Papa: "në Kinë feja e ruajtur nga populli i Zotit tregon rrugën drejt së ardhmes"
R.SH. / Vatikan
Rruga e Kishës në Kinë ka kaluar nëpër “sprova e kohëra të vështira", por "feja e popullit të Zotit ka qenë busulla që tregoi rrugën". Dhe është një rrugë e cila u përshkua edhe në saje të dëshmisë së katolikëve që "në bashkim me ipeshkvin e Romës, Papën, ecin në kohën e sotme" në Kinë. Të vetëdijshëm se "ata që ndjekin Jezusin e duan paqen dhe e gjejnë veten së bashku me të gjithë ata që punojnë për paqen, në një kohë në të cilën shohim forca çnjerëzore që veprojnë, me sa duket, sikur të donin të përshpejtonin fundin e botës".
Kështu tha Papa Françesku në një video-mesazh drejtuar pjesëmarrësve të konferencës së promovuar, më 21 maj, nga Universiteti Papnor Urbaniana dhe Agjenzia Fides me rastin e njëqindvjetorit të Concilium Sinense, Kuvendit të parë dhe deri më tani të vetëm të Kishës Katolike Kineze, që u zhvillua në Shanghai midis majit dhe qershorit të vitit 1924.
Një ditë kjo që mbledh së bashku, në konferencë, studiues dhe klerikë, shumë prej të cilëve nga Kina kontinentale, për të reflektuar mbi historinë e kësaj ngjarjeje, por edhe mbi implikimet e saj për Kishën sot në Kinë. E rëndësishme në këtë kuptim është prania në takimin e Romës e ipeshkvit të Shangait, Imzot Jozef Shen Bin, i cili drejton Këshillin e Ipeshkvijve Kinez, një organizëm "zyrtar" i qeverisë së Pekinit.
Në video-mesazh, Papa Françesku, pranë fugures së Zojës së Bekuar të Sheshanit, të nderuar në Kinë, kujtoi se njëqindvjetori i Kuvendit Kishtar të Shangait "përfaqëson, për shumë arsye, një rast të çmuar", përkujtimi i të cilit "mund t'i sugjerojë gjithë Kishës rrugë të reja dhe shtigje të hapura që duhen ndërmarrë me guxim për të shpallur dhe për të dëshmuar Ungjillin në realitetin e tanishëm".
“Etërit e mbledhur në Concilium Sinense – kujtoi Papa – ishin pothuajse të gjithë nga vende të largëta, para Kuvendit Kishtar të Shangait shumë prej tyre nuk kanë qenë ende gati të shqyrtonin mundësinë për t'ua besuar udhëheqjen e dioqezave kishtare meshtarëve dhe ipeshkvijve të lindur në Kinë. Më pas, të mbledhur në Koncil, ata bënë një rrugëtim të vërtetë sinodal dhe të gjithë nënshkruan udhëzimet që hapnin shtigje të reja në mënyrë që Kisha , madje edhe Kina Katolike, të mund të kishte gjithnjë e më shumë një fytyrë kineze. Ata e kuptuan se ky ishte hapi që duhej ndërmarrë, që mesazhi i shpëtimit që vjen nga Krishti të mund të arrijë te çdo komunitet njerëzor dhe te çdo person, vetëm nëse transmetohet në gjuhën amtare". Në këtë aspekt “etërit e Kishës në Kinë ndoqën gjurmët e misionarëve të mëdhenj, si At Matteo Ricci-Lì Mǎdòu; ndoqën rrugën e hapur nga Pali apostull, i cili predikoi se është e nevojshme të bëjmë gjithçka për të gjithë për të shpallur dhe për të dëshmuar Krishtin e ngjallur".
Duke cituar veprën themelore të kryeipeshkvit Celso Costantini, delegatit të parë apostolik në Kinë, i cili ishte organizatori dhe udhërrëfyesi i madh i kësaj ngjarjeje historike, Papa Françesku nënvizoi se në Kuvendi Kishtar i Shangait “nuk bëhej fjalë për 'ndryshim strategjie', por ndjekjen e rrugës në përkim me natyrën e Kishës dhe misionin e saj, duke besuar e mbështetur vetëm në hirin e Krishtit. Pjesëmarrësit e Kuvendit të Parë të Kishës në Kinë ‘Concilium Sinense’ shikuan nga e ardhmja. Dhe e ardhmja e tyre është e tashmja jonë”.
“Udha e Kishës përgjatë historisë ka kaluar dhe kalon nëpër shtigje të papritura, madje edhe nëpër kohë sprovash të vështira – vuri në dukje më tej Papa –. Krishti, në Kinë, e ka ruajtur fenë e popullit të Hyjit. Dhe feja e popullit të Zotit ka qenë busulla që ka treguar rrugën gjatë gjithë kësaj kohe, para dhe pas Kuvendit kishtar të Shangait, deri sot”. Në kontekstin në të cilin jetojnë, të krishterët kinezë e “dëshmojnë fenë e tyre edhe me vepra mëshire e bamirësie, dhe me dëshminë e tyre japin një kontribut të vërtetë për harmoninë e bashkëjetesës shoqërore, për ndërtimin e shtëpisë së përbashkët”.
“Ata që ndjekin Jezusin e duan paqen – tha Papa Françesku – dhe e gjejnë veten së bashku me të gjithë ata që punojnë për paqen, në një kohë kur shohim forca çnjerëzore që duket se duan të përshpejtojnë fundin e botës”.
Së fundi, Papa kujtoi se si në këto ditë "shumë nga vëllezërit dhe motrat tona kineze shkojnë në shtegtim në Shenjtëroren e Zojës së Sheshanit, për t'ia besuar lutjet dhe shpresat e tyre ndërmjetësimit të Nënës së Jezusit. Pas pak ditësh, më 24 maj, festë e Marisë Ndihmëtare të të Krishterëve, Kisha në mbarë botën do të lutet me vëllezërit dhe motrat e Kishës në Kinë, siç kërkoi Papa Benedikti XVI në letrën e tij drejtuar katolikëve kinezë”.
“Edhe unë ngjitem, në mënyrë ideale, në kodrën e Shenjtërores së Zojës së Sheshanit – përfundoi Papa Françesku –. Dhe të gjithë së bashku ia besojmë Zojës së Bekuar, Ndihma e të Krishterëve, vëllezërit dhe motrat tona në fe që janë në Kinë, mbarë popullin kinez dhe gjithë botën tonë të varfër, duke kërkuar ndërmjetësimin e saj, që paqja të fitojë gjithmonë kudo”.