Papa për Katholikentag: "Punoni për paqen përmes lutjes dhe dialogut"
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku u dërgon një mesazh pjesëmarrësve në edicionin e 103-të të Katholikentag (Dita Katolike), takimi kombëtar i katolikëve gjermanë, që u hap dje, më 29 maj, në qytetin e Erfurtit e do të përfundojë më 2 qershor.
"Njeriu i paqes ka të ardhme"
Kremtimi pesëditor, që mbahet çdo vit në qytete të ndryshme, është traditë unike në Gjermani, që daton nga viti 1848. Është ndër ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme shoqërore në vend, ku marrin pjesë jo vetëm laikë katolikë, por edhe udhëheqës politikë dhe fetarë nga Gjermania dhe jashtë vendit, për të kremtuar fenë dhe për të diskutuar tema me ndikim në shoqërinë gjermane. Motoja e zgjedhur për edicionin e këtij viti është: “Njeriu i paqes ka të ardhme”.
Njeriu nuk e përdor më Krijimin sipas qëllimeve të Krijuesit
Në mesazhin e tij, Papa Françesku shpjegon se këto fjalë të Psalmit 37 na tregojnë se paqja u premtohet atyre, që janë të drejtë, që i binden Hyjit dhe besojnë tek Ai. Megjithatë, historikisht, mosbesimi i njerëzimit ndaj Zotit ka sjellë prishjen e harmonisë dhe vuajtje.
“Njeriu nuk e përdor më Krijimin sipas qëllimeve të Krijuesit, por e shpërdoron dhe e keqtrajton atë për ambiciet e tij egoiste, për pushtet dhe përfitim. Kështu vuajtjet dhe vdekja erdhën në botë”.
Papa Françesku vë në dukje se shumë njerëz sot, veçanërisht të rinjtë, ndjejnë nevojën për një kthesë, duke e kuptuar se ka diçka të gabuar në këtë botë. Ky, thekson ai, ishte pikërisht misioni i Jezusit: ta riorientonte njeriun drejt Zotit dhe, bashkë me këtë, të rinovonte dhe të shëronte “marrëdhëniet e tij me vëllezërit, me Krijimin dhe, së fundi e jo më pak e rëndësishme, edhe me Hyjin vetë”.
Pa drejtësi nuk mund të ketë paqe
Jezusi, shpjegoi Papa, solli paqen duke dhënë shpresë dhe duke denoncuar padrejtësitë, shpesh, duke përmbysur vlerat në të cilat besonin njerëzit e kohës, siç vërehet në Predikimin mbi Mal. Paqja e tij, e lindur nga dashuria dhe përkushtimi, shihet përmes Kryqit dhe ringjalljes së Krishtit, që simbolizon faktin se "njeriu i paqes e ka një të ardhme".
“Paqja, që sjell Krishti, bëhet e dukshme kur u jep njerëzve shpresë të re, u jep të ardhme edhe në kohë të vështira: të mënjanuarve, të sëmurëve, atyre që kanë rënë në mëkat”.
Prandaj, të krishterët janë të thirrur ta vazhdojnë misionin e Jezusit, duke ndihmuar të braktisurit dhe duke u impenjuar në jetën publike për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës dhe për t'u dhënë zë atyre që nuk dëgjohen, sepse, përsërit Papa, "pa drejtësi nuk mund të ketë paqe”.
Krizat e ndërlidhura kanë nevojë për zgjidhje kolektive dhe dialog
Ati i Shenjtë dënon shtimin e antisemitizmit, të racizmit dhe të ideologjive të tjera ekstremiste, që kërcënojnë gjithnjë e më shumë të drejtat themelore të njeriut në Evropë e më gjerë. Nënvizon edhe një herë se problemet shoqërore, ekonomike, politike të botës së sotme janë të ndërlidhura ngushtë, prandaj, kërkojnë zgjidhje kolektive, përmes dialogut në të gjitha nivelet e shoqërisë. Papa vë në dukje se Katholikentag ofron një platformë për diskutime të tilla.
“Shqetësimi për natyrën, për drejtësinë ndaj të varfërve, përkushtimi ndaj shoqërisë, mbrojtja e jetës dhe e familjes, mbrojtja e dinjitetit të çdo jete njerëzore si dhe paqja e jashtme dhe e brendshme shkojnë dorë për dore”.
Nxitja e dialogut ekumenik dhe ndërfetar
Mesazhi vlerëson veçanërisht nxitjen e dialogut ekumenik dhe ndërfetar nga ana e katolikëve gjermanë, thelbësor për ndërtimin e një ardhmërie në paqe. Duke vënë në dukje se motoja e Ditëve Katolike është inkurajim për ta ndjekur këtë rrugë, Papa Françesku përfundon duke i ftuar pjesëmarrësit të luten për paqen dhe për njëri-tjetrin, me dëshirën që Katholikentag t’u sjellë "pasurim të madh shpirtëror".