Papa, peshkopëve anglikanë: për primatin papnor duhet "dialog me durim”
R.SH. – Vatikan
Klerikë të lartë të Bashkimit Anglikan ndodhen në Romë këtë javë për Takimin e Primatëve 2024 - i pari i këtij lloji, që mbahet në Qytetin e Amshuar. Sot paradite, 2 maj, pjesëmarrësit, përfshirë kryepeshkopin e Canterbury-t, Justin Welby, u takuan me Papën Françesku në Vatikan.
Histori e gjatë bashkëpunimi
Ati i Shenjtë iu drejtua të pranishmëve, duke e falënderuar kryepeshkopin Welby për ardhjen në Romë e duke vënë në dukje se ai “e filloi shërbimin e tij si kryepeshkop i Canterbury-t gati në të njëjtën kohë me fillesat e mia si Ipeshkëv i Romës”.
"Që atëherë," shtoi Papa, "kemi pasur shumë raste të takohemi, të lutemi së bashku dhe të dëshmojmë për besimin tonë në Zotin. I dashur vëlla Justin, faleminderit për këtë bashkëpunim vëllazëror në emër të Ungjillit!”
Ati i Shenjtë kujtoi në veçanti udhëtimin e përbashkët për paqen në Sudan, në vitin 2023.
Primati papnor
Papa Françesku vazhdoi të falënderojë primatët, që zgjodhën Romën, “Qytetin e Apostujve Pjetër dhe Pal”, si vend për takimin e tyre këtë vit. “E kuptoj”, theksoi Ati i Shenjtë, “që roli i Ipeshkvit të Romës është ende një çështje e diskutueshme, që i përçan të krishterët”. Ai citoi përkufizimin e Papës Gregori i Madh për Ipeshkvin e Romës si “servus servorum Dei”, pra si 'shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit', duke nënvizuar se ai shpreh me saktësi realitetin e autoritetit të Papës, që nuk mund të shkëputet kurrë nga shërbimi i tij ndaj bashkësisë së krishterë.
"Për këtë arsye – vërejti Papa – duhet të impenjohemi në një ‘dialog plot durim e vëllazëror për këtë temë, një dialog i cili, duke lënë pas polemikat e kota’, përpiqet të kuptojë se si mund të zhvillohet shërbesa pjetrine në një shërbim dashurie për të gjithë”.
Fatmirësisht, vuri në dukje Papa, "janë arritur rezultate pozitive në diskutimet e ndryshme ekumenike mbi çështjen e parësisë si ‘dhuratë për t'u ndarë’” me të tjerët.
Apostujt dhe Shpirti Shenjt
Temë tjetër kryesore e fjalës së Papës ishin mësimet që Kisha më e hershme mund të ofrojë për ekumenizmin modern. Veprat e Apostujve kanë të bëjnë sidomos me "përhapjen e gëzueshme të Ungjillit", vuri në dukje Françesku, por autori "nuk i fsheh çastet e tensionit dhe të keqkuptimit, lindur shpesh nga dobësia e dishepujve, apo nga interpretime të ndryshme të marrëdhënieve me traditën e kaluar”. Shpesh harrojmë, nënvizoi Papa, se edhe këta të krishterë të parë - të cilët "e patën njohur Zotin dhe e patën takuar atë si të ringjallur prej së vdekurish" - ishin të ndarë në kuptimin e tyre për fenë. Edhe ne, si ata, këshilloi Françesku, duhet të mësojmë t'ia besojmë vetveten Shpirtit Shenjt.
"Jemi të thirrur – përfundoi Papa - të lutemi dhe ta dëgjojmë njëri-tjetrin, duke kërkuar t’i kuptojmë shqetësimet e njëri-tjetrit, si edhe ta pyesim veten… nëse u jemi bindur dikimeve të Shpirtit Shenjt, apo jemi pre e opinioneve tona personale a grupale”.