Kërko

2024.05.04 Coro della Basilica di Amsterdam 2024.05.04 Coro della Basilica di Amsterdam  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa shtegtarëve të Amsterdamit: jetoni si vëllezër në qytetin tuaj të bukur

Françesku takoi një grup besimtarësh nga kryeqyteti holandez i cili, kujtoi, banohet nga njerëz prej shumë kombesh, të thirrur për të jetuar vëllazëri.

R. SH. - Vatikan 

Është 750- vjetori i qytetit të Amsterdamit, rasti i takimit të Papës Françesku me shtegtarët holandezë, anëtarë të Fondacionit Katolik për nxitjen e ndihmës sociale në qytet dhe të korit të Bazilikës së Shën Nikollës. Origjina dhe zhvillimi i këtij qyteti - theksoi Papa në fjalimin e tij - "lidhen edhe me fenë e me Kishën Katolike": e një çast kyç në historinë e tij - vijoi - "është mrekullia eukaristike, që ndodhi në vitin 1345 e që kujtohet ende me një procesion të heshtur dhe me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakramend”.

Në Amsterdam shumë njerëz punojnë për të varfrit dhe emigrantët

 Pasi u ndalua tek rrënjët e Amsterdamit, Françesku nënvizoi se sot janë të shumta fytyrat e këtij "qyteti të bukur".  Në të njëjtën kohë, Amsterdami është  qytet ku shumë njerëz punojnë për të varfërit, për emigrantët, duke bashkëpunuar edhe me motrat e Nënë Terezës, për kujdesin baritor të të droguarve, me Bashkësinë e Shën Egjidit dhe me shumë të tjerë.   Amsterdami është qytet i banuar nga njerëz të shumë kombësive, të thirrur për të jetuar së bashku si vëllezër dhe si motra. Kishat, në veçanti, janë vende ku mblidhen njerëz të të gjitha kushteve shoqërore dhe kulturore.

Së fundi, Françesku u bëri thirrje shtegtarëve holandezë që "ta dëshmojnë me gëzim fenë dhe dashurinë konkrete për të tjerët, të gjallëruar e të mbështetur nga Eukaristia". E edhe të punojnë për “vëllazërinë dhe solidaritetin ndërmjet banorëve të Amsterdamit”.

04 maj 2024, 13:09