Kërko

Françesku në stadiumin e Romës: tek fëmijët, gjithçka flet për jetën dhe paqen në botë

Papa dhe fëmijët, festë e madhe për të kërkuar paqe. Ngjarje e jashtëzakonshme në stadiumin Olimpik të Romës me këngë, valle e dëshmi, edhe nga Betlehemi e Kharkivi. Tek ju, fëmijët, tha Papa, gjithçka flet për jetën dhe të ardhmen në paqe. U mblodhëm këtu, në stadiumin Olimpik, për të "filluar" një lëvizje djemsh dhe vajzash, që duan të ndërtojnë botën e paqes, ku të gjithë të jemi vëllezër, botë që ka të ardhme, sepse ne duam të kujdesemi për mjedisin që na rrethon".

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku dhe fëmijët, një festë e madhe për të kërkuar paqe. Një event mbajtur në stadiumin Olimpik të Romës me këngë, valle dhe dëshmi. Pesëdhjetë mijë në stadiumin Olimpik të Romës, sot  pasdite, për të lartuar zërin, së bashku me Papën Françesku: "PAQE". Kjo është fjala që u përdor më së shpeshti në fjalimin e Papës por edhe në dëshmitë e të vegjëlve. Fëmijët, tah Papa, mund të bëjnë një revolucion duke hapur zemrat e të rriturve. Fëmijët këndojnë e brohorasin. Është Dita e parë Botërore e Fëmijëve që ka mbledhur fëmijë nga mbi njëqind kombësi e vende të ndryshme të botës, e edhe nga vende që janë të stërmunduara nga lufta, si Ukraina dhe Palestina.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe disa yje të spektaklit e sportit nga Italia si, Renato Zero, Lino Banfi, Al Bano, Matteo Garrone, ministri italian i sportit Andrea Abodi, Giovanni Malagò, Gigi Buffon. Por mbi të gjitha janë ata, fëmijët, të cilëve Papa i beson tani një detyrë, fillimin e "ndërtimit të një bote më të mirë", "duke luajtur me të tjerët" dhe duke menduar se "the paqja është gjithmonë e mundur". Kështu Papa thirri njërin prej tyre dhe i shtrëngon duart. "Ky është një gjest paqeje," tha Papa, duke i ftuar të gjithë bëjnë të njëjtën gjest me personin pranë tyre. 

Në vazhdim fjala e Papës me rastin e Ditës së Parë Botërore të Fëmijëve:

DITA I BOTËRORE E DJEMVE DHE VAJZAVE

PËRSHËNDETJA E ATIT TË SHENJTË

Stadiumi Olimpik, 25 maj 2024

Zoti i bën të të reja gjitha sendet: tokë të e e qiell të ri!  

Të dashur vogëlushë e voglushe, djem dhe vajza!

Ja ku jemi! Aventura e DBF - Ditës Botërore të Fëmijëve, filloi! Jemi mbledhur këtu, në stadiumin Olimpik, për të "filluar" një lëvizje djemsh dhe vajzash, që duan të ndërtojnë një botë paqeje, ku të gjithë të jemi vëllezër, një botë që ka të ardhme, sepse ne duam të kujdesemi për mjedisin që na rrethon. Një “botë të bukur”, thotë kënga juaj. Faleminderit për këtë!

Tek ju, fëmijë, gjithçka flet për jetën dhe të ardhmen. E Kisha, që është nënë, ju mirëpret dhe ju shoqëron me butësi e shpresë. Më 7 nëntorin e kaluar pata gëzimin të mirëpres në Vatikan disa mijëra fëmijë nga shumë pjesë të botës. Atë ditë sollët një valë gëzimi; dhe bëtë pyetjet tuaja për të ardhmen. Ai takim la gjurmë në zemrën time, u luta dhe kuptova se ajo bisedë me ju duhej të vazhdonte dhe të shtrihej në shumë fëmijë dhe të rinj të tjerë. E kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot: të vazhdojmë të dialogojmë, të bëjmë pyetje dhe të kërkojmë përgjigje së bashku.

E di se jeni të trishtuar nga luftërat, të cilat shkaktojnë kaq shumë vdekje dhe vuajtje. Jeni të shqetësuar për ndryshimin e klimës dhe pasojat e tij. Të trishtuar, sepse shumë nga bashkëmoshatarët tuaj nuk mund të shkojnë në shkollë, për shkak të luftërave ose përmbytjeve, thatësirës, ​​mungesës së ushqimit dhe të kujdesit mjekësor. Janë realitete që edhe unë i kam në zemër dhe ia paraqes Zotit në lutje. Sot e bëjmë këtë së bashku!

E dini, ka një gjë që më ka goditur shumë. Disa fëmijë ukrainas erdhën për të më vizituar: atdheu i tyre, familjet e tyre vuajnë shumë nga lufta. Pashë se atyre fëmijëve u humbi buzëqeshja. Lufta e fshiu buzëqeshjen nga fytyrat e tyre. Kjo është e papranueshme! Dhe sot së bashku me ju dua t'i them "jo" këtij përbindëshi që zhduk buzëqeshjen e fëmijëve. Po ju pyes: si quhet ky përbindësh që grabitë buzëqeshjen e fëmijëve? [lufta] Thuajeni me zë të lartë, si e ka emrin? [luftë!]. E çfarë duhet për ta rikthyer buzëqeshjen? [paqe] Le ta themi të gjithë: [paqe!]

