Kërko

Murgjërit budistë përfaqësues të Wat Phra Cetuphon Murgjërit budistë përfaqësues të Wat Phra Cetuphon  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa, murgjërve budistë tajlandezë: të punojmë së bashku për një botë më gjithëpërfshirëse

Françesku pret në audiencë delegacionin nga Tajlanda dhe përsërit se në këtë kohë kaq të plagosur nga luftërat dhe dhuna, mund ta shpëtojmë veten vetëm së bashku, sepse "jemi të ndërlidhur dhe të ndërvarur". Më pas nxit "shoqërinë civile, besimtarët e feve të tjera, qeveritë, organizatat ndërkombëtare, bashkësitë akademike dhe shkencore si dhe të gjitha palët e tjera të interesuara, të krijojnë miqësi, që mbështet paqen dhe vëllazërinë".

R. SH. - Vatikan

Ata që janë "të rrënjosur thellë" në "traditën e tyre fetare dhe të gatshëm për të punuar së bashku, mund ta sjellin një rreze shprese" në këtë botë të plagosur ku, për shkak të luftërave të pafundme, mijëra njerëz humbën gjithçka dhe u "detyruan të ikin” e shumë fëmijë u “prekën nga dhuna”. Françesku citoi Deklaratën Përfundimtare të Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, në fund të Konferencës VII budiste-kristiane, mbajtur në Bangkok nëntorin e kaluar, duke pritur në audiencë sot, 27 maj, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, një delegacion të murgjërve budistë Thai. Vizitë që "përforcon" miqësinë e qëndrueshme, duke i kujtuar Papës shtegtimin e tij apostolik të vitit 2019, në Tajlandë, dhe "mikpritjen e jashtëzakonshme".

Të gjithë të bashkëpunojnë për të mbështetur paqen dhe vëllazërinë

Tri ishin "pikat themelore" theksuar gjatë kolokiumit të budistëve dhe të krishterëve në Tajlandë - në të cilin morën pjesë më shumë se 150 përfaqësues nga pjesë të ndryshme të Azisë për të reflektuar mbi temën "Bamirësia dhe Agape, në dialog për të shëruar njerëzimin e plagosur dhe tokën", kujtuar edhe nga Papa. E para: "askush nuk shpëton i vetëm", ​​ "mund të shpëtojmë vetëm së bashku, sepse jemi të ndërlidhur dhe të ndërvarur"- kujtoi Papa dhe theksoi:

“Në dritën e kësaj së vërtete, ju bëj thirrje që të bashkëpunoni me të gjithë: shoqërinë civile, anëtarët e feve të tjera, qeveritë, organizatat ndërkombëtare, bashkësitë akademike dhe shkencore dhe të gjitha palët e tjera të interesuara për një miqësi që mbështet paqen e vëllazërinë dhe ndërton një shoqëri më gjithëpërfshirëse”.

Forca e lutjes dhe e meditimit

Pika e dytë themelore, që doli në takimin aziatik dhe u vu në dukje nga Françesku është "rëndësia e edukimit të çdo personi, veçanërisht të rinjve dhe fëmijëve, në marrëdhëniet plot kujdes e vëmendje ndaj të tjerëve dhe mjedisit"; e treta, ndërgjegjësimi se Lutja dhe meditimi “mund t’i kthejnë përmbys gjërat, duke pastruar zemrat dhe mendjet tona; duke krijuar mirësi, mëshirë dhe falje, kudo që ka urrejtje dhe hakmarrje; frymë respekti dhe kujdesi për të tjerët dhe për tokën - ku kjo frymë mungon. Në këtë drejtim, Papa mirëpriti një nismë që do të bëhet në Romë:

“Jam shumë i kënaqur që nesër do të luteni për paqen në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere”.

Së fundi, Françesku i inkurajoi murgjërit budistë tajlandezë "të vazhdojnë dialogun dhe bashkëpunimin, veçanërisht me Kishën Katolike në Tajlandë, me frymën e miqësisë së vazhdueshme".

27 maj 2024, 11:58