballuar aventura të rrezikshme, me shpresën për një të ardhme më të mirë.
Kush mirëpret mërgimtarin, mirëpret Krishtin
Papa Françesku e sheh emigrantin si një bimë, që nuk arrin t'i shtrijë rrënjët e saj diku tjetër përveç tokës amtare, e cila është shkatërruar aq sa nuk mund t’i japë më ushqimin e nevojshëm për t’u rritur. Dramës së përjetuar nga njerëzit, që detyrohen të largohen nga atdheu, për shkak të luftës a varfërisë, vëren Papa në videomesazh, “shpesh i shtohet edhe ndjenja e çrrënjosjes dhe ajo e pasigurisë për vendin që të takon”. Ati i Shenjtë denoncon:
“Përveç kësaj, në disa vende ku mbërrijnë, emigrantët shihen me alarm dhe frikë. Atëherë, duket fantazma e mureve: mure në tokë, që ndajnë familjet dhe mure në zemër. Ne të krishterët nuk mund ta pranojmë këtë mendësi. Kushdo mirëpret mërgimtarin, mirëpret Krishtin”.
Të promovohet kultura shoqërore dhe politike e mbrojtjes
Papa u bën thirrje institucioneve dhe shoqërisë civile që t’i mbrojnë me çdo mënyrë emigrantët, duke kujtuar se "çdo emigrant duhet të shoqërohet, të përkrahet dhe të integrohet". Ati i Shenjtë i fton besimtarët e krishterë të luten “që emigrantët në ikje nga lufta apo uria, të detyruar të bëjnë udhëtime plot rreziqe e dhunë, të gjejnë mikpritje dhe mundësi të reja jetese”. Me zë të lartë, pohon qartë:
“Duhet të promovojmë një kulturë shoqërore e politike, që mbron të drejtat dhe dinjitetin e migrantëve. Dhe i mbështet ata në mundësitë për zhvillim. Dhe i integron”.
Sipas Raportit Botëror 2024 të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), që merr në shqyrtim statistika deri në vitin 2022, 281 milionë emigrantëve në nivel global, u duhen shtuar 117 milionë njerëz në lëvizje, për shkak të konflikteve, dhunës, fatkeqësive natyrore. Është numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë në kohët moderne. Sipas Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), gjatë vitit 2023, rreth 110 milionë njerëz në mbarë botën janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Át Fornos: Emigrantët janë njerëz, jo numra
Át Frédéric Fornos S.J., drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, i cili promovon prodhimin e videomesazheve të Atit të Shenjtë, reflekton mbi situatën e emigrantëve dhe thekson se ata janë shpesh objekt i betejave politike. Por janë njerëz, jo numra. "Në vend që t'i trajtojmë emigrantët si barrë a problem, duhet të gjejmë zgjidhje të bazuara në dhembshurinë dhe në respektin për dinjitetin njerëzor. Kjo perspektivë vjen nga Ungjilli dhe nga lutja e magjisteri i Kishës na e kujton". Së fundi, citon enciklikën “Fratelli Tutti”, ku Papa Françesku shkruan: “Cilësia e vërtetë e vendeve të ndryshme të botës matet me aftësinë për të menduar jo vetëm si vend, por edhe si familje njerëzore e kjo dëshmohet veçanërisht në periudha kritike. ...Vetëm një kulturë shoqërore dhe politike, që përfshin mikpritjen falas, mund të ketë të ardhme”.