Shn Jozefi me Krishtin e vogël Shn Jozefi me Krishtin e vogël 

Françesku: Shën Jozefi, simbol i dinjitetit të punës

Në një postim në X, Françesku kujton Shën Jozefin, një nga Shenjtorët e tij më të dashur. Ndërsa në audiencën e përgjithshme fton për ta parë Familjen Shenjte të Nazaretit si model i bashkësisë familjare.

R. SH. - Vatikan

“Sot kujtojmë #SanGiuseppeLavoratore. E lusim Zotin të na përtërijë dhe ta shtojë fenë në shpirtin tonë, në mënyrë që çdo punë e jona ta ketë në Të fillimin e mbarimin”. Ky, postimi që u duk në faqen e internetit @Pontifex në Festën liturgjike të Shën Jozefit zdrukthëtar, themeluar nga Piu XII, më 1 maj 1955.

Jetë, punë, dashuri

Papa e kujtoi Shën Jozefin edhe në audiencën e përgjithshme. “Secilit nga ju - pohoi - do të doja t’i propozoja Familjen e Shenjtë të Nazaretit si model i bashkësisë shtëpiake: bashkësi e jetës, e punës dhe e dashurisë”. Devocioni i Françeskut ndaj atit të kujtuar të Jezusit është gjë e njohur, emblemë e mirëbesimit te Zoti, njeri që e kultivoi po-në e tij ndaj Zotit në heshtje. Me letrën apostolike “Patris Corde”, Papa shpalli një vit të veçantë kushtuar Shën Jozefit, nga 8 dhjetori 2020 - deri më 8 dhjetor 2021. Në tekstin, rezultat i pandemisë e cila shkaktoi humbje pune në shumë sektorë, Françesku na ftoi t’i ngjasim shenjtit, nga i cili "Jezusi mësoi vlerën, dinjitetin dhe gëzimin e  çastit, kur ulesh në sofër për të ngrënë bukën, frut i punës dhe i djersës sate",

"T’i lutemi Shën Jozefit punëtor - lexojmë përsëri në Patris Corde - që të gjejmë rrugë, të cilat na detyrojnë të themi: asnjë i ri, asnjë njeri, asnjë familje pa punë!".

Mbroji punëtorët!

Më 12 janar 2022, në katekizmin e audiencës së përgjithshme kushtuar figurës së Shën Jozefit zdrukthëtar, Papa pati kujtuar një lutje lartuar nga Shën Pali VI, Shën Jozefit, më 1 maj 1969:

 “O Shën Jozef, Pajtor i Kishës, ti që pranë Fjalës së mishëruar punoje çdo ditë për të fituar bukën, duke nxjerrë prej Tij forcën për të jetuar e për t’u munduar; ti, që provove ankthin e së nesërmes, hidhërimin e varfërisë, pasigurinë e punës; ti, që rrezaton shembullin e figurës sate, të përvuajtur para njerëzve, por tejet të madhe përpara Zotit, mbroji punëtorët në jetën e tyre të ashpër të përditshme, ruaji nga dëshpërimi, nga revolta mohuese si dhe nga tundimet e hedonizmit: e ruaje paqen në botë, atë paqe e cila është e vetmja që mund të garantojë zhvillimin e popujve. Amen".

01 maj 2024, 13:51