Kërko

Françesku të rinjve: jini shenjë paqeje në një botë luftërash, shkoni kundër rrymës

Françesku bisedon me fëmijët e Veronës. U përgjigjet pyetjeve të atyre, që duan të dinë si veprohet në jetë për t'u ndjerë mirë si të krishterë dhe si mund të jesh apostull i së mirës në një botë plot me konflikte, si ato në Tokën Shenjte, Ukrainë, Afrikë dhe Mianmar. Duhet të jemi shenjë paqeje, të bashkëndajmë me të tjerët gjithmonë”, “të dëgjojmë të tjerët, të luajmë me të tjerët, por mos të grindemi me të tjerët”.

R.SH.  - Vatikan

Rëndësia për të ndjekur thirrjen e Jezusit, për të qenë shenja paqeje në një botë të përshkuar nga "shumë e shumë luftëra", si ato në Ukrainë, në Tokën Shenjte, Afrikë dhe Mianmar, guximi për të shkuar kundër rrymës, për të ruajtur fenë... Françesku u përgjigjet pyetjeve të rreth 7 mijë të rinjve të pranishëm në oborrin e Bazilikës së Shën Zenos, në Veronë, duke i porositur si të sillen për t'u ndjerë mirë si të krishterë, domethënë, duke u nisur pikërisht nga ndjekja e thirrjes së Jezusit, sepse "të bën të ndihesh mirë”, ndryshe nga nga ajo që ndjen “kur ndihesh keq”.

Dëgjoni thirrjen e Jezusit

Rruga që duhet ndjekur është po ajo, që morën dishepujt, të cilët “nuk ishin të përsosur, ishin njerëz të zakonshëm” - pohoi Papa e vijoi me pyetjen, që duhet t’i bëjnë vetes fëmijët e të rinjtë: “Po unë, që jam vajzë e vogël, djalë i zakonshëm, si mund ta dëgjoj thirrjen e Jezusit?". Prej këndej, reflektimi ofruar të rinjve për kuptimin e thellë të ndjenjave të mira, duke u nisur nga shembulli i dashurisë për familjen, nënën, babain, gjyshërit dhe nga kënaqësia që ndjen kur bën një vepër të mirë:

Për shembull, nëse keni dy karamele e ia jepni njërën tjetrit ose nëse shihni një njeri në nevojë dhe i jepni një lëmoshë, a ndiheni mirë? "Po, shumë!". Muy bien… e kur ti thua një gënjeshtër, për shembull, a ndihesh mirë?. "Jo!!!". Të lumtë, të lumtë... dhe kur grindesh me vëllanë dhe motrën a ndihesh mirë? "Jooo!".

Kur Jezusi flet, kjo na bën të ndihemi mirë - vazhdoi Françesku - "na bën të ndiejmë gëzim në zemrat tona", nuk na bën të ndihemi si ai që bën keq ose si "djalli" që vjen për të na thënë diçka. Të keqe, si është edhe ai vetë!

Pra, ju e keni kuptuar mirë se çfarë ndjejmë kur vjen Jezusi dhe çfarë ndiejmë kur ndodh diçka e keqe. E keni kuptuar drejt? "Po!". Kur vjen Jezusi, si ndihemi ne? "Epo…!" dhe kur nëse shohim apo bëjmë një gjë të keqe si ndihemi? "Keq!". Ah, bravo, bravo! Guxim! Përgëzime!

Të jesh shenjë e paqes në botë

Në pyetjen e dytë, Françesku dëgjon dëshirën e fëmijëve për të qenë, si dishepujt e Jezusit, "shenjë paqeje në botë". Në një botë të përmbysur nga "shumë e shumë luftëra", të cilat "qoftë Ukraina, apo Toka Shenjte, Afrika a Mianmari", u shpjegon Papa.  Ashtu si Jezusi që predikon paqen dhe i dërgon dishepujt e tij për ta bërë këtë në gjithë botën, edhe fëmijët mund të jenë apostuj që predikojnë përhapjen e së mirës.

Duhet të jemi shenjë paqeje: të ndash është gjë e mirë, të dëgjosh të tjerët, të luash me të tjerët, por jo të grindesh me të tjerët... ta themi së bashku: Duhet të jemi shenjë paqeje! Së bashku… “Duhet të jemi shenjë paqeje!”. Ju jeni të mirë, ju jeni të mirë! Përgëzime! Tani pyetja e fundit... pra tortura ka mbaruar (Ata qeshin). Pyetja e fundit... “Është torturë e bukur!”. (Ata qeshin)

Kundërrrymës, për të ruajtur besimin

Tortura, siç e quan me shaka Françesku, arrin tek pyetja e fundit e nxënësve të klasës së tetë, që po bëjnë Festën e kalimit, çast domethënës në jetën e tyre, kur festohet kalimi në adoleshencë. Pyesin, pra:

“Si mund ta ruajmë fenë në çastet kur gjithçka është e errët, e vështirë, për shembull, si mund të ruajmë përballë vdekjes së një njeriu shumë të dashur, gjyshërve, xhaxhallarëve apo edhe ndonjëherë babit a mamit? Në këto vështirësi, ne kohë të vështira, të vështira, si mund ta ruajmë fenë?”.

Janë zgjedhje kundër rrymës, që na ndihmojnë ta bëjmë këtë - gjejget Papa – e në përfundim është ai që u bën pyetje:

Këtë pyetje po jua bëj unë juve ... ndonjë guximtari që përgjigjet ... Si mund të bëni për të shkuar kundër rrymës? ‘Duke dëgjuar zemrën!’. Bravo! Një tjetër… ‘Të kesh guxim!’. Epo, mirë, më fort… ‘Të kesh guxim!’. Të lumtë, të lumtë! Kështu më pëlqen... dëgjoni një gjë: mos kini frikë të shkoni kundër rrymës, nëse dëshironi të bëni diçka të mirë, a e kuptoni? "Po!" E, a duhet të kemi frikë të shkojmë kundër rrymës? "Jo!". Ah, ju jeni të mirë! Faleminderit të dashur, faleminderit!

18 maj 2024, 10:29