Kërko

2024.05.06 Guardie Svizzere Pontificie, in occasione del giuramento 2024.05.06 Guardie Svizzere Pontificie, in occasione del giuramento

Papa: Rojeve Zvicerane, "faleminderit për shërbimin tuaj bujar e të zellshëm"

Papa pret anëtarët e Korpusit, ardhur së bashku me familjet për festën e tyre. I porosit ta ushqejnë jetën e bashkësisë me sporte dhe shëtitje në Romë, duke shkuar "kundër rrymës" në krahasim me zakonin e shumë të rinjve që rrijnë "vetëm me kompjuterin ose celularin". Lidhur me kazermën e re, që po projektohet: “Do të japë një kontribut të rëndësishëm në ribashkimin e familjeve, tani të shpërndara për shkak të mungesës së hapësirës”. Pasdite betimi i 34 rekrutëve të rinj.

R.SH. / Vatikan

Një falënderim: "Për praninë tuaj" dhe për shërbimin tuaj "bujar e të zellshëm" të përditshëm. Një rekomandim: “Kultivoni në mënyrë aktive dhe intensive jetën komunitare”, ndoshta edhe me udhëtime në Romë apo aktivitete sportive, duke shkuar “kundër rrymës” krahasuar me prirjen e të rinjve “për ta kaluar kohën e lirë vetëm me kompjuterin apo celularin”. Një premtim: “Kazermat e reja, aktualisht në fazën e planifikimit, duhet të japin kontribut të rëndësishëm në ribashkimin e Gardës dhe familjeve, aktualisht të detyruara të jetojnë disi të shpërndarë për shkak të mungesës së hapësirës”.

Papa Françesku pret anëtarët e korpusit të lashtë të Gardës Papnore zvicerane, së bashku me familjarët, ardhur për festën e sotme, përvjetorin e grabitjes së Romës (1527), kur 189 roje zvicerane mbrojtën Papën Klementi VII kundër ushtrisë së Karlit V. Në të njëjtën ditë, sot pasdite, 34 rekrutë të rinj do të betohen mbi flamurin e Korpusit për të mbrojtur Papën dhe të gjithë pasardhësit e tij edhe duke vënë në rrezik jetën e tyre, ashtu si paraardhësit.

Një shërbim i sjellshëm, i vëmendshëm, skrupuloz

Për Papën, kjo është ditë "gjithmonë e pritur dhe e mirëpritur", sepse mundësi e shprehjes publike të mirënjohjes "për praninë dhe shërbimin e Gardës zvicerane".

Marrëdhënie të mira

Marrëdhënia është "përvoja kryesore" për të krishterët, e marrëdhëniet e mira janë "rruga kryesore për rritjen dhe pjekurinë tonë njerëzore dhe të krishterë". Edhe jeta në "familjen e zgjeruar" të Gardës Zvicerane, për të paktën dy vjet shërbim, është "kohë po kaq e rëndësishme dhe formuese për ju" – vijoi Papa - “Nuk është thjesht  periudhë pune, por kohë jete, marrëdhëniesh dhe bashkësie intensive në një shoqëri të larmishme. Kjo larmi dhe ky intensitet i bashkësisë dhe i marrëdhënieve mes jush në mjedisin tuaj të përditshëm të kazermës përbën një aspekt themelor dhe kualifikues për ju”- nënvizoi Françesku.

Kazermat e reja dhe bashkimi i familjeve

Nga ky këndvështrim Françesku flet për kazermat e reja, aktualisht në fazën e planifikimit, projekti i të cilave për rizhvillimin dhe përmirësimin e Passetto di Borgo dhe Porta Sancti Petri, në qytetin e Vatikanit, u paraqit në dhjetor të vitit të kaluar. Një projekt i gjerë, që përfshin vëmendje të veçantë ndaj kritereve të qëndrueshmërisë ekologjike dhe përshtatjes sizmike, ndjeshmërisë ndaj kërkesave të mbrojtjes së trashëgimisë historike dhe arkeologjike të zonës dhe shtrirjes urbane përreth, si dhe rregullimit të ri e më funksional të ambienteve, përshtatur edhe me risitë e reformës së Korpusit të nisur nga vetë Papa Françesku në vitin 2018. Ndër to, shtrirja e së drejtës për martesë (e rezervuar më parë për oficerët) për të gjithë ushtarët pas pesë viteve të para të shërbimit:

“Kazerma e re duhet të japë një kontribut të rëndësishëm në ribashkimin e Gardës dhe familjeve, që aktualisht janë të detyruara të jetojnë disi të shpërndara për shkak të mungesës së hapësirës,​​si dhe në mbështetjen dhe forcimin e kësaj lidhjeje dhe të ndjenjës familjare brenda Korpusit”.

Shkoni kundër rrymës!

Prej këndej, ftesa e Papës është "ta kultivojmë në mënyrë aktive jetën e bashkësisë". Për ta bërë këtë duhet të shkosh pak “kundër rrymës”, duke qenë se “sot tek të rinjtë është i përhapur zakoni për të kaluar kohën e lirë vetëm me kompjuterin apo celularin”:

“Prandaj edhe ju porosis ju, roje të reja: shkoni kundër rrymës! Ju lutem! Kohën e lirë është më mirë ta shfrytëzojmë për aktivitete të përbashkëta, për të njohur Romën, për çaste vëllazërie ku mund të bisedojmë dhe të ndajmë shqetësimet, për sport...”.

"Këto përvoja - siguron Papa - do t’ju formojnë në shpirt dhe do t'ju shoqërojnë gjatë gjithë jetës".

Mesha e Kardinalit Parolin dhe betimi i pasdites

Para audiencës me Papën Françesku, sot në mëngjes, në orën 7.30, garda zvicerane mori pjesë në Meshën e kryesuar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Sot pasdite, siç u përmend, betimi në oborrin e San Damasit në prani të një delegacioni nga Konfederata Zvicerane dhe të Imzot Edgar Peña Parra, si përfaqësues i vetë Papës. Pikërisht në pasditen e djeshme Imzot Peña Parr, kryesoi Mbrëmësoret në Kishën e  "Shën Marisë së Mëshirës” në Campo Santo Teutonico", pasuar me shfaqjen e kurorës, për nder të të rënëve më 6 maj 1527 dhe me dorëzimin e nderimeve në "Piazza dei Protomartiri Romani".

06 maj 2024, 14:00