Kërko

Papa Françesku pret në audiencë anëtarët e Akademive Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore, pjesëmarrës në takimin "Nga kriza klimatike te qëndresa klimatike" Papa Françesku pret në audiencë anëtarët e Akademive Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore, pjesëmarrës në takimin "Nga kriza klimatike te qëndresa klimatike"

Papa: shkatërrimi i tokës e fyen Zotin, punoni për kulturën e jetës

Françesku pret në audiencë anëtarët e Akademive Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore, pjesëmarrës në takimin "Nga kriza klimatike te qëndresa klimatike" dhe rithekson urgjencën e veprimeve konkrete për të luftuar krizën globale të klimës. "Të varfërit janë viktima. Kombet më të pasura prodhojnë më se gjysmën e ndotjes”, nënvizon Papa, i cili bën thirrje për një arkitekturë të re financiare, që kujdeset për jugun e botës dhe për ristrukturimin e borxhit

R.SH. – Vatikan

“Të dhënat për ndryshimin klimatik po keqësohen çdo vit, prandaj, është urgjente të mbrohen njerëzit dhe natyra”. Papa Françesku jep sërish alarmin gjatë audiencës së sotme (16 maj) me pjesëmarrësit në takimin e organizuar nga Akademitë Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore me temë: “Nga kriza klimatike në qëndresën klimatike”, i cili përfundoi me hartimin e "një protokolli universal qëndrese".

“Popullsitë më të varfra, që kanë shumë pak të bëjnë me ndotjen e natyrës, duhet të mbështeten e të mbrohen më tepër: ato janë viktima”. Kjo, nxitja e Françeskut, sipas të cilit “shkatërrimi i mjedisit është fyerje kundër Zotit, mëkat jo vetëm personal, por edhe strukturor, që i vë të gjitha qeniet njerëzore në rrezik serioz, sidomos më të pambrojturit dhe bën të shpërthejë një konflikt ndërmjet brezave”.

Thatësira, pasojë e ndryshimeve klimatike
Thatësira, pasojë e ndryshimeve klimatike

Kulturë e jetës apo e vdekjes?

 “Po punojmë për një kulturë të jetës apo të vdekjes?" Për Papën, kjo është pyetja, që ndihmon për t’i bërë ballë ndryshimit klimatik, “çështje globale dhe thellësisht shoqërore, e lidhur me dinjitetin e jetës njerëzore". Duhet të dëgjojmë britmën e tokës, vijoi Françesku, lutjet e të varfërve, të bëhemi më të ndjeshëm ndaj shpresave të të rinjve dhe ëndrrave të fëmijëve, të cilëve nuk u duhet mohuar e ardhmja. Ati i Shenjtë bëri thirrje për “zhvillimin e qëndrueshëm njerëzor", i vetmi që e aftëson njerëzimin t’u përgjigjet sfidave sistematike si: “ndryshimi i klimës, humbja e biolarmisë, degradimi i ambientit, pabarazitë globale, pasiguria ushqimore”. Të gjitha, për t’u zgjidhur  kolektivisht dhe urgjentisht, pasi janë kërcënime ekzistenciale për njerëzimin, me kosto të lartë sidomos për të varfërit e për tokën.

"Kombet më të pasura, rreth një miliard njerëz, prodhojnë më se gjysmën e substancave ndotëse, që ngrohin atmosferën”, denoncoi Françesku. “Në të kundërt, tre miliardë njerëz më të varfër kontribuojnë më pak se 10%, por pësojnë 75% të humbjeve. 46 vendet më pak të zhvilluara - kryesisht afrikane - përfaqësojnë vetëm 1% të emetimeve globale të dioksidit të karbonit. Ndërsa vendet e G20-ës janë përgjegjëse për 80% të këtyre emetimeve".

Nga audienca e sotme
Nga audienca e sotme

Të veprohet me urgjencë për klimën

Papa vuri në dukje se ndryshimi i klimës ndikon sidomos në jetën e grave e të fëmijëve, që shpesh, nuk kanë të njëjtat burime financiare si burrat. Përveç kësaj, ndryshimet aktuale sjellin pasoja në zhvillimin e natyrshëm të fëmijëve dhe në mundësitë, që u hapen për të ardhmen. Ati i Shenjtë këshilloi që të përfshihen gratë në planet e qëndresës ndaj ndryshimeve klimatike, pasi ato janë protagoniste të risive, sidomos në vendet më të varfëra. Françesku denoncoi etjen për fitime afatshkurtra të industrive, që ndotin ambientin. Vetë takimi në Vatikan vuri në dukje se ndryshimet klimatike, pasojë e kësaj ndotjeje, kërcënojnë ujin, ajrin, ushqimin, energjinë, shëndetin dhe mirëqënien publike, duke korrur para kohe miliona jetë çdo vit dhe duke i detyruar familjet të zhvendosen. Tri zgjidhjet e propozuara nga Papa:

“Të miratohet një plan universal dhe një ndërhyje e shpejtë dhe e vendosur, në gjendje të sjellë ndryshime dhe vendime politike; të ndryshohet kurba e ngrohjes së atmosferës, duke u përpjekur të përgjysmohet treguesi i ngrohjes në harkun kohor të një çerek shekulli; të synohet dekarbonizimi global, duke eliminuar varësinë nga lëndët djegëse fosile”.

Nga audienca e sotme
Nga audienca e sotme

Ristrukturimi i borxhit të vendeve të varfëra

“Përmes reduktimit të emetimeve, edukimit të mënyrës së jetesës, financimeve inovative dhe përdorimit të zgjidhjeve të përshtatshme bazuar në natyrën, ne forcojmë qëndresën, sidomos qëndresën gjatë thatësirave”, shpjegoi Françesku, sipas të cilit “duhet të zhvillohet një arkitekturë e re financiare, që u përgjigjet nevojave të Jugut të botës dhe të shteteve ishullore, të prekura rëndë nga fatkeqësitë klimatike”.

“Ristrukturimi dhe reduktimi i borxhit, së bashku me hartimin e një Karte të re financiare globale brenda vitit 2025, duke njohur një lloj borxhi ekologjik - duhet të punoni për këtë fjalë - mund të jetë një ndihmë e vlefshme për zbutjen e pasojave të ndryshimeve klimatike”, propozoi Papa, i cili u bëri thirrje të pranishmëve që të “vazhdojnë të bashkëpunojnë për kalimin nga kriza aktuale klimatike në qëndresën klimatike me barazi dhe drejtësi shoqërore": "duhet të veprojmë me urgjencë, dhembshuri dhe vendosmëri, sepse kostoja për t’u paguar s’ka qenë kurrë më e lartë se tani”.

16 maj 2024, 13:18