Papa duke folur me delegacionin nga Universiteti Loyola i Çikagos (Media e Vatikanit) Papa duke folur me delegacionin nga Universiteti Loyola i Çikagos (Media e Vatikanit)  (Vatican Media)

Papa: në krizën e sotme botërore, të gjithë duhet të jetojnë me dinjitet

Në audiencën me drejtuesit e Universitetit Loyola të Çikagos, Françesku nënvizoi se ndjehet nevoja për burra dhe gra të gatshme për të punuar në mënyrë që "bota të gjejë paqen". Në këto “ndryshime të shpejta” e “sfida gjithnjë më të ndërlikuara”, roli i universiteteve është vendimtar - kujtoi – e edhe edukimi e transmetimi i njohurive". E është edhe "angazhim e metodë për të formuar njerëz të aftë, që mishërojnë vlerat e pajtimit dhe të drejtësisë".

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku shqetësohet nga "situata aktuale e krizës së rendit botëror", ashtu si drejtuesit e Universitetit Loyola të Çikagos, në shtegtim ndër viset ku jetoi Shën Injaci i Lojolës, pritur në audiencë sot, 20 maj, në Sallën e Papëve të Pallatit Apostolik. Fjalët e para që shqiptoi Françesku ishin: “Sot duket se mungon horizonti i shpresës”:

“E pa shpresë nuk mund të jetosh. Të mos harrojmë shpresën, e cila është spiranca në breg e ne kapemi për litarin. Shpresa nuk të zhgënjen kurrë”.

Të vihen aftësitë në shërbim të të tjerëve

“Kultivoni kureshtjen intelektuale, frymën e bashkëpunimit dhe të ndjeshmërisë” ndaj sfidave të sotme, duke punuar për vazhdimësinë e “trashëgimisë së Shën Injacit”, ky është inkurajimi që u dha Papa krerëve të universitetit:

“Ndjehet nevoja për burra dhe gra, që janë të gatshëm t'i vënë aftësitë e tyre në shërbim të të tjerëve, që punojnë për një të ardhme në të cilën gjithkush mund të zhvillojë aftësitë e veta për të jetuar me dinjitet dhe respekt, e edhe bota mund të gjejë paqe”.

Edukimi i formon njerëzit

Për Papën, në këtë "çast historik me ndryshime të shpejta dhe sfida gjithnjë e më të ndërlikuara, roli i institucioneve akademike është vendimtar", sepse detyra e tyre nuk është vetëm "të formojnë mendje të ndritura, por edhe të kultivojnë zemra bujare dhe ndërgjegje të kujdesshme për dinjitetin e çdo njeriu”. Edukimi, saktëson Françesku, ka "tre kate": kokën, zemrën dhe duart: "të mendosh çka ndjen dhe të bësh çka mendon”.

“Edukimi, si dhe transmetimi i njohurive - i vërteti - është angazhim dhe metodë e përgatitjes së njerëzve të aftë për të mishëruar vlerat e pajtimit dhe të drejtësisë në çdo aspekt të jetës së tyre. Mendja, zemra dhe duart nuk mund të rriten mirë veçmas; vetëm së bashku mund t’i shërbejnë realitetit dhe nevojave të kohës. Ju uroj që të formoni ‘ëndërrimtarë punëtorë’ e të jeni edhe ju vetë të tillë, para së gjithash”.

Në jetë, që të mund të ecësh përpara, duhet të “ëndërrosh” - vazhdoi Papa - e atij që nuk e ka këtë aftësi, i mungon “krijimtaria” dhe “poezia”. Por pa këtë të fundit jeta “nuk është jetë”.

Kërkoni të vërtetën përmes studimit, dëgjimit dhe veprimit

Drejtuesve të Universitetit Loyola në Çikago, Papa u kërkoi të ruajnë gjithnjë "dëshirën për të ecur", "për të shkuar në kërkim të kuptimit të jetës" e edhe të kthehen tek rrënjët, duke marrë forcë prej tyre "për të ecur përpara". Të rishikojnë edhe përvojën e përshpirtërinë e Shën Injacit të Lojolës, "i cili e vinte gjithnjë Zotin në radhë të parë dhe ishte në kërkim të vazhdueshëm të vullnetit të Atij të Lumit". E, për këtë arsye qe  pushtuar nga dëshira e zjarrtë për shërbim. Për të shkuar përpara, për të shërbyer. Françesku shprehu dëshirën që "rruga shpirtërore" e themeluesit të Shoqërisë së Jezusit, e karakterizuar nga "dallimi dhe përkushtimi ndaj drejtësisë", të mund jetë ende udhërrëfyese:

“Kjo traditë ju fton sot të kërkoni të vërtetën përmes studimit serioz, dëgjimit të kujdesshëm dhe veprimit të guximshëm. Ne ju inkurajojmë që të ngulmoni në këtë rrugë, të jeni dëshmitarë të shpresës në një botë të përshkuar shpesh nga përçarje dhe konflikte; faleminderit Zotit që ka konflikte, por konfliktet zgjidhen në një nivel tjetër, më të lartë. Konfliktet na bëjnë të ecim nëpër labirinte dhe nga labirinti, të dalim nga lart dhe jo vetëm. Konflikti na shtyn të punojmë”.

Kujdesi për dialogun ndërkulturor dhe ndërfetar

Në rrugën që na pret, duhet të "kultivojmë frymën kritike, aftësinë për dallim dhe ndjeshmërinë ndaj sfidave globale" - shtoi Papa - i cili u kërkoi atyre që bëjnë pjesë në Universitetin e Jezuitëve ta pyesin gjithnjë veten se si të "kontribuojnë për ta bërë botën vend më të mirë”.

Së fundi, edhe një rekomandim: “për të nxitur mirëkuptimin reciprok, bashkëpunimin dhe ndërtimin e urave ndërmjet traditave, kulturave dhe botëkuptimeve të ndryshme”, duhet të kujdesemi për “dialogun ndërkulturor dhe ndërfetar”.

20 maj 2024, 13:10