Papa mbyll punimet e Scholas Occurrentes: nëse dhimbja hyn në zemër, është helmuese
R.SH. / Vatikan
Në prani të Papës Françesku, dje, në Sallën e Re të Sinodit, u mbyllën punimet e Takimit Ndërkombëtar të Sensit, organizuar nga Scholas Occurrentes dhe Banka e Zhvillimit e Amerikës Latine e Karaibeve (CAF). Pjesëmarrës, disa rektorë nga universitetet kryesore të botës, personalitete të kulturës, politikës dhe teknologjisë, të rinj me ndikim në bashkësitë e tyre dhe artistë. Objektivi i takimit ishte kërkimi i zgjidhjeve konkrete për sfidat e Universitetit të Sensit, drejtimin e të cilit Papa ia besoi Lëvizjes Arsimore Ndërkombëtare Scholas Occurrentes.
Kur dhimbja shndërrohet në gëzim për të tjerët, është e frytshme
Teknologjia, mjedisi dhe shëndeti mendor ishin temat mbi të cilat punuan për tre ditë pjesëmarrësit, të cilët ia paraqiten përfundimet e tyre Papës, në një atmosferë familjare e gazmore. “Kur dhimbja shndërrohet në ndihmë për të tjerët, është e frytshme” - pohoi Papa - duke iu përgjigjur një gruaje të re, që pyeti si mund të vazhdojë të jetojë dashuria, pavarësisht nga vuajtjet e pësuara.
“Rreziku është që dhimbja të ta mbyllë zemrën, ndërsa zemrën duhet ta kesh gjithmonë të hapur”- shpjegoi Françesku e në vijim, i ftoi të gjithë të edukojnë me shpresë, sepse kur dhimbja ngërthehet në zemër “është helmuese, gjithmonë”. Një djalë e pyeti mbi rëndësinë e artit e Papa nënvizoi se "arti të hap horizontin. Arti të çliron, të projekton deri në fund, të bën të ecësh përpara". E në vijim citoi një fragment nga një poezi e Borges-it, duke kujtuar edhe se kur ishte i vogël, së bashku me vëllezërit e tij kalonin shumë kohë te gjyshja e tyre, ose dëgjonin babain, kur u lexonte librin “Zemra” të De Amicis.
Mos e humbni aftësinë tuaj për të luajtur
Një artist kolumbian ndërhyu nga asambleja. Papa u kënaq duke e dëgjuar dhe kur djali i nxiti të pranishmit të duartrokasin me ritëm, edhe Françesku “u infektua”, domethënë nisi të rrahë shuplakë. Sepse "çelësi i gjithçkaje është aftësia për të luajtur. E aftësia e vërtetë për të luajtur, është krijuese", këmbënguli. E këtë e pohoi pas dëshmisë së një gruaje të re që kishte vështirësi në ecje, por që megjithatë, i ftoi të pranishmit të përfshihen në çdo mjedis. Ajo u kujtoi të pranishmëve se në moshën 12-vjeçare ishte viktimë e bullizmit dhe se mbeti jashtë sistemit për gjashtë muaj derisa shoqata Teresiana i dha shtytje dhe besim të ri. Krijoi një themel dhe i dorëzoi Papës parimet mbi të cilat qëndron.
Një edukim i shëndetshëm integron mendjen, duart dhe zemrën
Konteksti vë në qendër edukimin e njeriut. Promovon kulturën e takimit në këndvështrimin e shpresuar nga Papa argjentinas. E kjo, sepse ideja e themelimit të një lëvizjeje të këtij lloji lindi pikërisht në Argjentinë. Universiteti i Kuptimit nuk duhet të humbasë marrëdhënien ndërmjet tri gjuhëve: "të duarve", "të zemrës" dhe "të kokës". Kështu përsëriti Papa Françesku, i cili kujdeset shumë për këtë përmasë të integruar të njeriut. Pas Papës, foli edhe Ambasadorja e Bolivisë, duke u ndaluar tek tema e integrimit të fesë me jetën. Më pas mori kitarren, këndoi një këngë dhe shpjegoi se në vendin e saj, me 36 kombësi, njerëzit janë shumë të gëzuar, pavarësisht nga fakti se shumë fëmijë rrojnë në varfëri.
Takimi përfundoi me Papën, që kishte në dorë një “top leckash”, simbol i një loje varfanjakësh. Kujtoi kohën e fëmijërisë, kur luante me të, dhe ftoi për ta zbuluar mistikën që ka brenda.