Papa: njerëzimi vazhdon të bëjë kërdi mbi Krijimin. Shpirti Shenjt na bën njerëz të rinj
R.SH. - Vatikan
“Shpirti dhe Nusja! Shpirti Shenjt i prin popullit të Zotit drejt takimit me Jezusin, shpresa jonë": kjo është tema e ciklit të ri të katekizmit, që Françesku ua propozoi besimtarëve, duke nisur që sot, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës e duke përshkuar tri etapat e mëdha të historisë së shëlbimit: Testamendin e Vjetër - apo Besëlidhjen e Vjetër, të Riun - apo Besëlidhjen e Re dhe kohën e Kishës, Nuses. "Me sytë e ngulur gjithnjë te Jezusi".
Nga kaosi, në kozmos
Pikënisja e reflektimit të parë të sotëm në Sheshin e Shën Pjetrit ishte veprimi i Shpirtit Shenjt sipas Besëlidhjes së Vjetër, përshkruar kështu në Librin e Zanafillës: Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; terri e mbulonte humnerën dhe fryma e Hyjit endej përmbi ujëra:
“Shpirti i Hyjit u duk si fuqi misterioze që e bën botën të shndërrohet nga gjendja e saj fillestare pa formë, e shkretë dhe e errët, në gjendjen e rregullt dhe plot harmoni. Sepse Shpirti Shenjt krijon harmoni, harmoni në jetë, harmoni në botë. Me fjalë të tjera, është Ai që bën të kalohet nga kaosi, në kozmos, domethënë nga pështjellimi, në diçka të bukur dhe të rregullt”.
Krijimi vuan për shkak të mëkatit të njerëzimit
Nga ndërhyrja e Shpirtit Shenjt në krijimin e botës, kalojmë në Beslidhjen e Re në një prani që, siç thotë Psalmi, ia rinon faqen tokës. Shën Pali Apostull - vijoi Papa - më pas përdor një element të ri në marrëdhënien ndërmjet Shpirtit dhe krijimit, duke folur për një univers - a gjithësi - që "rënkon dhe vuan si në dhembjet e lindjes", për shkak të njeriut:
Është realitet, që ka të bëjë ngushtësisht me ne e që na prek dramatikisht. Apostulli e shikon shkakun e vuajtjes së krijimit në shthurjen dhe mëkatin, që e zvarrit njerëzimin larg Zotit. Kjo mbetet po aq e vërtetë edhe sot, ashtu si atëherë. Shikojmë kërdinë që njerëzimi ia bëri e vijon t’ia bëjë krijimit, veçanërisht asaj pjese, së cilës ka mundësitë më të mëdha për t’ia shfrytëzuar burimet”.
Papa citon Shën Françeskun si Shenjtin, që na tregon "rrugën e kundrimit dhe të lavdit" për ta rivendosur harmoninë e zanafillës. "E kjo do të thotë - shpjegon Papa - t’i kundërvësh gëzimin e soditjes, gëzimit të pasjes. E askush nuk i deshi krijesat, më shumë se Françesku i Asizit. I deshi, pa i shkruar as nëpër mend t’i zotërojë".
Shpirti na dhuron zemër të re
Ashtu si Shpirti i Krijuesit në fillim e shndërroi "kaosin në kozmos", po ashtu - shpjegoi Papa - Ai dëshiron të sjellë edhe shndërrimin në secilin prej nesh, në zemrat tona të ngjashme "me humnerën e shkretë e të errët" përshkruar në Zanafillë:
Në të ndeshen ndjenjat dhe dëshirat e kundërta: të mishit e të shpirtit. Ne jemi të gjithë, në një farë kuptimi, "mbretëria e ndarë brenda vetes" për të cilën Jezusi flet në Ungjill. Mund të themi se ka një kaos të jashtëm rreth nesh - një kaos social, dhe një kaos politik: të mendojmë për luftërat, të mendojmë për shumë djem e vajza që nuk kanë çfarë të hanë, për padrejtësitë e shumta sociale; ky është kaos i jashtëm. - Por ka edhe një kaos të brendshëm: brenda secilit prej nesh. I pari nuk mund të shërohet, nëse nuk fillojmë të shërojmë të dytin!
Për këtë arsye - vazhdoi akoma Papa Françesku - Kisha kërkon praninë e Shpirtit Shenjt, duke i nxitur besimtarët t’ia drejtojnë Shpirtit thirrjen: "Eja, o shpirt Krijues! Na e vizito mendjen!". Kjo, thirrja e Papës, pasuar nga një thirrje tjetër, me të cilën përfundon takimi i sotëm me besimtarë nga mbarë bota:
"T’i kërkojmë Shpirtit Shenjt të vijë tek ne dhe të na bëjë njerëz të rinj, me risinë e Shpirtit”.
Pali VI, Bari i përflakur nga dashuria
Në përfundim të katekizmit, duke përshëndetur besimtarët italishtfolës, Papa kujtoi se sot kremtohet festa liturgjike e Shën Palit VI. Në vijim, pikturoi me fjalë prekëse portretin e tij shpirtëror. Ai ishte "bari që digjej nga dashuria për Krishtin, për Kishën dhe për njerëzimin". E, në vijim ftoi që "ky përvjetor t’i ndihmojë të gjithë të gëzohen sepse janë të krishterë, e të punojnë përsëri për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë. Në përfundim, porosia:
"Nëse keni pak kohë, lexojeni Letrën e Palit VI ‘Evangelii nuntiandi’ që është ende aktuale”.