Ja pra, të dashur fëmijë dhe adoleshentë. Dikush ndoshta mendon se, përveç buzëqeshjes suaj, ju rrëmbehen edhe ëndrrat tuaja. Por më thoni, a do ta lejoni që t’ju vidhen ëndrrat? Pra, do të vazhdoni të ëndërroni? Epo! Ju lumtë! Ju falënderoj për këtë, sepse në këtë mënyrë, së bashku me ju, mund të ndërtojmë ditë pas dite një botë më të bukur, më paqësore, më të banueshme për të gjithë. Faleminderit!

Dëgjoni: a e dini cila është motoja e kësaj Dite Botërore të Fëmijëve? Motoja, titulli i ditës? Është marrë nga Bibla, nga libri i fundit i Biblës, Zbulesa. Krejt në fund, Zoti, i cili është ulur në fronin e tij, shqipton këto fjalë: "Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat" (21,5). Kjo është motoja. Është e bukur, apo jo? Mendoni për këtë: Zoti, i cili mbretëron mbi të gjithë universin, thotë solemnisht: "Ja, unë i bëj të reja gjitha sendet". Çdo gjë që është “e vjetër”, pra, çdo gjë që është e keqe, që është negative, që sjell vdekje dhe vuajtje, e gjithë kjo do të zhduket, nuk do të jetë më. Dhe do të ketë "një qiell të ri dhe një tokë të re" (Zbulesa 21,1), ku mbretërojnë dashuria, gëzimi dhe paqja. Kjo është “ëndrra” e Zotit! Ju pëlqen?

Epo mirë! Kështu që unë mund t’ju bëj një pyetje impenjative: a doni të bashkëpunoni me Zotin për ta realizuar këtë ëndërr? Me të drejtë dëshironi ta mendoni me kujdes, sepse është zgjedhje e rëndësishme. Pra, a jeni të bindur? Ju lumtë! Kështu që unë do t'ju tregoj se si mund të bashkëpunoni me Hyjin për ta rinuar botën. Në të vërtetë, si mund ta bëjmë këtë, sepse ajo na përket të gjithëve dhe është e njëjtë për të gjithë: ne duhet të ndjekim dhe të imitojmë Jezusin, të duhemi, siç na deshi Ai. Këtë duhet të bëjmë, domethënë ta jetojmë Ungjillin, të përpiqemi ta zbatojmë atë në jetën tonë të përditshme.

E dua t'ju jap edhe një shembull për ta imituar: të një djali si ju, që quhet Karlo, Karlo Acutis. Unë mendoj se shumë prej jush e njohin. Karlo u shpall i lum dhe së shpejti do të kem gëzimin ta shpall edhe shenjt. Ai ishte fëmijë i dashuruar me Jezusin, veçanërisht me Eukaristinë ndaj, me dashurinë e Zotit në zemër, bëri shumë të mira për prindërit, miqtë dhe të varfërit që takoi. Jua lë ju si mik të mirë!

Të dashur vajza dhe djem, Jezusi në Ungjill tha se ju do, se ju do pranë Tij. Atëherë ai tha: “Lërini fëmijët të vijnë tek unë, mos i pengoni: Mbretëria e Zotit u përket atyre, që janë si ata; me të vërtetë po ju them: kushdo që nuk e pranon Mbretërinë e Perëndisë si fëmijë dhe nuk e mirëpret, ai nuk do të hyjë në të.” Dhe, si i mori në krahë, i bekoi, duke i vënë duart mbi ta” (Mk 10,14-16). Sa bukur! Ai dëshiron përsëri të bëjë të njëjtën gjë: Jezusi dëshiron të të takojë dhe të të bekojë, dhe të thotë se je më afër Mbretërisë së tij, në botën e re që e krijoi.

Atëhere po ju jap disa këshilla të rëndësishme: lexoni pak nga Ungjilli çdo ditë, një pjesë të vogël çdo ditë. Prindërit, katekistët, mësuesit do t'ju ndihmojnë ta merrni vesh kuptimin; por, ju lutem, lexojeni atë dhe kërkojini Shpirtit Shenjt t'ju bëjë ta kuptoni dhe ta zbatoni në praktikë. A jeni dakord? A dëshironi të zotoheni për ta lexuar Ungjillin çdo ditë? Jini të guximshëm, sepse duhet guxim për të ndjekur Ungjillin, duhet guxim, por është rruga drejt lumturisë!

Të dashur vajza e djem, faleminderit që pranuat ftesën time për të qenë këtu së bashku! Zoti mund të bëjë gjëra të mëdha nëse jemi bashkë me njëri-tjetrin dhe me Jezusin, një familje e madhe sa bota.

Faleminderit, dhe ju lutem mos harroni të luteni për mua!

25 maj 2024, 15:46