Kërko

 Françesku: aleanca shkollë-familje në shërbim të edukimit Françesku: aleanca shkollë-familje në shërbim të edukimit  

Papa, prindërve: e tashmja dhe e ardhmja e shoqërive tona, në qendër të vëmendjes sime

Papa Françesku përshëndet pjesëmarrësit në Kongresin e Shoqatës së Prindërve të Nxënësve të Arsimit Falas, mbledhur në Valencë. Bashkohem me reflektimin e tyre - pohon - sepse të rinjtë dhe familjet, e tashmja dhe e ardhmja e shoqërive tona, janë në qendër të vëmendjes sime. Shoqata, e shpallur në kuadrin e ligjit të vitit 1901, përfaqëson 1.500.000 familje të cilat zgjodhën lirisht t'ia besojnë fëmijët një institucioni arsimor katolik, sipas kontratës me shtetin.

R. SH. - Vatikan

Të dashur prindër, kam kënaqësinë që përmes këtij mesazhi t'ju përshëndes të gjithë ju, përfaqësues të APEL-it, të mbledhur në Valencë rreth kryetarit dhe ipeshkvit shoqërues të shoqatës tuaj. Në këto ditë ju synoni të punoni, të reflektoni dhe të shkëmbeni mendime për misionin tuaj në shërbim të bashkësisë arsimore. Bashkohem me reflektimin tuaj, sepse të rinjtë dhe familjet, e tashmja dhe e ardhmja e shoqërive tona janë në qendër të vëmendjes sime. Shoqatat e prindërve u inkurajuan veçanërisht nga Koncili Dytë i Vatikanit, i cili i nxiti të krishterët të ofronin spontanisht ndihmën e tyre për të ndjekur dhe për të mbështetur gjithë punën e shkollës (shih Koncili II i Vatikanit, Gravissimus Educationis, nr. 6).

Prindërit, arkitektë të edukimit të fëmijëve

 Në Letër, Papa i quan prindërit protagonistët dhe arkitektët parësorë të edukimit të fëmijëve të tyre, por kjo detyrë kërkon ndihmën e të gjithë shoqërisë, duke filluar nga shkolla:

“Aleanca e fortë e shkollës me familjen lejon transmetimin e njohurive dhe njëkohësisht transmetimin e vlerave njerëzore dhe shpirtërore”.

“Kjo aleancë arsimore - kujtoi në vijim Françesku - është mundësi për të nxitur edukimin e gjithanshëm të njeriut, për të garantuar ndërtimin e një bote më njerëzore dhe për të siguruar përmasën e saj shpirtërore. Gjë që do të thotë t'i bësh të rinjtë të zbulojnë planin e Zotit për secilin prej tyre.

 Nga ana tjetër - vijon Papa në Letër - shkolla-bashkësi është mikrokozmos i vërtetë, që hap shtigjet e së ardhmes. Përfshin ata që lidhen drejtpërdrejt në procesin edukativo-arsimor, që nga stafi drejtues dhe administrativ, te mësuesit dhe prindërit, këta të fundit, strumbullari qendror rreth të cilit rrotullohet e gjithë kjo botë e vogël. Kështu ju i jepni jetë një bashkësie e cila, me larmi rolesh, por me përputhje qëllimesh, ka karakteristikat e bashkësisë së krishterë dhe njerëzore, të çimentuar nga bamirësia.

Falënderim, nga Papa

Rruga që duhet ndjekur në këtë fushë - kujton Papa - si në shumë të tjera, mbetet ajo e aleancës, e takimit dhe e bashkëpunimit. Pra, angazhimi juaj si prindër të nxënësve, në shërbim të bashkësive tona arsimore, është i domosdoshëm, dhe unë ju falënderoj për këtë.

“Është një nga shtyllat e Paktit Global Arsimor që ju ftoj ta propozoni me entuziazëm, edhe përballë mendimeve të ndryshme, sepse ‘bindjet fetare në lidhje me kuptimin e shenjtë të jetës njerëzore na lejojnë të njohim vlerat themelore të njerëzimi, vlera, në emër të të cilave ne mund dhe duhet të bashkëpunojmë, të ndërtojmë dhe të dialogojmë, të falim e të rritemi, duke lejuar zërat e ndryshëm  që së bashku të këndojnë një këngë fisnike dhe harmonike" (Letra Enciklike Fratelli tutti, n. 283).

Mos e harroni funksionin pedagogjik të kohës

Ju e dini nga përvoja se edukimi nuk përfundon me mbarimin e shkollës – kujtoi në vijim Papa - efektet e tij shfaqen gjatë gjithë jetës, duke na lejuar të mirëpresim gëzimet dhe sprovat. Ashtu si në shëmbëlltyrën e farës së sinapit (shih Mk 4, 26-29), puna e prindërve dhe e mësuesve, e vështirë -sepse delikate, zhvillohet gjatë stinëve dhe synon të japë fryte të papritura në të ardhmen.

Koha është flori

Ndërkohë, ju ftoj të "përdorni mirë kohën", sipas shprehjes së Shën Palit (Efesianëve 5,16), dhe t'i përballoni me guxim sfidat aktuale - kujtoi në vijim Papa:

 “Po mendoj veçanërisht për sfidën që paraqet inteligjenca artificiale dhe mënyrën se si ajo ndryshon thellësisht, përtej metodave të të mësuarit, mënyrën e të menduarit me rrugë autonome. Për të përballuar këtë sfidë, e cila nuk ka të bëjë vetëm me etikën, por edhe me formimin e inteligjencës dhe të gjykimit të fëmijëve tuaj, gjithë të rinjve, ju siguroj se Kisha është në krahun tuaj. Këtu ka shumë punë dalluese që ju ftoj ta bëni me gjithë komunitetin arsimor dhe dritën e Kishës, sepse kjo lloj sfide nuk mund të përballohet vetëm!”.

 Prandaj – përfundoi Ati i Shenjtë – uroj që këto ditë reflektimi kushtuar "Edukimit për jetën" t'ju ndihmojnë ta bëni shkollën e bashkësinë shkollë të vërtetë jete, e cila i ndihmon fëmijët tuaj të përballojnë një botë të vështirë, por të ndriçuar nga shpresa - shkruan Papa, për të përfunduar me një lutje kushtuar Marisë, në ditën e fundit të majit të saj:

“Shpresë e bazuar mbi premtimet e Krishtit, që nuk zhgënjen. I lutem Virgjërës Mari, nënë dhe mësuese, t’i frymëzojë nismat tuaja dhe angazhimin tuaj për shërbimin e shkollave tuaja: ju ruajtë, ju mbajtë të palëkundur në Krishtin dhe ju bëftë gjithmonë dëshmitarë të dashurisë së tij. Ju bekoj me gjithë zemër ju dhe familjet tuaja, pa harruar bashkësitë arsimore në të cilat punoni”.

Nga Shën Gjoni në Lateran, 13 maj 2024

 Françesku

31 maj 2024, 16:56