Papa priti në audiencë Presidentin e Letonisë

Tridhjetë e pesë minuta dialog të përzemërt midis Papës Françeskut dhe Edgars Rinkevics, i cili më pas u takuan me kardinalin Parolin në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit. Në qendër të bisedimeve konflikti në Ukrainë dhe roli i komunitetit ndërkombëtar në kërkimin e zgjidhjeve paqësore, sfidat e inteligjencës artificiale dhe zhvillimi i teknologjive të reja

R.SH. / Vatikan

Biseda midis Papa Françeskut dhe Presidentit të Republikës së Letonisë, Edgars Rinkevics, i cili u prit në audiencë sot paradite, më 16 maj, në Pallatin Apostolik në Vatikan, i shoqëruar nga një delegacion presidencial, zgjati 35 minuta. Pas bisedimeve të përzemërta, kreu i shtetit shkoi në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit për të takuar Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, i shoqëruar nga Imzot Daniel Pacho, nënsekretar për sektorin shumëpalësh të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit

“Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë – njofton Zyra e Shtypit e Vatikanit – u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Letonisë, u vu në dukje rëndësinë e fesë së krishterë në shoqërinë letoneze”. "Më pas u fol në mënyrë të veçantë - njofton zyra e shtypit e Vatikanit - për konfliktin që vazhdon në Ukrainë, duke vënë në dukje rolin e komunitetit ndërkombëtar për kërkimin e zgjidhjeve paqësore dhe për sfidat që paraqiten nga Inteligjenca Artificiale dhe zhvillimi i teknologjive të reja".

Dhuratat

Në fund të bisedimeve me Papën, pas prezantimit të delegacionit, u bë shkëmbimi tradicional i dhuratave. Papa i dhuroi Presidentit Rinkevics një basoreliev bronzi të titulluar "The welcome", vëllimet e dokumenteve papnore dhe Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2024. Presidenti i ofroi Papës një pllakë argjendi në fotografi "Riga Panorama" nga fotografi Ilmars Znotins i Kancelarisë së Presidencës Letoneze, me skyline të Rigës; së bashku me këtë, edhe stemën e Republikës së Letonisë dhe listën e presidentëve.

16 maj 2024, 13:09