Papa, Shpirti Shenjt na jep kurajo dhe krijon harmoni, e kundërta është lufta

Vizita e Françeskut në qytetin e Veronës përfundon me kremtimin Eukaristik në stadiumin Bentegodi, në prani të 32 mijë besimtarëve, mes të cilëve shumë fëmijë dhe të rinj. Papa u drejtoi atyre një reflektim mbi Shpirtin Shenjt në pragun e solemnitetit të Rrëshajëve, duke i ftuar të rizbulojnë dhe vlerësojnë veprimin e Shpirtit Shenjt, që banon në ne e që na e dërgojnë Ati e Biri për të na shoqëruar në jetë. Quhet Mbrojtës, domethënë ai që të mbështet, që të shoqëron në jetën e krishterë.

R.SH. - Vatikan

"Sot ne kremtojmë festën e ditës në të cilën erdhi Shpirti Shenjt. Por mendoni pak, apostujt ishin të gjithë të mbyllur në Çenakull, kishin frikë, ishin me dyert të mbyllura. Shpirti Shenjt erdhi, ua ndryshoi zemrat dhe ata shkuan të predikonin me guxim Ungjillin: Shpirt Shenjt na jep guximin për të jetuar jetën e krishterë”. Kështu tha Papa Françesku në predikimin e Meshës kremtuar sot pasdite ,në stadiumin Bentegodi, në prani të 32 mijë besimtarëve -, duke lënë mënjanë tekstin e përgatitur – që ishte edhe takimi i fundit i vizitës së tij baritore sot në Verona.

Dhe për këtë arsye, Shpirti Shenjt me këtë forcë e guxim na ndryshon jetën tonë - vazhdoi Ati i Shenjtë – Shpirti Shenjt para së gjithash është ai që ndryshon jetën tonë". “Shpirti Shenjt na jep kurajo për të jetuar si të krishterë: shumë herë shohim të krishterë që janë të ngjashëm me ujin e vakët, as të nxehtë as të ftohtë: u mungon guximi: 'E po, o Atë, por ku mund të bësh një kurs që të mëson si të kesh guxim?'. “Jo, por lutuni Shpirtit Shenjt, besoni Shpirtit, mbështetuni në Shpirtin Shenjt”, nënvizoi Papa.

"Pastaj kemi një gjë shumë të bukur - vazhdoi Françesku -: atë ditë të Rrëshajëve kishte njerëz nga të gjitha kombet, nga të gjitha gjuhët, nga të gjitha kulturat dhe Shpirti me ata njerëz ndërton Kishën. Çfarë do të thotë kjo? Kjo i bën të gjithë të njëjtë? Jo, të gjithë janë të ndryshëm, por me një zemër, me dashurinë që i bashkon. Shpirti është ai që na shpëton nga rreziku për të na bërë të gjithë njësoj”. “Është një fjalë që e shpjegon mirë këtë – shtoi Papa –: Shpirti krijon harmoni, harmoninë e Kishës. Secili ndryshe nga tjetri, por në një atmosferë harmonie”.

"Të dashur vëllezër dhe motra, kjo është mrekullia e sotme: Shpirti Shenjt merr burra frikacakë, plotë me frikë dhe ata i bënë guximtarë. Merr burra e gra nga të gjitha kulturat, dhe prej tyre krijon një unitet të përbashkët, duke bërë Kishën. I merr këta njerëz, dhe nuk i bënë të gjithë njësoj. Po çka bën Shpirti? Krijon harmoni". "Tani secili prej nesh të mendon për jetën e tij – u tha Papa të pranishmëve në Meshë -: të gjithë kemi nevojë për harmoni, të gjithë kemi nevojë që Shpirti të na japë harmoni, në shpirtin tonë, në familje, në qytet, në shoqëri, në vendin e punës. E kundërta e harmonisë është lufta, e kundërta e harmonisë do të thotë të luftosh kundër njëri-tjetrit”.

Kështu, me kremtimin e Meshës në stadiumin Bentegodi, në prani të 32 mijë besimtarëve, për Veronën, u mbyll një ditë historike me Papën, e cila zgjati dhjetë orë, si mysafir i vlerësuar e përshëndetur në çdo cep të qytetit të Veronës. ''Françesku nuk e kurseu veten me askënd dhe me asnjë nga takimet e tij të sotme, po ka shijuar çdo moment të vizitës së tij, bukurinë e njerëzve dhe përqafimin e qytetit”, tha ipeshkvi i Veroës imzot Pompili.

18 maj 2024, 19:49