Françesku: Shpirti Shenjt dhuroftë gjeste dialogu dhe haptë dyert e paqes
R.SH. / Vatikan
Fryma e Shpirtit Shenjt, që sjell harmoninë, prektë vendet e botës, ku nuk mbretëron paqja! Këtë uroi Papa Françesku në pëfundim të lutjes drejtuar Mbretëreshës Qiellore në solemnitetin e Rrëshajëve:
“Jepu pushtetarëve guxim për të kryer gjeste dialogu, të cilat çojnë në përfundimin e luftërave: luftëra, tepër sot; të mendojmë për Ukrainën. Mendimi im shkon në veçanti në qytetin e Kharkiv, që pësoi një sulm dy ditë më parë; të mendojmë për Tokën Shenjte, Palestinën, Izraelin, të mendojmë për vendet e shumta ku ka luftëra: Shpirti Shenjt nxitët prijësit e kombeve dhe të gjithë ne për t’i hapur dyert e paqes”.
Harmoni ndër zemra
Pak më parë kishte kujtuar se Shpirti Shenjt arrin të krijojë harmoni "duke u nisur nga realitete të ndryshme, ndonjëherë kontradiktore":
“Sot, në festën e Rrëshajëve, t'i lutemi Shpirtit Shenjt, Dashuri e Atit dhe e Birit, të krijojë harmoni ndër zemra, harmoni në familje, harmoni në shoqëri, harmoni në mbarë botën; Shpirti Shenjt e shtoftë bashkimin dhe vëllazërinë ndërmjet të krishterëve të Konfesioneve të ndryshme”. “Faleminderit Veronezëve”
Më pas, duke kujtuar vizitën e djeshme në Verona, Papa shprehu mirënjohjen për mirëpritjen dhe dashurinë e treguar! Një mendim i veçantë për të burgosurit meshkuj dhe femra të burgut të qytetit:
“Më dëshmuan edhe një herë se jeta, humanizmi dhe shpresa pulsojnë edhe pas mureve të burgut. Falënderoj përzemërsisht të gjithë stafin e burgut e, veçanërisht, drejtoreshën, doktoreshën Francesca Gioieni, Faleminderit!”.
“Do t’i vizitoj së shpejti”
Së fundi, përshëndetja për shtegtarët italianë, e jo vetëm; në mendimet e Papës janë ata nga Timor-Leste. “Do të shkoj t’i vizitoj së shpejti!”- përsëriti dhe më pas kujtoi ata nga Letonia dhe Uruguai si dhe bashkësinë paraguaiane të Romës, e cila feston Virgen de Caacupé, dhe Misionin Katolik Portugez të Lucernit.